Ndërlidhjet

Klapaçova: Njohja nga Sllovakia, pas normalizimit të raporteve Kosovë - Serbi


Flamuri sllovak
Flamuri sllovak

Para se të njohë pavarësinë, Sllovakia do që Kosova dhe Serbia të ndërtojnë marrëdhënie normale. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë analistja sllovake, Lucia Klapaçova. Sipas saj, qëndrimi i Sllovakisë nuk është i drejtuar kundër Kosovës, por mënyrës se si ka ndodhur pavarësia. Duke folur për mosunitetin e BE-së, Klapaçova thotë se ky mekanizëm as që ka provuar të ketë pozicion të unifikuar për Kosovën.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Klapaçova, dua ta nis këtë intervistë me pyetjen se cilat janë arsyet që Sllovakia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës?

LUCIA KLAPAÇOVA
Ka disa arsye për këtë. Ka shumë parti politike në Sllovaki dhe të gjitha nga to kanë arsye të ndryshme. Arsyeja më e rëndësishme ka të bëjë me marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore.




Pra, ky pozicion i Sllovakisë nuk është i drejtuar kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj, por ka mospajtime për mënyrën se si ka ndodhur pavarësia.

Për aq kohë sa Serbia dhe Kosova të jenë në gjendje që të ndërtojnë marrëdhënie në mes vete, Sllovakia mund do ta pranojë Kosovën – në çdo kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sllovakia po ashtu ka shpallur pavarësinë e saj dy dekada më parë dhe që atëherë ka arritur të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s. Përse nuk pajtohet me Kosovën në këtë çështje?

LUCIA KLAPAÇOVA
Ajo pajtohet. Nuk është problemi aty. Shumica e partive politike dhe e përfaqësuesve të Sllovakisë nuk e kanë problem që Kosova të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s.

Por, t’i kthehem pyetjes së parë; para se një gjë e tillë të ndodhë, ata duan të shohin se dy komunitetet, dy vendet - Kosova dhe Serbia - janë në gjendje të ndërtojnë marrëdhënie normale. De jure ose de facto varet prej tyre.

Sllovakia këtë e bazon në shembullin e vet, me ndarjen nga Çekosllovakia.
Ne po ashtu kemi shembuj në Bashkimin Evropian: kur vendet vijnë me konflikte, ato zgjasin dhe shkaktojnë probleme të tjera më vonë.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka ndonjë fraksion politik në Sllovaki që mbështet shtetësinë e Kosovës?

LUCIA KLAPAÇOVA
Që nga fillimi kanë qenë hungarezët (komuniteti pakicë në Sllovaki). Ata kanë mbështetur njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por, prapë e përsëris se as të tjerat, shumica e tyre, nuk janë kundër pavarësisë së Kosovës, por në pyetje janë raportet me Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç Sllovakisë janë edhe katër vende të tjera të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën. Kjo mungesë e unitetit brenda BE-së, a ka pasoja, jo vetëm për Kosovën, por edhe BE-në?

LUCIA KLAPAÇOVA
Natyrisht. Problemet nuk janë vetëm vitet e fundit dhe njohja. Ky problem i mosunitetit brenda BE-së ka nisur shumë vite më parë. BE-ja nuk ka pasur politikë të duhur për Ballkanin. BE-ja as që ka provuar të ketë pozicion të unifikuar për Kosovën. Ky është rezultati i kësaj. Kjo nuk është asgjë e re dhe ju keni të drejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Klapaçova, ditë më parë, ish-kryeministri sllovak, Mikullas Xurinda, ka thënë se Sllovakia mund të ndihmojë si ndërmjetësuese e dialogut Prishtinë-Beograd. Si e shpjegoni këtë ofertë? Çfarë nënkupton kjo ndihmë?

LUCIA KLAPAÇOVA
Zoti Xurinda nuk e ka menduar si ofertë. Ajo çfarë ka dashur të thotë është se, bazuar në përvojat e tij, në përvojat e ndarjes së Çekosllovakisë, në procesin e integrimit në NATO dhe BE të Sllovakisë, i cili, të paktën në fillim, është përballur me telashe, bazuar në punën e diplomatëve sllovakë në Ballkan dhe bazuar në faktin se Sllovakia nuk e ka njohur ende Kosovën, ai beson se Sllovakia mund të jetë njëri nga vendet, i cili ka përvoja që mund t’ia ofrojë Ballkanit.

Kjo është edhe ajo çfarë Sllovakia ka bërë vazhdimisht, jo posaçërisht në këtë çështje, por në përgjithësi kur bëhet fjalë për Ballkanin dhe ndarjen e përvojave. Pra, kjo është e gjitha çfarë fshihet pas saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni informacione – a ka biseduar zoti Xurinda me Prishtinën dhe Beogradin në lidhje me këtë çështje?

LUCIA KLAPAÇOVA
Xurinda ka qenë në Kosovë së fundmi. Unë kam qenë me të. Ai ka biseduar me autoritete të ndryshme në Prishtinë, si dhe në Beograd, për çështjet politike në të dyja vendet. Por, qëndrimi i tij nuk ka qenë në formën e ofertës “ja ku jam, dua të ndërmjetësoj”.

Ai ka qenë në cilësinë e ish-kryeministrit, si dhe të anëtarit të Parlamentit sllovak dhe të Komitetit për çështje të jashtme, për të siguruar informacione të mjaftueshme, në mënyrë që ta kuptojë më mirë situatën. Kjo ishte e tëra.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se së fundmi keni qenë në Kosovë. Si do ta përshkruanit shtetin e ri nga këndvështrimi juaj?

LUCIA KLAPAÇOVA
Është një pyetje që do të mund të merrte shumë kohë. Kjo nuk ka qenë hera e parë që kam qenë në Kosovë. Kam vizituar Kosovën shumë shpesh në gjashtë vjetët e fundit.

Është e vështirë të përfshihet në një fjali, por sigurisht Kosova është shtet, i cili përballet me disa çështje të vështira, të cilat duhet të zgjidhen.

Ndër to, gjetja e zgjidhjes për veriun, e cila është shumë e rëndësishme. Pastaj është edhe çështja e komunitetit ndërkombëtar. Që Kosova të jetë plotësisht e pavarur, prezenca e institucioneve ndërkombëtare përfundimisht duhet të zvogëlohet.

Natyrisht, Kosova duhet të punojë edhe në zhvillimin ekonomik, si dhe në çështje të tjera. Personalisht, besoj se Kosova do të mund t’i arrijë këto qëllime.
XS
SM
MD
LG