Ndërlidhjet

Ulet standardi jetësor në Maqedoni


Treg frutash në Kumanovë
Treg frutash në Kumanovë
Shpenzimet e jetesës gjatë muajit tetor të këtij viti janë për 5,3 për qind më të larta krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, ka kumtuar Enti Shtetëror i Statistikave.

Më së shumti shtrenjtim kanë pësuar shërbimet e amvisërisë , uji, rryma elektrike dhe gazi. Rryma është shtrenjtuar për 18 për qind, ndërsa ngrohja qendrore është më e shtrenjtë për 26 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka përllogaritur se për ushqim një familjeje katër-anëtarëshe i nevojiten 31.873 denarë (rreth 500 euro).

Qytetarët ankohen se kanë të vështirë mbijetesën.

“Çdo ditë çmimet janë duke u rritur për së tepërmi. Nuk e di se çka mendon me këtë situatë shteti dhe qeveria, a mendon për popull apo jo. Prej bukës, vajit të gjitha produktet ushqimore, janë shtrenjtuar për së tepërmi, mielli, sheqeri kripa, të gjitha këto janë shtrenjtuar. Unë çka të bëj më përpara me gjashtë mijë denarë ( rreth 100 euro) që i marr si pension”, shprehet pensionisti Sallah Haruni.

Edhe Danica Nikollovska, pensioniste, thotë se standardi jetësor është ulur shumë, dhe me të ardhurat e saj është vështirë t’i realizojë kërkesat e familjes së saj.

“Unë marr 18 mijë denarë, ndërsa më nevojiten më së paku 36 mijë për të dalë në fund të muajit, edhe atë vetëm ushqim dhe për të mbuluar faturat e rrymës, ujit dhe ngrohjes, e asgjë më shumë, asnjë investim nuk mund të bëj me këto para”, shprehet Danica Nikollovska.

Edhe Avzi Selimi thotë se për të bërë disa investime të vogla në shtëpi është detyruar të marrë një kredi të buxhetit të ulët, që e ka ngushtuar edhe më shumë buxhetin e familjes së tij.

“Të ardhura mujore i kam rreth dy-treqind euro që më hyn në buxhetin familjar dhe kurrqysh s’ia dal në fund të muajit. Qe tre vjet kam një kredi, me shpirt jam duke e paguar, më kanë mbetur edhe dy- tri këste ta përfundoj kredinë Dashtë Zoti kurrë më të mos marr, sepse vërtet me shumë vështirësi e kaloj muajin”, thotë Avzi Selimi.

Këtë vit qytetarët thonë se është e vështirë të mbushet tryeza, ngase si pasojë e thatësisë në tregun e gjelbër janë shumë të shtrenjta edhe produktet bujqësore të vendit.

“Këtë vit moti ishte i thatë dhe është gjë normale që produktet e vendit të jenë pak më shtrenjtë. Të gjitha produktet, si specat, domatet, janë shtrenjtë, për një qytetar që merr rrogë mesatare në Maqedoni prej 250 eurosh”, shprehet Jusuf Nuredini.

Ndërkaq, ish-ministri i Ekonomisë, Zoran Vitanov, thotë se qytetarët kanë krijuar bindje se çmimet janë dyfishuar për njëqind për qind, sepse ka rënë dukshëm standardi jetësor. Sipas tij, ata marrin rroga të njëjta, pensione të njëjta në 10 vjetët e fundit, gjersa çmimet gjithnjë e më shumë janë rritur.

“Përderisa ulet kapaciteti blerës, ne nuk mund të shpresojmë për zhvillim ekonomik dhe ajo që është më e keqja, ulja e standardit jetësor shkakton disbalanc në shoqëri, pra rritet hendeku ndërmjet të varfërve dhe atyre shumë të pasurve”.

“Në njërën anë kemi diku 5 deri 7 për qind të popullatës, e cila është tejet e pasur dhe, nga ana tjetër, një armatë të tërë, e cila jeton ne kufijtë e mbijetesës sociale. Por, më problematik është fakti Maqedonia ka humbur shtresën e mesme, e cila është shtytëse e zhvillimit ekonomik”
, vlerëson Vitanov.

Nga ana tjetër, ekspertet e ekonomisë konsiderojnë se indeksi i harxhimeve për jetesë është tregues shumë i saktë për lëvizjen e inflacionit, që sipas tyre, vitin e ardhshëm do të shënojë rritje të dukshme.

Edhe Banka Popullore e Maqedonisë në herë kumtoi se shkalla e inflacionit në vend është 2.2 dhe më pas i revidoi këto të dhëna duke theksuar se inflacioni në Maqedoni deri në fund të vitit do të arrijë shkallën prej 3.5 për qind.
XS
SM
MD
LG