Ndërlidhjet

Ndërmarrjet publike: Zyrtarë me dy pozita


Ilustrim
Ilustrim
Udhëheqës të ndryshëm të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike në Kosovë, jo rrallë herë gjenden në konflikt të interesit duke mbajtur dy poste publike, çka bie në kundërshtim më ligjet në fuqi.

Rasti i fundit është ai i Ejup Qerimit, drejtor ekzekutiv në Post Telekomin e Kosovës, njëherazi anëtar i Bordit të Drejtorëve të Trustit të Kursimeve të Kosovës.

Agjencia Kundër Korrupsionit, tashmë ka paralajmëruar se ky rast, së shpejti do të procedohet në gjykatën për kundërvajtje, pasi ai gjendet në konflikt të interesit.

Lidhur me fenomenin e konfliktit të interesit, përfaqësues të shoqërisë civile, konsiderojnë se kjo situatë është produkt i ligjeve të dobëta dhe emërimeve sipas kritereve “partiake”.

Avni Zogiani, udhëheqës i Organizatës për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, thotë se pozita të dyfishta mbahen edhe në ministritë e caktuara.

Nuk ka kuptim që një profesionist të punojë në një fushë krejt ndryshe nga një fushë tjetër, sepse nuk mundet të jetë profesionist i të gjitha fushave, por thjesht kemi një emërim sipas kriterit partiak”.

Kemi shumë raste që fatkeqësisht funksionet publike ushtrohen, mendoj se përveç bordeve të agjencive dhe ndërmarrjeve publike, ky fenomen është i shprehur edhe në vetë postet ministrore”, thotë Zogiani.

Njohës të çështjeve ekonomike konsiderojnë se Kosova ka ekspertë të fushave të ndryshme që mund të udhëheqin çfarëdo pozite publike, e jo një person të ushtrojë dy funksione.

Eksperti i ekonomisë, Musa Limani, thotë se vetëm personat e dëgjueshëm të partisë mund të emërohen në dy pozita të larta udhëheqëse.

Në të kundërtën, thotë ai, kjo nuk preferohet as në aspektin juridik, por as në atë ekonomik.

Kemi raste kur deputët e Kuvendit janë në shumë komisione dhe anëtarë të Bordit. Prandaj unë mendoj se këta njerëz të cilët angazhohen në dy e më shumë vende të punës, janë të dëgjueshëm të partisë, prandaj eprori, bosi, i angazhon në disa vende për të pasur pushtetin në ato institucione”, thekson Limani.

Si shqetësim tjetër, Avni Zogiani, paraqet mossanksionimin e tyre nga ana e autoriteteve kompetente, edhe pas verifikimit se janë shkelës të ligjit.

Fakti që ligjet e Kosovës në një farë mënyrë i kanë sanksionet e ulëta për ushtrim të konfliktit të interesit dhe thyerjes së ligjit në përgjithësi, sa që janë të papërfillshme dënimet. Mendoj se është një indikator që kemi të bëjmë më një politikë që sistematikisht përkrah korrupsionin”, shprehet Zogiani.

Në fund të muajit maj, Agjencia Kundër Korrupsionit pat njoftuar se Gjykata Komunale për kundërvajtje në Gjilan ka dënuar me gjobë prej 700 eurosh kryetarin e Komunës se Gjilanit, Qemajl Mustafa, për shkak se nuk ka përfillur kërkesën e Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit për t’u shmangur nga konflikti i interesit në të cilin ndodhej.

Ndryshe në Ligjin për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, thuhet se zyrtari i lartë publik nuk mund të jetë menaxhues ose anëtar i organeve menaxhuese në organizata fitimprurëse dhe jo fitimprurëse, përjashtuar subjektet politike si dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet për shkak të funksionit.

Në të kundërtën çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara me këtë ligj, paraqet kundërvajtje dhe dënohet me gjobë prej 500 deri 2,500 euro.

Por, Musa Limani thotë se kjo vlerë e gjobës për shkelësit e ligjit është shumë e ulët.

Ai për një muaj e merr diferencën që angazhohen në dy tri vende. Prandaj dënimet sanksionet janë shumë të buta në këtë drejtim dhe për të nuk është ndonjë problem i veçantë ai dënimi material. Unë mendoj se duhet të sanksionohet më ligj që një person nuk mund të ketë më shumë se një apo dy vende pune”, vlerëson Limani.

Konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesave private të zyrtarit të lartë, kur ai ka interesa private të drejtpërdrejta ose të tërthorta, personale ose pasurore, te cilat mund te ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në ligjshmërinë, transparencën, objektivitetin dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit publik.
XS
SM
MD
LG