Ndërlidhjet

Qeveria e Maqedonisë mbijetoi votëbesimin


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Parlamenti i Maqedonisë në mesnatën e së premtes i ka dhënë votëbesimin Qeverisë së koalicionit ndërmjet partive VMRO-DPMNE dhe BDI, të udhëhequr nga kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili para se të votohej, në foltoren e Parlamentit, ka theksuar se nuk bëhet fjalë për skenar ashtu siç ka akuzuar opozita, por se me partnerin shqiptar të tij, BDI-në, ka dallime parimore, të cilat akoma ekzistojnë.

Me këtë rast, ai ka fokusuar ndryshimet e emrave të shkollave në komunën e Çairit në Shkup, nga emra maqedonas në emra shqiptarë. Megjithëse ka theksuar se në asnjë mënyrë Qeveria nuk do të ndërhyjë për t’i hequr tabelat me emrat e ndryshuar - një skenar që ndoshta, sipas Gruevskit, është i dëshirueshëm për opozitën. Lidhur me këtë çështje, Gruevski ka thënë se do të veprohet në përputhje me ligjin dhe masat e ndërmarra nga Ministria e Arsimit.

“Parlamenti duhet të sjellë Ligjin për përkujdesje institucionale për ish-forcat shtetërore të sigurisë të përfshira në konfliktin e armatosur gjatë vitit 2001”, ka theksuar kryeministri Nikolla Gruevski, duke thënë se vlerëson se nuk duhet të miratohet përkujdesja institucionale për UÇK-në.

Gruevski, gjithashtu, ka shprehur hapur edhe mospajtimin e tij për homazhet në varrezat e UÇK-së nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi, duke vlerësuar se nuk ishte një akt i duhur dhe ka reflektuar negativisht në raportet midis komuniteteve dhe se për këtë ai kishte shprehur reagimet publike. Sipas tij, “nuk duhet përdorur një himn i një shteti tjetër në Maqedoni” duke iu referuar intonimit të himnit shqiptar nga ana e shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Gjatë ditës së premte është zhvilluar një debat i ashpër mes deputetëve të opozitës dhe atyre në pushtet, sa i përket tensionimit të raporteve ndëretnike.

Pas kësaj, në foltore ka dalë vetë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, për të theksuar se retorika e partisë maqedonase në opozitë LSDM-së është e frikshme dhe vendin e kthen prapa, në vitet e parakonfliktit. Ahmeti, ka apeluar për më shumë kujdes në raportet ndëretnike pa iu qasur fare problemeve të hapura që ka me parnerin e koalicionit qeverisës.

Ndërkohë, analistët politikë shqiptare thonë se qëndrimi arrogant i kreut të VMRO DPMNE-së, aktualisht kryeministër i Maqedonisë dëshmon se ky vend shkon kah politika izoluese dhe se nuk do të zgjidhë asnjë çështje të hapur duke instaluar diktaturë nacionaliste.

“VMRO - DPMNE do të shkojë me hapa të vendosur pas kësaj në politikën izoluese, me politikën jashtë institucioneve evropiane dhe botërore, në të vërtetë është e gatshme të zgjidhë asnjë çështje të hapur përfshirë këtu edhe atë të emrit”, thekson Alajdin Demiri, analist politik.

Demiri nënvizon se partitë politike shqiptare, si pasojë e hipotekave të ndryshme e kanë shumë vështirë të paraqiten si faktor në politikë-bërjen e Maqedonisë.

“Duke i dhënë mbështetje BDI-ja Qeverisë Gruevski, është parti politike e marrë peng dhe si e tillë vepron. Kjo situatë do të zgjasë edhe një kohë përderisa partitë politike maqedonase ose vete qytetarët maqedonas nuk e rëndojnë politikën e Gruevskit”, shprehet Gruevski.

Ndërkaq, Vllado Popovski thota se mund të shihet edhe ana e mirë e dështimit të mocionit, ngase, sipas tij, zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të rrisnin edhe më shumë nacionalizmin, marrë parasysh formatin e fushatës që bëjnë partitë politike.

Popovski thotë se zgjedhjet e parakohshme do të bllokonin edhe më shumë procesin integrues.

Ndryshe, votëbesimi i fituar i Qeverisë, siguron që në 90 ditët e ardhshme deputetët nuk do të kenë të drejtë për interpelancë tjetër, ndërkohë që Maqedonia ka hyrë në një fushatë aktive parazgjedhore për zgjedhjet lokale të fillim-vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG