Ndërlidhjet

Bojkoti i PDK-së, dështon vendimi për çimenton


Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i Kosovës
Mungesa e shumicës së deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ka ndikuar që Kuvendi i Kosovës për dy ditë rresht të dështojë të sigurojë kuorumin e nevojshëm për të votuar në lidhje me mocionin e ngritur ndaj ministres së Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila, për tarifën prej 35 për qind në importin e çimentos.

Ndonëse mocioni është ngritur nga Aleanca Kosova e Re, prej nga vjen ministrja Kusari Lila, dhe e cila është në koalicion me PDK-në, partia më e madhe, me përjashtime, ka refuzuar të vijë sërish në seancë.

Opozita ka kritikuar ashpër mungesën e deputetëve të PDK-së. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se ky është një rast i paprecedent kur pozita bojkoton punën e Kuvendit.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, me ndonjë përjashtim të rrallë, ose janë duke ngarkuar as shkarkuar çimento, ose janë duke kryer pazare të tjera. Unë e kuptoj të drejtën e deputetëve për mos me marrë pjesë, por të organizohet kësi lloj sabotomi dhe kësi bojkotimi të punës së Kuvendit për çështje të rëndësishme, këtë e bën vetëm një garniturë, një grup i deputetëve të cilët edhe zoti e di se si kanë ardhur në Kuvend”, tha Beqiri.

Përveç opozitës, edhe disa nga deputetët e partisë më të madhe, kritikuan gjendjen në të cilën ka ardhur parlamenti i Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Fatmir Limaj tha se ky institucion sot për sot ka fuqi politike më të vogël sesa në kohën e UNMIK-ut.

Ai tha se gjendja e institucioneve të Kosovës është e mjerueshme.

Jemi duke i devalvuar në tersi institucionet e këtij vendi. Shumë më fuqi, kredibilitet, dinjitet kanë pasur institucionet e Kosovës, në vitin 1999 më zotin Kushner, sesa që jemi sot në Kosovën e pavarur në vitin 2012”.

Kështu që nëpër media, siç thuhet ne jemi më të mirë, këta më të keq, besoni se këtu nuk ka askush të lavdërohet as më çoi kokën përpjetë, pasi gati të gjithë jemi të turpëruar. Si deputet të Kuvendit, që një vit e gjysmë, as 0.1 për qind nuk e kemi realizuar mandatin që na kanë dhënë qytetarët e Kosovës”, tha Limaj.

Burim Ramadani, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se mungesa e deputetëve të PDK-së, në Kuvendin e Kosovës, dëshmon më së miri se vendimi për tarifën 35 për qind, është vendosur për interesa të caktuara.

Ajo që është e dhimbshme për qytetarët e Kosovës, është se koalicioni qeverisës e prish kuorumin dhe këto raste ndodhin tepër rrallë. Ka ndodhë në këtë Kuvend gjatë kësaj periudhe më ketë qeveri, edhe një herë. Ajo që dua të them është që shumë mirë po duket Kuvendi pa PDK-në. Por, votat e qytetarëve definitivisht besoj se vërtet nuk do t’i lënë që të vijnë në Kuvend”, u shpreh Ramadani.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se kjo tregon se interesi që lidhet më këtë çështje është më i madh se çfarëdo interesi tjetër publik.

Nuk mendoj se ka ndonjë rast në botë, edhe është në kundërshtim më logjikën parlamentare, që grupi më i madh parlamentar, koalicioni qeverisës, ta bojkotojë seancën”.

Natyrisht, opozita bojkoton seancën për ta prishur kuorumin, për shkak se nuk pajtohet për një çështje të caktuar, mirëpo ata që thirren se i kanë numrat, e veçanarisht ky koalicion qeverisës, që na ka lodhë që një vit e gjysmë, duke thënë se ne i kem i numrat, ne i kemi numrat tash, nuk e kanë guximin me i përdorë ata numra në Kuvend”, theksoi Ymeri.

Bazuar në debatet e zhvilluara, pozitë e opozitë kryesisht kërkuan vendimin e ministres Kusari Lila për tarifën e importit të çimentos prej 35 për qind, e cila ka goditur kryesisht Shqipërinë, që të hiqet pasi që bie ndesh me parimet e tregtisë së lirë.

Madje u kërkua edhe dorëheqja e ministres edhe nga deputetë të partisë së saj, pasi sipas tyre, vendimi i saj ka krijuar monopol në tregun kosovar, duke favorizuar fabrikën e çimentos “SharrCem”.

Që gjërat të bëhen edhe më të paqarta rreth vendimit të ardhshëm të Kuvendit për këtë çështje, kryetari i Kuvendit ka mbyllur jo vetëm seancën, por edhe sesionin e punës së Kuvendit deri në shtator.

Kështu që tani i mbetet Qeverisë së Kosovës që të vendosë vet në lidhje me hapat e ardhshëm për importin e çimentos.
XS
SM
MD
LG