Ndërlidhjet

Rasmusen: S’ka zgjidhje ushtarake për veriun - vetëm politike


 Anders Fog Rasmusen
Anders Fog Rasmusen

Nuk ka zgjidhje ushtarake për veriun e Kosovës, ka thënë të mërkurën në Prishtinë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen.

Këto komente, Rasmusen i bëri në përmbyllje të vizitës së delegacionit të Këshillit të NATO-s në Kosovë, me ç’rast ky delegacion takoi komandantin e KFOR-it, Erhard Drevs, përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtar si dhe kryeministrin Hashim Thaçi dhe zëvendësin e tij, Sllobodan Petroviq.

Me këtë rast, Rasmusen u bëri thirrje lidershipeve në Prishtinë dhe Beograd që të vazhdojnë bisedimet duke ua bërë të qartë se për veriun, nuk do të ketë zgjidhje ushtarake apo të dhunshme.

Nuk ka zgjidhje ushtarake për këto probleme. Ne duhet të kemi një proces politik i cili do të sjell integrimin e plotë të pjesës veriore në Kosovë dhe shoqërinë kosovare”, theksoi Rasmusen.

Kjo kërkon angazhim nga autoritetet në Beograd, por edhe guxim politik dhe përkushtim nga autoritetet politike në Prishtinë”, tha në vijim Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Ai i rikujtoi Serbinë dhe Kosovën se ende ka probleme politike të pazgjidhura.

Ka ende probleme politike. Ato duhet të adresohen përmes dialogut dhe për këtë arsye ne e mbështesim dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian”, theksoi Rasmusen.

Duke u kthyer në retrospektivë, zyrtari i lartë i Aleancës Veriatlantike tha se vet reduktimi i numrit të trupave të KFOR-it dëshmon se në Kosovë ka përparime.

Në fillim të mandatit më 1999, ai rikujtoi se KFOR-i kishte afër 50 mijë ushtarë në Kosovë, kurse tash ka diku prej 5 deri në 6 mijë ushtarë.

Kjo sipas tij, tregon se ka përparime. Megjithatë, aty ku NATO kërkon tani përparime është veriu i Kosovës.

Vitin e fundit kemi parë edhe dhunë në pjesën veriore dhe dua të theksoj se ne do të ndërmarrim hapa të nevojshëm për të përmbushur plotësisht mandatin me rezolutën 12 44 për një ambient të qetë e paqësor”, tha Rasmusen.

Lidhur me takimin e zhvilluar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe Këshillin Veri-Atlantik është prononcuar edhe kryeministri Hashim Thaçi.

Para kabinetit qeveritar Thaçi tha se aty është biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë, duke vënë theks situatën në veri. Thaçi e ka përjashtuar çdo mundësi që ajo pjesë të fitojë ndonjë status special apo autonomi të veçantë.

Kosova ka prezantuar idetë preliminare të projektit integrues që nënkupton ushtrimin e autoritetit të plotë të institucioneve të shtetit të Kosovës në gjithë territorin e Kosovës dhe respektimin e plotë dhe shumë afirmativ të serbëve në veri”, tha Thaçi.

Një çështje tjetër që është diskutuar me zotin Rasmusen dhe Këshillin e NATO-s ishte edhe e ardhmja e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Thaçi tha se çdo vend sovran e ka edhe ushtrinë e vet, por u zotua se të gjitha hapat në këtë drejtim Kosova do t’i koordinojë me NATO-n.

Tanimë pas 2 korrikut 2012, pas përmbylljes së fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, Kosova si shtet është më ndryshe dhe natyrisht se pavarësia e plotë nënkupton edhe përgjegjësitë e plota. Çdo vend sovran e ka edhe ushtrinë e vet”, është shprehur Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha po ashtu se gjatë takimit me Këshillin e NATO-s i ka paraqitur kërkesat e Qeverisë së Kosovës, të cilat përfshijnë, aprovimin e kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së, vendosjen e Raporteve Formale të partneritetit me NATO-n, anëtarësimin e Kosovës në kartën e Adriatikut A5 - fillimisht në cilësinë e vëzhguesit dhe mundësinë për pjesëmarrjen e njësiteve të FSK-së apo Policisë së Kosovës në operacione jashtë vendit të udhëhequra nga NATO apo BE-ja.
XS
SM
MD
LG