Ndërlidhjet

Kosova uron presidentin Barack Obama


Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë uruar presidentin Barack Obama për fitoren dhe rizgjedhjen e tij në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe për mandatin e dytë katër vjeçar.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në emër të popullit të Kosovës dhe emrin e saj personal, ka uruar Obamën dhe popullin amerikan duke thënë se zgjedhjet presidenciale në SHBA janë frymëzim për të gjitha vendet tjera, ndër to edhe Kosovën, që punojnë për krijimin e shoqërive gjithëpërfshirëse, prosperuese dhe ndërtimin e demokracisë së mirëfilltë.

Republika e Kosovës është një aleat dhe partner i përkushtuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne do të angazhohemi fuqimisht që të thellojmë miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve dhe popujve tanë edhe më tutje. SHBA-të kanë luajtur rol vendimtar për lirinë dhe të drejtën e qytetarëve të Republikës së Kosovës të vendosin për fatin e tyre. Falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që, të udhëhequra nga ju, kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, avancimin e proceseve demokratike dhe në rrugën e integrimeve euroatlantike”, është shprehur Jahjaga.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili aktualisht ndodhet në Bruksel, përmes një telegrami ka uruar presidentin Obama dhe popullin amerikan duke vlerësuar se zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara janë shkollë më vete për frymën e demokracisë, transparencës dhe korrektësisë që frymëzon kombet dhe shoqëritë anembanë botës.

Rizgjedhja juaj në krye të SHBA-ve për katër vitet e ardhshme, është mundësi e re e konsolidimit të politikave tuaja për ekonominë dhe prosperitetin e shoqërisë amerikane dhe thellimin e paqes në botë. Populli i Kosovës ka përcjellë me simpati zgjedhjet presidenciale dhe vazhdon të mbetet i magjepsur me fuqinë e shpirtit amerikan, që së fundi u përball me dinjitet edhe me uraganin Sandy, duke treguar kapacitetet e pafundme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në telegramin e Thaçit.

Ndërkohë, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka siguruar qytetarët e Kosovës për vazhdimësinë e politikës amerikane në Ballkan.

E njëjta do të vlente po që se do të ishte zgjedhur Mitt Romney, sepse në Ballkan ne kemi një politikë dypalëshe me mbështetje dypalëshe. Pres që do të vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar në Ballkan dhe një partner i mirë për Kosovën”, ka thënë ambasadorja Jacobson.

Rizgjedhja e presidentit Obama është përshëndetur edhe nga përfaqësues të partive opozitare.

Deputeti dhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi beson se fitorja e Obamës do të jetë një vazhdimësi e miqësisë dhe partneritetit të Shteteve të Bashkuara me Kosovën.

Do të jetë vazhdimësi e thellimit të miqësisë në mes SHBA-ve dhe Kosovës dhe do të shtohet edhe më shumë angazhimi për të pasur një drejtim më të mirë për Kosovën, sepse presidenti Obama për të dytën herë në këtë mandat vetëm se vërteton politikën e SHBA-së në raport me Kosovën”, ka thënë Isufi.

Në anën tjetër, të vetmit që kanë shprehur skepticizmin e tyre në lidhje me fitoren e Obamës janë përfaqësuesit e serbëve të pjesës veriore.

Njëri nga liderët serb të kësaj pjese, Millan Ivanoviq tha për Radion Evropa e Lirë se cilido nga dy kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara do të udhëhiqte politikë të njëjtë në raport me serbët.

Është e njohur që politika amerikane është në masë të konsiderueshme e anshme në favor të anës shqiptare dhe nuk ka një politikë të balancuar ndaj të dyja palëve”, thotë Ivanoviq, duke konsideruar se serbët për këtë arsye politikën amerikane nuk e shohin si reale në raport me interesat e tyre.

Sidoqoftë, fitorja e presidentit Obama në Prishtinë në përgjithësi shihet si vazhdimësi e angazhimit amerikan për forcimin e paqes dhe stabilitetit në botë duke promovuar vlerat amerikane që, sipas liderëve kosovarë, garantojnë një të ardhme më të sigurt.
XS
SM
MD
LG