Ndërlidhjet

SHBA: Zhgënjim i thellë me Izraelin


Departamenti amerikan i shtetit thotë se është “thellësisht i zhgënjyer” me aleatin amerikan, Izraelin, për shpalljen e vazhdimin të ndërtimit të mijëra vendbanimeve të reja për izraelitët në tokën, të cilën palestinezët e llogarisin se do të jetë në shtetin e ardhshëm të tyre.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Victoria Nuland, i ka akuzuar liderët izraelitë për angazhim në “aksion provokues”, që e vë në pikëpyetje përkushtimin e tyre për paqe.

Kjo deklaratë u bë në periudhën kur raportohet se shtetet evropiane në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Franca, Britania, Gjermania, Portugalia, dhe anëtarë të tjerë, po përgatisin deklarata të reja për dënimin e planeve të Izraelit për ndërtimin e vendbanimeve.

Prej se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në muajin nëntor, votoi për përmirësim të statusit të palestinezëve në OKB, në “shtet vëzhgues joanëtar”, Izraeli i ka shpallur planet për ndërtimin e mijëra njësive banesore në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor.

Autoritetet e Izraelit, të hënën, e kanë miratuar ndërtimin e 1500 shtëpive në lagjen Ramat Shlomo në Jerusalemin Lindor. Izraelitët, po ashtu, po e shqyrtojnë ndërtimin e mëtejshëm të 3 mijë njësive të reja shtëpiake në vendbanime të tjera.

Palestinezët dëshirojnë që në shtetin e ardhshëm të tyre të përfshihet Bregu Perëndimor, me kryeqytet Jerusalemin Lindor.

Vazhdimi i planeve izraelite për ndërtim të vendbanimeve, megjithë vërejtjet e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, më herët këtë muaj, se vendbanimet e reja do të paraqesin një “goditje pothuajse fatale” për ardhmërinë e paqes, e pamundësojnë krijimin potencial të shtetit palestinez.

Shtetet e Bashkimit Evropian, që janë partneret më të mëdha tregtare të Izraelit, poashtu, shumë herë i janë bashkuar korit të vërejtjeve kundër ndërtimeve të mëtejshme.

Analistët thonë se kritika e fundit tejet e ashpër e Shteteve të Bashkuara ndaj Izraelit, nuk ishte e zakonshme.

Izraeli është aleati më i afërt i Uashingtonit në Lindjen e Mesme dhe në vit nga Shtetet e Bashkuara merr ndihma në vlerë prej miliarda dollarësh.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Victoria Nuland, e ka shprehur zhgënjimin e thellë amerikan.

Sa i përket çështjes së gjerë të vendbanimeve dhe deklaratave aktuale dhe aksioneve në terren: ne jemi thellësisht të zhgënjyer që Izraeli insiston në vazhdimin e këtij modeli të aksionit provokues. Këto shpallje të përsëritura dhe plane për ndërtime të reja, shkojnë kundër çështjes së paqes. Liderët izraelitë vazhdimisht thonë se ata e mbështesin rrugën kah zgjidhja me dy shtete, por këto aksione këtë qëllim e rrezikojnë edhe më tepër”, tha Victoria Nuland.

Ajo ka theksuar se, megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk do ta mbështesin propozim-rezolutën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që pritet të paraqitet në përgjigjje të ndërtimet të vendbanimeve të reja.

Ajo e ka përsëritur qëndrimin e gjatë të Shteteve të Bashkuara, që është i ngjashëm me atë të Izraelit, se negociatat direkte ndërmjet dy palëve janë e vetmja mënyrë për arritjen e zgjidhjes së qëndrueshme me dy shtete.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Victoria Nuland, ka kërkuar nga të dy palët, që tu kthehen bisedimeve direkte dhe të përmbahen nga aksionet e “njëanshme”, siç janë ndërtimi i vendbanimeve ose synimi për përmirësim të statusit në Kombet e Bashkuara.

Ne prapë u bëjmë thirrje Izraelit dhe palestinezëve që të mos ndërmarrin asnjë lloj të aksionit të njëanshëm, kundërproduktiv, dhe të marrin hapa konkretë për kthim në negociatat direkte”, tha Victoria Nuland.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ishin në mesin e nëntë vendeve, që votuan kundër rezolutës me të cilën Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e përmirësoi statusin e palestinezëve në OKB.

Shpallja e ndërtimit të vendbanimeve të reja u bë në kohën kur politikanët izraelitë po bëjnë fushatë për zgjedhjet parlamentare më 22 janar.

Hulumtimet e opinionit tregojnë se partia e krahut të djathtë e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe aleatët e tij, me gjasë, do të fitojnë më së shumti vota.

Bisedimet për paqe ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve janë ndalur para dy vitesh, pasi palestinezët kishin kërkuar që Izraeli t’i ndalë aktivitetet për ndërtimin e vendbanimeve para vazhdimit të negociatave.

Izraeli e ka hedhur poshtë një kërkesë të tillë duke e vlerësuar atë si parakusht të papranueshëm. (f. b.)
XS
SM
MD
LG