Ndërlidhjet

Maqedonia humb tregun e Kosovës


Ilustrim
Ilustrim
Të dhënat zyrtare flasin se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, shkëmbimi tregtar me Kosovën shënon rënie drastike, për 18.6 për qind.

Enti Shtetëror i Statistikave ka bërë të ditur se shkëmbimi tregtar ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës në gjashtë muajt e parë të këtij viti është 250 milionë dollarë, derisa vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë kohore ky shkëmbim kishte arritur vlerën e përgjithshme në 307 milionë dollarë. Prej tyre, 286 milionë i takonin eksportit të mallrave maqedonase në Kosovë.

Nga kjo del qartë se shkëmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, ka shënuar rënie për rreth 57 milionë dollarë.

Maqedonia, për këtë periudhë ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë rreth 51 milionë dollarë më pak, ndërsa importi ka shënuar rënie prej 6 milionë dollarësh.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Menderes Kuçi, konsideron se humbja e tregut kosovar, do t`i kushtojë shumë zhvillimit ekonomik të Maqedonisë, veçanërisht për faktin se Maqedonia me Kosovën ka një suficit të madh, edhe atë prej 220 milionë dollarësh.

“Nuk mbetet asnjë takim yni që kemi me Qeverinë dhe që njëkohësisht nuk diskutojmë shqetësimin tonë, që Maqedonia duhet të fokusohet në tregun rajonal. Por, siç duket këtu ka gisht politika, pra nëse mund të shprehem kushtimisht edhe atëherë kur është fjala për tregun shqiptar, synohet disi të anashkalohet. Në rastin konkret, është e vërtetë se humbasin shumë biznesmenët shqiptarë, por më shumë humb shteti në përgjithësi, sepse Maqedonia humb tregun më të madh të sajin që ka”, vlerëson Kuçi.

Sipas tij, autoritetet maqedonase janë vonuar shumë në këtë drejtim, sepse kostoja e humbjes së tregut, do të jetë edhe më e madhe, për faktin se tregu i humbur është shumë më vështirë të rikthehet, sesa të hapet një treg i ri.

“Jo gjithmonë janë vlerat absolute ato, të cilat duhet të na shqetësojnë neve. E, neve duhet të na shqetësojë fakti se po humbim një treg që nesër do ta kemi shumë vështirë për ta kthyer. Pa marrë parasysh, edhe biznesi kosovar nuk mund të udhëhiqet nga emocionet se po bashkëpunon me vëllezërit shqiptarë këndej kufirit, në Maqedoni, por do të orientohet kah profiti. Thjesht, një produkt i cili hyn në treg, ai vështirë mund të zëvendësohet me një produkt tjetër. Por, një produkt, nëse e humb tregun e vet, ai edhe më vështirë e ka të kthehet te konsumatorët e njëjtë”, konsideron Kuçi.

Nga ana tjetër, Branko Azevski, problemin për humbjen e tregu kosovar e sheh në mungesën e infrastrukturës rrugore dhe investimeve të pamjaftueshme nga ana e qeverisë për të investuar pikërisht në infrastrukturë.

“Problemi mbase është hapja e autostradës përmes Shqipërisë, me çka një pjesë e kompanive kosovare më lehtë e kanë që të dalin në portin e Durrësit, kurse më parë transitonin nëpër Maqedoni drejt portit të Selanikut”, shprehet Azevski, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë.

Azevski thekson se nga kryeministri i Maqedonisë ka marrë premtim se vitin e ardhshëm do të fillojë ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, e cila është dhënë me koncesion.

Ndërkohë, Mirçe Cekrexhi, kryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, thotë se autoritetet shtetërore disa herë kanë paralajmëruar hapjen e vendkalimeve të reja kufitare dhe lehtësime për shkëmbim tregtar ndërmjet dy vendeve, por kjo në praktikë vështirë është realizuar.

“Kah Prishtina duhet të hapen vendkalime të reja kufitare, të cilat do funksionojnë konform standardeve evropiane. Gjithashtu, duhet të lëshohet dhe linja hekurudhore dhe përfundimisht të ndërtohet autostrada”, thekson Cekrexhi.

Rënie më e madhe e eksportit nga Maqedonia shënohet te produktet bujqësore-ushqimore, duhani, metalurgjia si dhe tek eksporti i derivateve të naftës të Rafinerisë Okta.

Këto të dhëna nuk kanë dashur t’i komentojnë autoritetet shtetërore duke theksuar se rënien e eksportit jo vetëm me Kosovën, ndikim të drejtpërdrejtë ka kriza e përgjithshme që ka kapluar shtetet e Evropës.
XS
SM
MD
LG