Ndërlidhjet

Mesazhet e Gordonit: Serbia nuk e pengon Kosovën dhe as Kosova Serbinë


Filip Gordon
Filip Gordon
Serbia nuk do të mund ta pengojë zhvillimin e mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës, sikurse që Kosova nuk mund ta pengojë rrugën evropiane të Serbisë.

Këto, sipas njohësve të zhvillimeve politike, vlerësohet të kenë qenë mesazhet kryesore që ndihmësekretari amerikan për ccështje evropiane, Filip Gordon u ka transmetuar Prishtinës dhe Beogradit, gjatë turneut të sapo përfunduar diplomatik në rajon.



Kurse, çështja kryesore që do t’i sfidojë këto raporte ndërmjet dyja shteteve në të ardhmen, konsiderohet se do të jetë problemi i veriut të Kosovës i banuar me popullatë shumicë serbe.

Drejtori i KIPRED-it, Ilir Deda thotë se Gordon ka shprehur qëndrimin amerikan se çështja e vetme e pazgjidhur në Ballkan ka mbetur normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, që problemi të jetë më specifik, Shtetet e Bashkuara sikurse edhe Bashkimi Evropian po kërkojnë normalizim të marrëdhënieve, por jo edhe njohjen e Kosovës nga Serbia, thotë Deda.

Në këtë proces ai e sheh të pashmangshëm edhe një dialog politik ndërmjet dyja shteteve për çështjen e veriut.

Ilir Deda
Ilir Deda
Për këtë normalizim SHBA së bashku me BE-në mendojnë se duhet të zgjidhet çështja e veriut nëpërmjet të drejtave shtesë për veriun e Kosovës. Këtë e tha edhe zoti Gordon në Beograd me deklaratën e tij se Serbia ka të drejtë t’i financoj serbët në shëndetësi, arsim dhe sferat tjera shoqërore”, thotë Deda.

Për publicistin Halil Matoshi, mesazhet amerikane që ndihmëssekratari Gordon i prezantoi gjatë vizitës së fundit kanë të bëjnë me përjashtimin e përdorimit të dhunës në çfarëdo mënyrë për zgjidhjen e problemeve të hapura.

Kosova po futet në njëfarë mënyre në moratorium me Serbinë, thotë Matoshi pas deklaratave të zotit Gordon, i cili në rend të parë kërkoi bashkëpunim dhe relaksim të raporteve ndërmjet dyja shteteve dhe jo njohje reciproke.

Mua më duket se kjo është një tendencë e amerikanëve që këto dy vende të mos e pengojnë njëra tjetrën në kuptimin që, Prishtina të mos e pengojë Serbinë në integrimet evropiane, ndërkaq Beogradi të mos e pengojë Prishtinën në krijimin e stabilitetit të brendshëm politik”, thotë Matoshi.

Duke i dhënë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, komuniteti ndërkombëtar ka konsideruar se Plani i Ahtisarit për statusin e Kosovës është zbatuar.

Mirëpo, nga ky Plan ka abstenuar veriu i dominuar nga popullata serbe, për shkak të kundërshtimit që kjo pjesë i bën pavarësisë së Kosovës.

Një rrjedhë të tillë të zhvillimeve, Ilir Deda e sheh si heqje të dorë nga plani i Ahtisarit si nga shtetet perëndimore, ashtu edhe nga Qeveria e Kosovës duke gjetur formula shtesë për komunat veriore.

Mesazhe për aranzhmane shtesë për veriun, sipas Ilir Dedës ka sjellë edhe vizita e zotit Gordon në rajon.

Ata dëshirojnë që nëpërmjet një dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë t’i bëjnë aranzhmanet për një status të avancuar të veriut në kuadër të Kosovës që do të ketë efekte destabilizuese afatmesme dhe afatgjate në Kosovë dhe rajon, sepse marrëveshjet e shpejta nuk kanë prodhuar stabilitet dhe zhvillim në Ballkanin Perëndimor dhe këtë ne e kemi parë qe 20 vjet”, vlerëson Deda.

Edhe publicisti Halil Matoshi mendon se veriu i Kosovës pashmangshëm që do të jetë temë e diskutimit në kuadër të bisedimeve të ardhshme Prishtinë – Beograd.

Por, për dallim nga Ilir Deda, ai mendon se SHBA-të nuk po kërkojnë një zgjidhje të shpejtë, por një zgjidhje hap pas hapi.

Halil Matoshi
Halil Matoshi
Tendenca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është që në njëfarë mënyre të shkohet kujdesshëm, por ngadalë përmes formave më të buta dhe jo formave radikale të shtrirjes së integritetit të Prishtinës në veriun e vendit dhe sikundër shpërblim pushteti në Beograd të fitoj favore në kuadër të integrimeve evropiane”, thekson Matoshi.

Gjatë qëndrimit në Beograd, por edhe në Prishtinë, Filip Gordon u ka ritransmetuar autoriteteve serbe mesazhin politik se pavarësia e Kosovës është realitet që duhet njohur nga Beogradi.

Ai ka thënë po ashtu se pavarësisht se cilat parti politike e marrin nën drejtim Qeverinë e Serbisë, ky vend duhet t’i zbatojë marrëveshjet e arritura tashmë në dialogun e zhvilluar me Kosovën nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG