Ndërlidhjet

Refuzimi i Ivanovit, skandal diplomatik?


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka refuzuar ftesën e homologut të tij shqiptar, Bujar Nishani, për të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit të Shqipërisë në Vlorë.

Presidenca e Maqedonisë nuk ka dhënë detaje se pse refuzohet ftesa, po shkurt nga Kabineti i presidentit të Maqedonisë, kanë njoftuar se “për shkak të zhvillimeve të fundit, anulohet vizita e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në Tiranë”.

Refuzimi i pjesëmarrjes së presidentit Ivanov pason incidentin gjatë vizitës së një jave më parë të kryeministrit Nikolla Gruevski në Tiranë, eskorta e të cilit u sulmua me vezë, ndërsa flamurit shtetëror të Maqedonisë iu vu flaka.

Në sheshin e Tiranës, për të qenë pjesë e kremtimeve, në mungesë të kreut të forcave të armatosura të Maqedonisë, presidentit të shtetit, megjithatë ka shkuar një delegacion i lartë i Armatës së Republikës së Maqedonisë dhe ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi, për të marrë pjesë në paradën e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Ndaj këti rasti, ka reaguar edhe partia më e madhe maqedonase, LSDM. Sipas saj, është e palogjikshme pjesëmarrja e presidentit Gjorgje Ivanov në Tiranë, përderisa ky i fundit nuk realizoi asnjë takim me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, dhe atë të Kosovës, Hashim Thaçi, sa ishin në Shkup, para dy ditësh, në ceremoninë për festimin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, organizuar nga nënkryetari i Qeverisë, përgjegjës për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi.


Qëndrimet e analistëve

Ndërkaq, analistët politikë shprehin qëndrime diametralisht të ndara sa i përket veprimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për të refuzuar ftesën e homologut të tij shqiptar, Bujar Nishani.

Ish-diplomati shqiptar, Alajdin Demiri, thotë se Maqedonia ka reaguar në mënyrë tejet jodiplomatike.

“Refuzimi i ftesës nga ana e Ivanovit për të qenë pjesë e kremtimeve në Shqipëri, ka për bazë një frustrim, i cili në vete e ka si antishqiptar dhe ai atë e shfaq në mënyrë, po shprehem kushtimisht, tejet të thjeshtë, për arsye se nuk mund të veprohet në atë mënyrë, gjegjësisht të uzurpojë të drejtën e kultivimit të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy popujve fqinj, aq më tepër kur Maqedonia ka një numër të madh të shqiptarëve në vete”.

“Ky skandal diplomatik në të vërtetë do të ndikojë në ftohjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, njëherësh do të reflektojë edhe në raportet ndëretnike edhe ashtu të rënda brenda shtetit të Maqedonisë”,
vlerëson Demiri.

Por, për ish-diplomatin maqedonas, Risto Nikovski, refuzimi i ftesës është shumë i arsyeshëm, sipas tij, për shkak të zhvillimeve që lidhen me kremtimin e 100- vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.

“Mendoj se është shumë e arsyeshme që presidenti Ivanov vendosi të mos shkojë në Tiranë, jo vetëm për shkak të incidentit gjatë vizitës së kryeministrit Nikolla Gruevski, në Tiranë dhe djegies së flamurit maqedonas atje, por për shkak të formës së organizimit të ceremonisë së kremtimit të 100- vjetorit të Shqipërisë, në Shkup”.

“Këtu valëviteshin vetëm flamuj shqiptarë dhe nuk dukej fare se solemniteti mbahet në Maqedoni, ndërkohë që Berisha hapur foli për Shqipëri të madhe. Ky veprim ishte tejet i palogjikshëm dhe politikisht i papranueshëm”
, konsideron Risto Nikovski, duke shprehur kritika edhe për pjesëmarrjen e zyrtarëve shqiptarë, pjesë e Qeverisë, në organizimet e shumta në Shqipëri me rastin e festës së flamurit.
XS
SM
MD
LG