Ndërlidhjet

Problem, klasat e mbingarkuara


Shkollë në Kosovë (Foto nga arkivi)
Shkollë në Kosovë (Foto nga arkivi)
Në jo pak shkolla fillore dhe të mesme në Kosovë, klasat janë të mbingarkuara. Numri i madh i nxënësve që në disa klasa kap shifrën 60, thuhet se pengon në masë të madhe zhvillimin normal të procesit mësimor.

Shemsedin Gashi, zëvendësdrejtor në Gjimnazin “Sami Frashëri”, thotë se krahasuar me vitet e mëhershme kur numri i nxënësve në një paralele ka qenë rreth 60, vitin e kaluar ky numër është zvogëluar në 45 nxënës.

“Sipas standardeve tona, në konkurs kur hapet, kërkohet 32 nxënës për paralele.
Por, çfarë do të ndodh nga 3 shtatori, a do të ketë shtim të numrit të nxënësve apo jo, ajo nuk varet nga ne, varet nga numri i nxënësve që kanë mbetur pa u regjistruar. Gjegjësisht, Ministria e Arsimit, konkretisht drejtoria komunale e arsimit, jep urdhër se sa duhet të shtohet numri i nxënësve nëpër paralele”,
thotë Gashi.

Blerta është nxënëse në gjimnazin “Sami Frashëri”. Ajo tregon se në klasë janë 47 nxënës. Ora mësimore ka 40 minuta, thotë Blerta, për të shtuar se as një minutë hapësirë nuk i takon një nxënësi.

“Jemi 47 nxënës në një klasë. Është një numër shumë i madh, ndikon shumë në cilësinë e arsimit”, tregon Blerta.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qendrës për Arsim të Kosovës, thonë se sipas standardeve, numri i nxënësve në klasë duhet të jetë 25.

Halim Hyseni nga kjo qendër, thekson se ata që vuajnë më shumë mbingarkimin, është personeli mësimor, i cili në pamundësi për të zhvilluar normalisht procesin edukativ, është i detyruar të ulë nivelin e kontrollit të nxënësve.

“Askund në botë ndryshimet pozitive nuk mund të ndodhin me rritjen e numrit të nxënësve në mësonjëtore, por me zvogëlimin e tyre. Rritja e numrit të nxënësve në klasë, vështirëson shumë menaxhimin e mësimdhënësve në klasë, pamundëson qasjen individuale dhe respektimin e prirjeve, nevojave dhe aftësive individuale të nxënësve dhe bie në kundërshtim me të gjitha nismat reformuese”, shprehet Hyseni.

Edhe zyrtarë të ekzekutivit pranojnë se shifrat tejkalojnë standardet e lejuara, pavarësisht hapësirave të mjaftueshme shkollore, por që janë duke u angazhuar në këtë drejtim.

Nehat Mustafa, zëvendësministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, shprehet se në krahasim me vitin 2008, situata është më mirë, por jo në nivelin e dëshiruar.
Ai, madje, thotë se edhe gjatë këtij viti shkollor kanë kërkuar nga drejtoritë komunale të arsimit, që në disa paralele të lejohen deri në 37 nxënës në një klasë.

“Me ndërtimet e reja që janë bërë, është zvogëluar jashtëzakonisht shumë numri i nxënësve në një paralele. Me theks të veçantë rëndësi u kemi kushtuar komunave më të mëdha, ku numri i banorëve është më i madh”.

“Po ashtu, kemi kërkuar nga drejtoritë komunale të arsimit, t’i respektojnë kriteret që i ka hartuar Ministria e Arsimit, që maksimalisht të lejohet një numër deri në 37 nxënës në një klasë. Këtu flasim gjithmonë për shkollat e mesme të larta, sidomos për drejtimet që janë më atraktive, siç janë gjimnazet”
, pohon Mustafa.

Pavarësisht këtij problemi, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, pohojnë se janë bërë të gjitha përgatitjet, për të filluar mbarë ky vit i ri shkollor.

Zëvendësministri Nehat Mustafa, thotë se në mbi një mijë shkolla fillore dhe të mesme, gjatë këtij viti mësimin parauniversitar do të ndjekin rreth 460 mijë nxënës.

Ndërkohë, risi gjatë vitit shkollor 2012-2013 , është se nxënësit e regjistruar në klasë të parë, mësimin do ta fillojnë me Abetaren e përbashkët Kosovë - Shqipëri.
XS
SM
MD
LG