Ndërlidhjet

Rikthehen reduktimet e energjisë


Ilustrim
Ilustrim
Problemet me prodhim me njësitë gjeneruese në disa termocentrale të Korporatës Energjetike, kanë rikthyer reduktimet me energji elektrike në nivel vendi.

Viktor Buzhala, zëdhënës në këtë korporatë tregon se kanë qenë të detyruar të ndalin nga prodhimi dy blloqe, përkatësisht njësinë A-5 dhe B-2, mirëpo, sipas tij, janë në proces të kthimit dy njësive tjera.

“Sot jemi detyruar të aplikojmë reduktime edhe për kategorinë A, që është 5 ;1 , për kategorinë B 4:2 dhe C 3:3. Mendojmë se në orët e mbrëmjes do të stabilizohet gjendja”, bën të ditur Buzhala.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve energjetike thonë se reduktimet e energjisë po ndodhin për shkak të politikave të gabuara të institucioneve energjetike.



Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, vlerëson se planifikimet në nivel jo të duhur, kanë bërë që reduktimet të jenë të pranishme në këtë kohë kur temperaturat janë shumë të larta.

“Realisht, Prishtina po e ndien pak më vonë këtë mungesë të madhe të energjisë, sepse qytetet tjera të Kosovës, janë duke e ndjerë shumë kohë më parë. Do të thotë shpërndarja e energjisë nuk po bëhet në mënyrë proporcionale, për arsye se Prishtinës i kanë dhënë një prioritet më të madh me furnizim të energjisë. Rajonet e tjera kanë një ndërprerje disaorëshe në këto temperatura të larta”, thotë Çeku.

Çeku konsideron se edhe riparimet që po ndodhin në disa blloqe të termocentraleve po ndikojnë në mungesën e energjisë elektrike në vend.

“KEK-u është dashur që të merret me blloqet e Kosovës A, sepse dy blloqe B, që janë rreth 600 megavatësh, nuk mjafton dhe asnjëherë nuk janë të gatshme të mbulojnë konsumin e energjisë elektrike në Kosovë, duke ditur se ndonjëherë “Kosova B” mund të bjerë. Prandaj ishte e detyruar që logjikisht të mendohet se si të sillen me TC‘Kosova A’ “, thekson Çeku.

Para disa muajve KEK-u ka filluar riparimet në dy njësi, një në termocentralin “Kosova B” dhe një në njësinë e Termocentralit “Kosova A”. Këto riparime, sipas Buzhalës, kanë qenë të planifikuara dhe të domosdoshme, por që nuk ndikojnë në reduktimet aktuale të energjisë.

“I kemi dy blloqe në riparim të planifikuar vjetor, përkatësisht njësia B-1 e termocentralit ‘Kosova B’ dhe A-3 e termocentralit ‘Kosova A’, të cilit do t’i ndërrohet edhe elektro-filtri në mënyrë që të zbutet impakti në ambient, përkatësisht të ketë ambient brenda standardeve të Bashkimit Evropian. Ndërsa kemi pasur në remont edhe njësinë A-4, për të cilën jemi në proces të kthimit në punë sot”, shpjegon Buzhala.

Ndryshe, sipas njohësve të energjetikës, një përmirësim i mundshëm i furnizimit me energji pritet pas privatizimit të distribucionit të furnizimit të KEK-ut, por me një çmim më të lartë.
XS
SM
MD
LG