Ndërlidhjet

LDK: Flamuri dhe himni i Rugovës të jenë simbolet shtetërore të Kosovës


Isa Mustafa në 23 - vjetorin e themelimit t ë LDK-së
Isa Mustafa në 23 - vjetorin e themelimit t ë LDK-së
Një shtet që nuk ka zhvillim ekonomik rrezikon të bëhet shtet i krimit e korrupsionit, ka deklaruar të dielën lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë shënimit të 23-vjetorit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, aktualisht subjekti më i madh opozitar në Kosovë.

Mustafa ka thënë se Kosova duhet të ecë përpara në reformimin e saj demokratik, si dhe në zhvillimin ekonomik e politik për të qenë një shtet i suksesshëm.

Isa Mustafa
Isa Mustafa
Përveç kritikave adresuar qeverisjes aktuale, Mustafa i drejtoi edhe mesazhe komunitetit ndërkombëtar duke thënë se faktori ndërkombëtar në Kosovë të angazhohet shumë më shumë për sjellje ligjore mbi parime të demokracisë, e jo që objektiv kryesor të jetë stabiliteti politik.

“Një shtet, i cili nuk ka zhvillim, bëhet shtet i krimit dhe korrupsionit, shtet i cili në vend se të fabrikojë produkte dhe të mira për popullsinë, fabrikon të burgosur dhe kriminelë. Ne nuk e dëshirojmë një shtet policor, një shtet të ngulfatur nga oligarkia politike dhe strukturat parashtetërore”.

“LDK-ja do të luftojë për konceptin e shtetit, në të cilin demokracia do të ngrihet mbi baza të zhvillimit ekonomik dhe social, në të cilin puna do të bëhet kriter i pasurisë, e jo korrupsioni dhe abuzimi i parasë publike”, ka thënë Mustafa.

Ndërkohë, nënkryetari i LDK-së, Sabri Hamiti, është shprehur se demokraci në Kosovë nuk mund të ketë pa zgjedhje të lira, pa vullnet qytetar, e pa institucione të përgjegjshme e demokratike. Ai ka theksuar se një trend i tillë ka sjellë si sfidë serioze rritjen e korrupsionit e krimit në vend.

Sabri Hamiti
Sabri Hamiti
“Kosova ende është larg realizimit të synimeve të programeve, standardeve e vlerave evropiane, të cilat kërkojnë konkurrencë, vlera humane e vlera autentike dhe jo rrjete të korrupsionit e krimit të organizuar, qofshin këto joformale apo formale. Standard evropian është sundimi i ligjit dhe zhvillimi i përgjithshëm. Korrupsioni ka shpërla shoqërinë dhe shtetin tonë në shkallën që rrezikon të ardhmen e vendit”, ka deklaruar Hamiti.

Në 23-vjetorin e themelimit të LDK-së, kryetari i saj, Isa Mustafa, i cili mban edhe postin e kryetarit të Prishtinës, ka kontestuar sërish flamurin dhe himnin e Kosovës. Ai është zotuar se kur LDK-ja të vijë në pushtet, simbolet shtetërore të Kosovës do të jenë ato që i kishte prezantuar presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova.

“LDK-ja do ta bëjë realitet, bashkë me qytetarët e vendit, që Flamuri i Dardanisë të jetë flamur zyrtar i Republikës së Kosovës, ndërsa himni i propozuar nga presidenti Rugova, ‘Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë’, të jetë himn i Republikës së Kosovës. Ky është borxhi që ia kemi prijësit tonë të madh, Presidentit historik Ibrahim Rugova, njeriut që së bashku me LDK-në e projektoi dhe e themeloi Republikën e pavarur, sovrane dhe demokratike të Kosovës”, është shprehur Mustafa.

Para 23 vjetësh, Lidhja Demokratike e Kosovës ishte themeluar nga Ibrahim Rugova dhe një grup intelektualësh.

Atë kohë, LDK njihej si lëvizje e rezistencës paqësore të shqiptarëve të Kosovës ndaj regjimit të Serbisë në kohën kur Jugosllavia po shpërbëhej, kurse shumica shqiptare në Kosovë ishte një prej shënjestrave të shtypjes nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Koncepti i LDK-së, atë kohë, ishte për një Kosovë shtet të pavarur e demokratik që u promovua përmes liderit të saj Ibrahim Rugova.

Ndërkaq pas vitit 1999 kur në Kosovë kishin ndërhy forcat paqeruajtëse të NATO-s, LDK-ja, nën drejtimin e Rugovës kishte ruajtur shumicën dhe siguroi mandatin e parë qeverisës gjatë kohës së administrimit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara.

Por, me vdekjen e Rugovës, kjo parti politike kryesisht doli e dyta, duke u kthyer në një forcë opozitare.
XS
SM
MD
LG