Ndërlidhjet

Të rinjtë romë, të paarsimuar dhe të papunë


Të rinjtë e komunitetit rom
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00


Të paarsimuar, të papunë, me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale dhe me shumë probleme tjera jetojnë të rinjtë e komunitetit rom në Kosovë.

Një rrugicë në qytetin e Fushë Kosovës të shpie te njëra nga lagjet ku jeton komuniteti rom. Shtëpi të vjetra dhe pa kushte elementare, të bënin të mendosh se janë shtëpi të braktisura, por që në fakt ata jetonin aty.

Të rinjtë e këtij komunitetit mund t’i shohësh çdo kund duke kërkuar punë apo edhe lëmoshë.

Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë kemi marrë mendimet e disa të rinjve të këtij komuniteti, që jeton në Kosovë.

Isak Muçolli është 22-vjeçar dhe ka të përfunduar vetëm shkollimin fillor. Thotë se edhe pse nuk ka shkollim superior, do të mund të punonte diçka, por që kurrë nuk i është ofruar një punë e mirë.

Ditët janë të gjata, thotë ai, kur nuk ke çfarë të bësh.

“Problemi më i madh për ne të rinjtë e komunitetit rom është papunësia. Nuk kemi punë, nuk kemi asgjë. Tërë ditën vetëm rri, dal nganjëherë në treg ë punoj ndonjë gjë, por asgjë nuk fitoj. Jeta është e vështirë për ne”, thotë Isak Muçolli.

Mjaft pesimist shprehet edhe Lulzim Berisha:

“Punësim nuk ka. Papunësia është gjithkund, por për ne të komunitetit rom shumë vështirë. Jeta po kalon me momente shumë të vështira. Asgjë mirë s’po presim po keq e më keq. Tjetër asgjë nuk kisha thënë”.

Ata thonë se janë të pashkolluar dhe e kanë të vështirë të gjejnë punë. Do të dëshironin të ishin të arsimuar, por kurrë, siç thonë ata, nuk kishin kushte të mira ekonomike për t’u shkolluar. Kujtim Zymeri është njëri nga ata të rinj që e ka këtë hall.

“Problemi më i madhe është papunësia. Nuk mund të gjejmë punë, jemi edhe pa shkollë kështu që s’kemi shkollë mjaft, pa shkollë nuk po na pranon askush kështu”, thotë Kujtim Zymeri.



Edhe sipas hulumtimeve të bëra nga Organizatat Joqeveritare në Kosovë thuhet se 98 për qind e komunitetit rom janë të papunë dhe jetojnë nga asistenca sociale. Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, jetojnë 18 mijë romë.

Komunitetet rom, njihen zyrtarisht si komunitet i veçantë në Kosovë, dhe sipas Kushtetutës, gëzon të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.

Qeveria e Kosovës ka hartuar strategjinë për integrimin e komuniteteve rome, ashkalinj dhe egjiptianë, në dhjetor të vitit 2008, ndërsa plani i veprimit për realizimin e kësaj strategjie gjatë viteve 2009-2015, u miratua në dhjetor të vitit 2009.

Mirëpo, pavarësisht angazhimeve të institucioneve të Kosovës për integrimin e këtij komuniteti në shoqëri, të rinjtë e komunitetit rom, thonë se kanë probleme të mëdha.

Njëri nga këta të rinj është edhe Jeton Krasniqi. Jetoni është 33-vjeçar dhe jeton në Istog. Është i pashkolluar nuk di të lexojë, e as të shkruajë. Për të jeta është edhe më e rëndë. Punon si mbledhës i hekurishteve.

“Më shumë punësim se s’ka punë. Kam kërkuar, po nuk po na pranojnë pa shkollë, pa diploma, s’kam as një vit shkollë. Nuk më ka interesuar shkolla”, thotë Jetoni.

Të rinjtë e komunitetit rom flasin gjuhën shqipe mjaft mirë, këtë e praktikojnë edhe me shoqëri. Thonë se e kanë mësuar pasi që shoqërohen edhe me shqiptarë.

Ardian Haziri, 19-vjeçar, nuk ankohet për kushtet në të cilat jeton - thotë se është i kënaqur. Por, ai do të dëshironte që ta kenë një sallë sportive.

“Nuk kemi asnjë problem deri tani. Asgjë nuk na mungon jetojmë mirë në Kosovë. Kemi aktivitete sportive, një sallë e sportit është po aty duhet paguar për të luajtur. Do të dëshironim që dikush të na ndërtojë një (sallë) diku afër këtu”, shpreh dëshirat e tij Ardiani.

Në një lagje tjetër të Fushë Kosovës, takuam edhe 14-vjeçaren Kimete Gashi, e cila ndjek mësimet në gjuhën serbe. Ajo e ka shumë të vështirë të flasë gjuhën shqipe. Megjithatë, ia del disi. Thotë se është shumë e kënaqur që shkon në shkollë, por i mungon shoqëria.

“Shumë po më mungon që s’jemi shumë vete për ata. Nuk di të flas më shumë”, shprehet Kimetja.

Kimete Gashi është me më shumë fat nga disa bashkëmoshatarët e saj, pasi që disa prej tyre i kanë ndërprerë mësimet. Thonë se nuk kanë pasur mundësi të shkojnë në shkollë

“Jo e kemi lënë shkollën. Vetëm katër vjet kam qenë në shkollë. E kemi ndërprerë se s’i kemi pasur kushtet. Tash rrimë punojmë diçka që ka, e që s’ka - rrimë. Punojmë privat. Çka të bëjmë? E vështirë jeta, shumë”, thotë Reshat Gulqi.

Edhe Isa Maholli, 18-vjeçar, thotë se e ka ndërprerë shkollimin për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe sociale:

“Nuk kemi pasur mundësi. Libra s’kemi pasur për shkollë. Pa shkollë nuk ke as punë, shumë të rinj rom dalim nëpër kontejnerë. Shumë vështirë, shumë vështire ta shoh familjen duke jetuar në varfëri”.

Për Fitim Zuzakun, mundësia e vetme për të dalë nga kjo gjendje e rëndë ekonomike dhe sociale është largimi nga Kosova. Ai shpreson se me liberalizimin e vizave do të mund të shkojë në ndonjë shtet tjetër të punojë.

“Dashtë Zoti e të mund të udhëtojmë pa viza.Të shkoj në Gjermani të punoj ndonjë gjë, e ta përmirësoj gjendjen e familjes, përndryshe shumë keq i kemi punët. Po e shihni edhe vetë, në çfarë gjendje jetojmë”, thotë Fitimi.

Deponitë me mbeturina mund t’i shohësh çdo kënd të kësaj lagjeje ku jeton komuniteti rom. Edhe kjo ishte një shqetësim i madh për këta të rinj.
XS
SM
MD
LG