Ndërlidhjet

Opozita: Rishikimi i buxhetit kozmetik


Ilustrim
Ilustrim

Përfaqësues të subjekteve opozitare në Kosovë kanë paraqitur vërejtje të shumta në projektligjin për rishikimin e buxhetit.

Si problem kryesor në këtë projektligj, ata vlerësojnë sigurimin e fondeve për disa ligje dhe zvogëlimin e vlerës së mjeteve tek investimet kapitale.

Ditë më parë ky projektligj është miratuar në parim nga deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe vlera e shpenzimeve të përgjithshme financiare ka mbetur e njëjtë me atë të paraqitur edhe në buxhetin primar rreth 1.5 miliard euro.

Sali Asllanaj, anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës nga Lidhja Demokratike, tha se në këtë projektligj është vërejtur se investimet kapitale janë zvogëluar për 2 milionë euro.

Asllanaj, megjithatë thekson se LDK-ja ka shpresuar që më rishikimin e buxhetit do të sigurohen fonde shtesë për disa ligje që janë në procedurë.

Kemi pritur që më rishikimin e buxhetit sigurohen fonde shtesë për Ligjin për Pensione që është në procedurë për Ligjin Për Veteranët e Luftës, pasi është premtuar se do të sigurohen mjete nga pastrimi i listave të veteranëve të luftës dhe për Ligjin për Financimin e Partive Politike, ligj ky që tashmë është miratuar, por nuk janë siguruar mjete për të”, thekson Asllanaj.

Rishikimi i buxhetit e ndryshon buxhetin vetëm në aspektin “kozmetik”, konsiderojnë deputetë nga Lëvizja “Vetëvendosje” .

Visar Ymeri, nga kjo lëvizje shprehet se ky buxhet nuk siguron zhvillim të përgjithshëm ekonomik, por plotëson dëshirat, siç thotë ai, të ministrive dhe ministrave të caktuar.

Është buxhet që vazhdon të rrezikojë qëndrueshmërinë fiskale të Kosovës, është buxhet i cili nuk investon në rritjen ekonomike, por vetëm në projekte infrastrukturore të cilat shpeshherë janë të paplanifikuara, dhe është buxhet që anashkalon nevojat emergjente që i kanë qytetarët e Kosovës për punë dhe mirëqenie”, shprehet Ymeri.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, paraqet vërejtjet në rishikimin e buxhetit.

Xhevdet Neziraj, anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, thotë se kjo parti në kohën kur është aprovuar buxheti nuk është pajtuar më prioritetet e ekzekutivit, vërejtje këto që sipas tij, edhe tash janë aktuale.

Me anë të këtij rishikimi të buxhetit, vërejtjet kryesore paraqiten se janë duke u bërë shkurtime në investimet kapitale, do të thotë aty ku goditet më tepër infrastruktura, punësimi dhe shumëçka tjetër”, thekson Neziraj.

Anëtari tjetër i Komisionit për buxhet, Muhamet Mustafa, nga Koalicioni për Kosovë të Re, e vlerëson modest rishikimin e buxhetit, pasi sipas tij, niveli i shpenzimeve ka mbetur i njëjtë më buxhetin fillestar.

Të ardhurat në buxhetin e Kosovës nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës janë kryesisht në vijën e asaj që është planifikuar, investimet publike do të kenë një zvogëlim të vogël. Ekziston një lloj përshtatjeje e buxhetit dhe nuk është ndonjë ndryshim shumë esencial. Pra, i tërë buxheti mbetet në vijat dhe pikat që është përcaktuar në dhjetor të vitit të kaluar”, shprehet Mustafa.

Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë kanë pohuar se rishikimi i buxhetit është bërë me qëllim që ndërmarrjet buxhetore, veçanërisht ato lokale, të kenë fleksibilitet më të madh për të bërë rregullime të brendshme, si dhe alokimet e nevojshme.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG