Ndërlidhjet

Kuçi kërkon angazhimin amerikan për traktatin me Serbinë


Ilustrim
Ilustrim
Ideja e prezantuar në Prishtinë për arritjen e një traktati paqeje midis Kosovës dhe Serbisë, është prezantuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ana e zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi në kuadër të konferencës Programi i Partneritetit midis shtetit të Aiovas dhe Kosovës.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, mes tjerash ka thënë se traktati i paqes është një ide që duhet të jetë si qëllim final në raportet ndërmjet dy shteteve fqinje.

Me anë të këtij traktati, sipas tij, Kosova dhe Serbia do të përmbyllnin konfliktin mes dyja vendeve dhe popujve, duke përfshirë njohjet reciproke, respektimin e tërësisë territoriale, mospengimi i njëri-tjetrit në fushat e integrimeve rajonale, Evropiane, në OKB dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtare. Po ashtu, Kuçi ka thënë se një traktat i tillë do të përfshinte edhe reperacionet e luftës dhe kërkim faljen nga ana e Serbisë.

Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi
“Çdo luftë duhet të përfundojë me paqe”, ka deklaruar Kuçi, duke cituar Presidentin amerikan Uilson se “vendimi për të bërë paqen është po aq i rëndësishëm sa vendimi për të filluar luftën”.

“Kjo nuk është kërkesë për ta harruar të kaluarën dhe dhunën nga Serbia, por për të mbyllur kapitullin e konfliktit dhe hapjen e kapitullit të bashkëpunimit dhe paqes mes vendeve, popujve dhe rajonit tonë”
, është shprehur Kuçi.

Për realizimin e kësaj ideje, Kuçi kërkoi angazhimin e SHBA-së dhe BE-së si garantues, duke rikujtuar se një traktat i tillë do të duhej të kishte garanci ndërkombëtare.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri kosovar ka deklaruar se dialogu teknik i filluar vitin e kaluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë, por pasi që Beogradi t’i zbatojë marrëveshjet e arritura.

Ndërkaq, për gjendjen në komunat veriore të Kosovës ai ka thënë se ”veriu sfidohet ende nga prania e strukturave ilegale të Serbisë dhe iniciativa e institucioneve të Kosovës për të vënë sundim të plotë të ligjit në këtë pjesë, nuk do të jetë nismë kundër qytetarëve serb të Kosovës, por vetëm kundërshtim i fuqishëm për kriminelët dhe strukturat ilegale që veprojnë në çfarëdo pjesë të Kosovës”.
XS
SM
MD
LG