Ndërlidhjet

Stefanoviq: Ka pajtim të bisedohet për veriun


Veri...
Veri...
Zyrtarët në Beograd thonë se ka një disponim te komuniteti ndërkombëtar që të hapet për diskutim me Prishtinën çështja e veriut të Kosovës.

Kryenegociatori i deritashëm në bisedimet me Prishtinën, Borisllav Stefanoviq thotë se në takimin e fundit që ka zhvilluar në Beograd me zëvendës-ndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit, Filip Riker nuk është biseduar konkretisht për veriun, por për vazhdimin e dialogut, temat dhe zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura.

Megjithatë, sipas tij, te komuniteti ndërkombëtar ka një pajtim që të hapet për diskutim edhe çështja e veriut të Kosovës.

Borisllav Stefanoviq
Borisllav Stefanoviq
Ka një pajtim se veriu i Kosovës është një problem kyç dhe se në këtë aspekt duhet bashkëpunuar me Prishtinën dhe mendoj se ka gjasa që këto gjera të vështira të rregullohen”, ka thënë Stefanoviq.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës të enjten nuk kanë komentuar zhvillimet që priten në raport me bisedimet me Serbinë.

Sipas tyre, javën e ardhshme Kosovën pritet që ta vizitojnë zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe vetëm atëherë do të mund të dihet më mirë fati i vazhdimit të dialogut.

Ndërkaq, ish-shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni mendon se Kosova duhet të ketë qëndrim parimor që dialog duhet të ketë gjithmonë, përfshi edhe Serbinë, por vetëm në cilësinë e dy shteteve të barabarta.

Dialogu siç është zhvilluar deri më tash, sipas Hysenit, ka qenë jo i strukturuar mirë dhe se pala kosovare nuk ka qenë pjesë e barabartë me vet faktin se nuk ka prezantuar vendin si Republikë e Kosovës.

Në të gjitha dokumentet, edhe të Bashkimit Evropian, i është referuar si dialog midis Prishtinës dhe Beogradit dhe në asnjë dokument nuk figuron që ka pasur dialog midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Të bësh dialog nuk do të thotë të bësh koncesione, që do të thotë se Republika e Kosovës nuk duhet të ketë frikë nga dialogu, Republika e Kosovës duhet të ketë kujdes që të mos bëjë koncesione të dëmshme në kurriz të Republikës së Kosovës”, thotë Hyseni.

Ndërsa kritikon formën e dialogut të zhvilluar deri më tash, Skënder Hyseni thotë se agjenda e ardhshme e bisedimeve është çështje e palëve se si i kuptojnë dhe si futen në proces.

Përderisa në Beograd, çështja e veriut shihet si e pashmangshme për t’u trajtuar në tavolinën e bisedimeve, Hyseni mendon se Kosova tashmë e ka një zgjidhje edhe për këtë problem, por atë duhet zbatuar në praktikë e që njihet si zbatim i Planit të presidentit Ahtisari.

Skender Hyseni
Skender Hyseni
Çështja e veriut do të mund të zgjidhej në mënyrë të mrekullueshme me një seriozitet më të madh të qeverisë duke e zbatuar pakon Ahtisari në gjithë territorin e Kosovës. Qeveria duhet në rend të parë që në veri të bisedojë me komunitetin serb. Kurse për rregullimin e brendshëm të Kosovës, qeveria nuk do të duhej të bisedonte me askënd”, thekson Hyseni.

Ndërkaq, sa i përket pozicionit serb në bisedimet me Kosovën, Stefanoviq, në anën tjetër, thotë se i takon qeverisë dhe presidentit të ri serb që të përcaktojnë se si t’i qasen procesit të bisedimeve.

Sipas tij, dialogu po kalon në një dimension të ri pasi që po hapen edhe tema që prekin në statusin e Kosovës.

Jo vetëm kush do të bisedojë, por edhe çfarë temash do të provojë t’i zgjidhë në dialog, marrë parasysh se dy temat e para janë energjia elektrike dhe telekomi. Por, padyshim që në të ardhmen do të jetë edhe veriu i Kosovës”, thekson Stefanoviq.

Pas një viti të bisedimeve dhe arritjes së pesë marrëveshjeve të prezantuara në formën e konkluzioneve, Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në këtë proces i ka ftuar tashmë palët të përgatiten për vazhdimin e bisedimeve, por duke i dhënë fillimisht kohë Serbisë deri në formimin e qeverisë së re.

Sa i përket agjendës dhe temave të ardhshme të bisedimeve, zyrtarët evropianë në vazhdimësi kanë deklaruar se të gjithat do të sqarohen në bashkëbisedim me palët e përfshira.
XS
SM
MD
LG