Ndërlidhjet

Cila është zgjidhja e “guximshme” për veriun?


Veri...
Veri...
Kosova duhet të ketë guxim politik të trajtojë problemin e veriut, ishte një nga mesazhet që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen i drejtoi lidershipit të Prishtinës në përfundim të vizitës së tij në Kosovë.

Duke e bërë të qartë se problemi i veriut nuk zgjidhet ushtarakisht dhe me me dhunë, Rasmusen kërkoi nga Prishtina dhe Beogradi të gjejnë një zgjidhje politike.

Megjithatë, aktualisht në Prishtinë nuk ka ndonjë ndryshim të qëndrimit sa i përket problemit të veriut krahasuar me trajtimin që i është bërë këto vitet e fundit.

Pozitë e opozitë në Kosovë thonë se zgjidhja për veriun ekziston në Planin e presidentit Ahtisari, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Por, problemi sipas tyre, është se ky Plan dhe këto ligje nuk po mund të zbatohen në atë pjesë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi rikujton deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi se pjesa veriore nuk do të fitojë status të veçantë politik.

Kryeministri e ka thënë dje në mënyrë të qartë se nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë status tjetër për veriun e Kosovës dhe se do të ketë vetëm mundësi për zbatimin e Pakos së Ahtisarit, Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe ky është angazhimi ynë. Natyrisht që angazhimi duhet të jetë permanent edhe nga ana e KFOR-it, EULEX-it dhe mekanizmave tjerë vendas e ndërkombëtar”, ka thënë Kuçi.

Edhe partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, përveç kritikave që i adreson te qeveria për pasivitet dhe mos trajtim të duhur të problemeve në veri, nuk sheh zgjidhje tjetër përveç asaj që parasheh Plani i presidentit Ahtisari.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri thotë se ndihma më e madhe që mund t’i japë komuniteti ndërkombëtar zgjidhjes në veri është që ta shtoj trysninë mbi Beogradin që të pushojë së financuari strukturat ilegale të cilat po pamundësojnë shtrirjen e autoritetit të institucioneve të shtetit të Kosovës në atë pjesë.

Zgjidhja ekziston në Pakon e Ahtisarit. Ti mund të dialogosh apo bisedosh me dikë se si të zbatohet kjo por jo a të zbatohet diçka që parashihet me Kushtetutë. Ajo që i duhet Beogradit, kushtimisht thënë, është një presion nga bashkësia ndërkombëtare që të largohet nga përkrahje dhe financimi i strukturave ilegale atje. Kjo është e tëra dhe asnjëherë as ne nuk kemi thënë që atje duhet më forcë ushtarake t’i zgjidhim problemet”, ka theksuar Beqiri.

Krahas deklaratave të zyrtarit të lartë të NATO-s për dialog politik për veriun, edhe instituti KIPRED kishte parashikuar se veriu po rrëshqet kah autonomia.

Por, që të ndodhë kjo, ky institut kishte parashikuar që në Kosovë do të krijohet një qeveri më e fuqishme në përbërje Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani thotë se kjo parti politike fillimisht pret lirimin e liderit të saj Ramush Haradinaj nga Haga, ku Tribunali pritet të nxjerrë vendimin në lidhje me aktgjykimin shtesë që e ngarkonte Haradinajn për krime lufte.

Por, në çdo rast, Ramadani e përjashton mundësinë që AAK të hyjë në ndonjë koalicion qeverisës tani apo më vonë me qëllim të avancimit të statusit politik të pjesës veriore të banuar me shumicë serbe.

Këto janë spekulime të momentit dhe të pabaza, sepse Aleanca asnjëherë me veprimet e veta nuk ka qëllim që ta dëmtojë shtetin e Kosovës dhe një autonomi për veriun ne besojmë thellë se paraqet dëmtim të shtetit të Kosovës. Prandaj, pjesë e agjendës sonë nuk është thellimi i të keqës në veri, por pjesë e agjendës sonë është shtrirja e autoritetit të shtetit dhe zgjidhja e problemit atje (në veri)”, ka deklaruar Ramadani.

Veriu i Kosovës ka sfiduar jo vetëm autoritetin e shtetit të Kosovës, i cili për më shumë se katër vjet nuk arriti të shtrijë pushtetin në atë pjesë, por edhe misionet ndërkombëtare të vendosura në Kosovë nga qershori i vitit 1999 e këndej.

Strukturat politike serbe atje thonë se nuk do ta njohin asnjëherë shtetin e Kosovës dhe se do të vazhdojnë të funksionojnë paralelisht duke zbatuar vetëm ligjet e Serbisë.

Një situatë e tillë në veri, është konsideruar si çështje e pazgjidhur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i cili i ftoi palët e përfshira të bisedojnë dhe gjejnë zgjidhje politike, por e cila, sipas tij, do të nënkuptonte në fund, integrimin dhe jo ndarjen e kësaj pjese nga Kosova.
XS
SM
MD
LG