Ndërlidhjet

Shqipëria inkurajohet nga BE-ja


Ilustrim
Ilustrim
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, po qëndron për vizitën zyrtare në Bruksel, ku gjatë ditës ka pasur dy takime me dy liderët kryesorë të Bashkimit Evropian, presidentin e Këshillit, Herman von Rompoj dhe presidentin e Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso.

Në të dy këto takime, sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, Shqipëria është inkurajuar që t’i shfrytëzojë këto javë që kanë mbetur, për t’i përmbushur deri në fund 12 kërkesat e Komisionit Evropian, në mënyrë që të marrë rekomandimin për dhënien e statusit të vendit kandidat.

Presidenti i Shqipërisë, Nishani, është zotuar se ai do të punojë me Qeverinë dhe me opozitën, në mënyrë që të sigurojë një dialog dhe debat, i cili do të mundësonte përmbushjen e këtyre kritereve.

Kryetari i Komisionit Evropian, Baroso, ka thënë se Shqipëria edhe nëse i kryen ato reforma që kanë mbetur për t’u kryer, mund të llogarisë në rekomandimin e Komisionit Evropian për dhënien e statusit të kandidatit. Njëjtë është shprehur edhe presidenti i Këshillit, Herman von Rompoj, i cili ka paralajmëruar një diskutim për Shqipërinë edhe në samitin e dhjetorit të shefave të shteteve të Bashkimit Evropian.

Shqipëria deri më tani ka qenë i vetmi vend i rajonit të Ballkanit, i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE, por nuk ka marrë rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian për dhënien e statusit të kandidatit.

Nëse kësaj radhe komisioni do të vlerësojë se Shqipëria i ka përmbushur kriteret, do të mund të rekomandonte më 10 tetor që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit, mirëpo vendimin përfundimtar do ta marrin shtetet anëtare në takimin e Këshillit në dhjetor.

Gjatë takimeve të së hënës, zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se kanë biseduar edhe për rajonin, ndërsa kanë vlerësuar pozitivisht rolin që Shqipëria po e luan në rajon në ndërtimin e fqinjësisë së mirë sikurse dhe në mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka thënë se vendi i tij do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv dhe bashkëpunues në rajon, mirëpo ka theksuar se ende në rajon, pavarësisht përparimit, ka disa pengesa në raportet bilaterale.

Zyrtarët e BE-së, si Rompoj, ashtu edhe Baroso, kanë potencuar se i tërë rajoni i Ballkanit ka perspektivë të integrimit në Bashkimin Evropian dhe se kjo perspektivë është duke ndihmuar edhe reformat në rajon dhe stabilizimin afatgjatë të këtij rajoni.

Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, të martën do të ketë takim edhe me shefin e NATO-s, Anders fog Rasmusen.

Shqipëria sikurse dhe Kroacia janë vendet më të reja anëtare të aleancës së NATO-s që nga viti 2008, kështu që pritet që në takimin e presidentit shqiptar, Nishani, me mikpritësit e tij në NATO, të bisedohet edhe për situatën në rajon, e sidomos në Kosovë, por edhe për misionin në Afganistan, ku Shqipëria vazhdon të jetë e pranishme.(a.p.)
XS
SM
MD
LG