Ndërlidhjet

Raporte të mira ndëretnike - në reklama


Pamje në Shkup
Pamje në Shkup
Vendimi i Qeverisë që përmes fushatave televizive, të promovojë kultivimin e raporteve ndëretnike në frymën e bashkëjetesës, nga ekspertët e këtij lëmi cilësohet paradoksale.

Sipas Mirjana Najcevskës, aktiviste për të drejtat e njeriut, promovimi i mirëfilltë mbi baza të shëndosha i vlerave të bashkëjetesës në shoqëritë multietnike, siç është Maqedonia, bëhet përmes veprimeve konkrete të udhëheqësve politikë dhe jo shpenzimeve të kota nga arka e shtetit.

“Shpenzimi i parave në reklama në këtë formë siç promovohet bashkëjetesa, është më se jo e arsyeshme kur njëkohësisht në praktikë siç është rasti në Maqedoni me veprimet e tyre politikë-bërësit dëshmojnë të kundërtën”, thotë Najcevska.

Ndërsa, Jonuz Abdullahu, politolog, konstaton se kulmi i dyfytyrësisë së partnerëve të koalicionit qeverisës arrin në çastin kur vetë udhëheqësit e partive që përbëjnë Qeverinë demonstrojnë kryeneçësi me dozë patriotizmi dhe nuk arrijnë as të takohen për të zhbllokuar tensionet e krijuara në Parlament me bllokimin e Ligjit për ish-pjesëtarët e forcave shtetërore të sigurisë, të përfshira në konfliktin e armatosur të vitit 2001.

“Jam i mendimit se organizatat joqeveritare, mandej universitetet, stafi akademik, studentët dhe të gjithë qytetarët në përgjithësi janë ata, të cilët mund të ndikojnë të përmirësohet gjendja e përkeqësuar sa i përket raporteve ndëretnike veçanërisht ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve”.

“Pra, konsideroj se duhet angazhuar të investohet në këto institucione, aktivitetet e qytetarëve për të participuar ata në jetën e përditshme, veçanërisht për momentin kur raportet ndëretnike janë shumë të brishta”, shprehet Abdullahu.

Edhe aktivistja Mirjana Najcevska vlerëson se promovimi i vlerave për bashkëjetesë mund të arrijë rezultatet e dëshiruara vetëm nëse stimulohet veprimi i sektorit civil, përmes projekteve konkrete.

“Është shumë më mirë që Qeveria të shpenzojë mjete në realizimin e projekteve që do t`i realizonin organizatat joqeveritare. Në këtë formë krijohet një qasje e drejtpërdrejtë mes kërkesave të qytetarëve dhe Qeverisë”, thekson Najcevska.

Nga ana tjetër, Jonuz Abdullahu thotë se vetëm vendosja e themeleve të funksionimit të shtetit mbi parime të demokracisë koncensuale krijon kushte për një bashkëjetesë të mirëfilltë dhe stabilitet të qëndrueshëm në planin afatgjatë.

“E vetmja rrugëdalje për momentin është që të fillohet të mendohet seriozisht për përgatitjet e funksionimit të demokracisë koncensuale ku qytetari do të jetë ai, i cili do të jetë vendimmarrës dhe jo grupet etnike ose elitat e ashtuquajtura nacionale politike të ngarkuara me nacionalizëm dhe mllef nga e kaluara”, potencon Abdullahu.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë ka promovuar një spot, përmes të cilit synohet promovimi i bashkëjetesës, si dhe rritja e mirëbesimit ndërmjet komuniteteve, si dhe kultivimi i vlerave për bashkëjetesë në Maqedoni, pas raporteve të tensionuara mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

Kjo fushatë televizive do t`i shpenzojë Maqedonisë nga arka shtetërore rreth gjysmë milion euro.
XS
SM
MD
LG