Ndërlidhjet

Rekomandimet nuk e kushtëzojnë dialogun (?)


Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i Kosovës
Mocioni i Kuvendit të Kosovës, me të cilin i rekomandohet qeverisë që ta kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Serbinë me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës, mund të mos jetë pengesë për qeverinë që ta vazhdojë dialogun me Beogradin.

Duke iu referuar fjalorit të shprehjeve parlamentare e ligjore, ku sqarohet fjala rekomandim sipas standardeve të BE-së, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi thotë se mocioni i datës 10 maj për të pagjeturit lidhur me vazhdimin e dialogut me Serbinë ka nxjerrë si rezultat rekomandime të cilat nuk janë akte të obligueshme juridike për qeverinë.

Ne në seancë kemi miratuar rekomandimet dhe rekomandimet nuk e kanë fuqinë ligjore. Vetëm një mocion është detyrues për qeverinë, mocioni i mosbesimit, mocionet tjera lexoni në rregulloret e punës së Kuvendit, nuk janë”, ka interpretuar këtë mocion kryetari Krasniqi.

Mirëpo, këto deklarata të Krasniqit të bëra në seancën e të enjtes, kanë nxitur reagimin e opozitës. Sipas partive opozitare, të gjitha vendimet e kuvendit janë obliguese për qeverinë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, nuk pajtohet me interpretimin e Krasniqit, duke thënë se çdo vendim i Kuvendit duhet të respektohet nga qeveria.

Fundi i fundit, cila është arsyeshmëria që pas debateve dhe seancave të jashtëzakonshme dhe pas interpelancave të bëhen rekomandimet. Pse atëherë të bëhen kur nuk qenkan obligative”, ka thënë Beqiri.

Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, thotë se kryeparlamentari ka bërë kësaj radhe një interpretim nga vizioni politik i PDK-së, dhe jo nga vizioni i kreut të Kuvendit.

Mua më duket që kryeparlamentari atë ditë kur ka folur, ka folur më shumë si një zyrtar i partisë në pushtet, se sa si figura kryesore politike e cila e ka përgjegjësi për ta mbrojtur pavarësinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për me afirmuar këtë pavarësi, sidomos karshi ekzekutivit të vendit”, ka deklaruar Konjufca.

Deklaratat e fundit të Krasniqit për obligueshmërinë e rekomandimeve të mocionit për të pagjeturit, nga nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmeti Isufi, shihen si tentativë për manipulimin e opinionit publik.

Çdo votim që bëhet në Parlamentin e Kosovës dhe merr miratimin duhet të zbatohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, por këtu po bëhen lojëra fjalësh dhe po ashtu qeveria po iu ik obligimeve që i ka para Parlamentit të Republikës së Kosovës. Ju e dini që ka pasë edhe hedhje të rezolutave poshtë, janë votuar për të dytën herë”, ka vlerësuar Isufi.

Mirëpo, ngjashëm me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, edhe shefi i ICO-së në Kosovë, Piter Feith këtë javë ka deklaruar se rekomandimet nuk janë të obligueshme për qeverinë.

Kurse, një pozicion i ri në raport me bisedimet Kosovë – Serbi, mund të paraqes deklarata e fundit e kryeministrit Hashim Thaçi, se bisedimet mund të vazhdojnë vetëm pasi që Serbia t’i respektojë dhe zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tani.

Sidoqoftë, vet zyrtarët e BE-së që ndërmjetësojnë në këtë dialog kanë deklaruar se bisedimet nuk mund të vazhdojnë përderisa të mos përmbyllet procesi zgjedhor në Serbi që nënkupton edhe formimin e institucioneve, sidomos të qeverisë së re atje.
XS
SM
MD
LG