Ndërlidhjet

Maqedoni: Bllokimi në Parlament, lojë e koalicionit?


Shkup
Shkup
Përderisa Komisioni parlamentar për punë dhe politikë sociale debaton rreth 15 mijë amendamente të propozuara nga partia shqiptare në pushtet, BDI, si masë për të parandaluar miratimin e ligjit për ish-forcat shtetërore të sigurisë të përfshira në konfliktin e armatosur gjatë vitit 2001, kryetarja e këtij komisioni, Cvetanka Ivanovska, nga radhët e LSDM-së, bëri të ditur se ky ligj tërësisht ka bllokuar punën e Komisionit.

Ivanovska, gjithashtu, nënvizoi se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mos lejuar që opozita të bëhet pre e, siç është shprehur ajo, “skenarit të partive të pushtetit për promovim të patriotizmit të rrejshëm që ka për qëllim përfitimin e pikëve të politikës ditore”.

Edhe deputeti i PDSH-së në opozitë, Bekim Fazliu, konsideron se çështja e bllokimit të punës së Komisionit parlamentar përmes amendamenteve, është lojë e partnerëve të koalicionit qeveritar, gjegjësisht BDI-së dhe VMRO DPMNE-së.

“BDI-ja nuk ka mekanizma për të bllokuar realisht ligjin e ashtuquajtur të ‘branitellave’ (pjesëtarët e sigurisë). Çështja është se kur VMRO- DPMNE, e kryesuar nga kryeministri Gruevski dëshiron ose më saktë kur ka planifikuar ta sjellë këtë ligj. E them këtë, sepse VMRO-DPMNE vendosi rregulla të reja të lojës se si do të sillet në Parlament me vetë faktin se kufizoi fjalimet e deputetëve për të debatuar për këtë çështje”.

“E dyta, pse them se kemi të bëjmë me marrëveshje mes partnerëve të koalicionit qeverisës, kjo ka për të bartur vëmendjen e opinionit nga të gjitha çështjet e tjera të hapura në vend. Tani kemi miratimin e buxhetit të shtetit, i cili kryekëput është anti-shqiptar, por në fakt në këtë drejtim nuk kemi asnjë zënkë mes BDI-së dhe VMRO DPMNE-së, thjesht ata funksionojnë për mrekulli”, shprehet Fazliu.

Por, me këtë konstatim nuk pajtohet BDI-ja, siç thotë zëdhënësi i partisë Bujar Osmani, të gjitha veprimet e kësaj partie janë transparente dhe bllokimi i Parlamentit, përmes amendamenteve ka për qëllim të dëshmojë se nuk mund të sillen ligje të njëanshme, ligje të cilat përjashtojnë privilegje edhe për ish-pjesëtarët e UÇK-së, ngase në këtë mënyrë anashkalohet karakteri multi-etnik të shtetit.

“Besoj se opinioni dhe qytetarët e kanë kuptuar se kjo është një përpjekje e sinqertë e BDI-së për të penguar dëmet që mund t`u bëhen shqiptarëve në Maqedoni, por njëkohësisht pa prishur institucionet dhe komoditetin e vetë qytetarëve”.

“Detyra jonë është që të bëjmë luftën në institucione ne nuk duam t`i involvojmë qytetarët sa herë që ne, si politikë-bërës, do të ballafaqohemi me sfida. Por, ne do të bëjmë punën dhe njëkohësisht nuk do të lejojmë që të dëmtohet interesi i shqiptarëve këtu”,
potencon Osmani.

Nga ana tjetër, ekspertët vlerësojnë se inskenimi i problemeve ndëretnike, gjegjësisht problemeve ndërmjet partnerëve të koalicionit bëhet me qëllim që të shpërqendrohet vëmendja nga problemet reale ekonomike, me të cilat përballet vendi.

E, opozita, pos kritikave, nuk ka asnjë ofertë konkrete si të dilet nga kjo situatë e pashpresë për Maqedoninë, si pasojë e bllokimit tanimë një kohë të gjatë të procesit integrues.

“Ky debat që ka të bëjë me projektligjin në fjalë është shumë lehtë për t`u deshifruar, në aspektin profesional. Nëse shikohet nga shkaku se tentativa komplete është se nuk mundet të ballafaqohet me krizën ekonomike, e cila nuk është vetëm në Maqedoni e rajon, por ka përmasa botërore, megjithëkëtë e ka të vështirë të ndeshet kjo garniturë politike, që është në Qeveri, BDI dhe VMRO DPMNE”.

“Por, edhe opozita nuk është e anashkaluar nga kjo krizë, qoftë ajo shqiptare ose maqedonase, nga të cilët faktorë politikë kërkohet nga ana e qytetarëve të ketë një qasje krejtësisht tjetër për problemet ekzistuese me interes jetik për popullatën e Maqedonisë, siç janë problemet ekonomike, ato rreth punësimit, problemet në lëmin e arsimit dhe protestat e punonjësve në shëndetësi”,
shprehet Jonuz Abdullahu, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, njëherësh dhe ish-deputet.

Ai shton se me bllokimin e punës së organeve të Parlamentit është e qartë që tentohet të shpërqendrohet vëmendja nga problemet e theksuara, për të cilat nuk strategji të qartë që do të mund të çonin kah zgjidhja e tyre.

Ne, si ish-anëtarë të Komisionit kushtetues në Parlamentin e Maqedonisë, debatonim pa bllokada rreth çështjeve shumë më të ndjeshme gjatë hartimit të amendamenteve, të cilat ishin pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë. Në këtë rast, mungon debati i mirëfilltë i argumentuar rreth ligjit në fjalë, atë për ish-pjesëtarët e forcave shtetërore të sigurisë, për të paraqitur në formë shkencore nga stafi akademik se ku mund ta çojë shtetin ky ligj që krijon ndasi edhe më të thella mes shqiptarëve dhe maqedonasve, meqë të gjitha palët e përfshira në konfliktin e 2001-it nuk kanë trajtim të barabartë nga ana e shtetit”, vlerëson Abdullahu.
XS
SM
MD
LG