Ndërlidhjet

A ka pasur reforma në shëndetësi gjatë vitit 2012?


Ilustrim
Ilustrim
Sistemi shëndetësor në Kosovë, sipas zyrtarëve të lartë, këtë vit ka rezultuar si i suksesshëm, sa i përket reformimit të saj. Por, sipas ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, reforma e mirëfilltë në sistemin shëndetësor do të fillojë në vitin 2013.

“Reforma shëndetësore në esencë duhet të fillojë në vitin 2013. Viti 2012 ka qenë viti i përgatitjeve për reformë, vit i konsultimeve intensive brenda dhe jashtë Kosovës me institucionet relevante financiare për dizajnimin e procesit të reformës në dy faza, për atë të Ligjit për shëndetësi dhe Ligjit për sigurime shëndetësore. Në anën tjetër, faza përgatitore e reformës për vitin 2012 është përcjellë me riorganizimin e brendshëm të Ministrinë e Shëndetësisë”, thotë Agani.

Ndërkaq, sindikalistë të shëndetësisë mendojnë se viti 2012 nuk e ka karakterizuar sistemin shëndetësor si një vit me reforma. Blerim Syla, kryetar i sindikatës, thotë:

“Nuk është reformuar fare me vetë faktin që Ministrinë e Shëndetësisë e kanë përcjellë skandale të njëpasnjëshme. Nuk është zgjedhur çështja e specializimeve dhe specializantëve, mjekët po na ikin nga Kosova. Kjo tregon mjaft se si është situata në shëndetësi”.

“Kur ia shtojmë kësaj edhe mungesën e barnave nga lista esenciale, vetë kjo për tregon situatën e rëndë në të cilën gjendet shëndetësia. Andaj, mund të them se këtë vit nuk ka pasur reforma, por mund të them që gjendja është përkeqësuar edhe më tej”.


Por, Agani thotë se këtë vit si asnjëherë më parë, janë fuqizuar specializantët dhe është mundësuar punësimi i specialistëve të rinj. Kurse, lidhur me mungesën e barnave nga lista esenciale, ai thotë se ka një përgjigje.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.
“E kemi bërë një fuqizim të dukshëm të resurseve njerëzore në shëndetësi. Gjatë këtyre 19 muajve janë lejuar 503 specializime, është lejuar punësimi i 150 specialistëve të rinj në tërë Kosovën - njerëz që kanë pritur për punë nga 4 vjet. Gjithashtu, janë siguruar për 100 punësime të reja mjetet, pastaj fuqizimi i inspektoratit shëndetësor, inspektoratit farmaceutik”.

“Kosova i ka 18 milionë euro për barna, dhe ka rreth 2 milionë banorë, derisa Sllovenia për shembull ka numrin e njëjtë të banorëve dhe i ka 500 milionë euro, atëherë nuk ka çka të flitet për furnizimin me barna. Kaq janë mundësitë”
, shprehet Agani.

Edhe Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se sistemi shëndetësor nuk është reformuar fare këtë vit. Ai përmend miratimin e Ligjit për shëndetësi, si një ligj diskriminues, gjë që, sipas tij, nuk është dashur të miratohej.
Është një ligj, i cili bën favorizimin në baza etnike, favorizon komunat serbe duke u dhënë kompetenca më tepër sesa që ka vetë Ministria e Shëndetësisë...

“Jo nuk është reformuar sistemi shëndetësor, sepse edhe Ligji për shëndetësi që është miratuar, ka një përmbajtje diskriminuese duke ua pamundësuar që pas orarit të punës të punojnë si të duan dhe ku të duan. Pastaj, është një ligj, i cili bën favorizimin në baza etnike, favorizon komunat serbe duke u dhënë kompetenca më tepër sesa që ka vetë Ministria e Shëndetësisë dhe mendoj se ky ligj ka përmbajtje diskriminuese dhe si i tillë nuk është dashur të kalojë në Kuvend, dhe mendoj se ky duhet të kthehet mbrapa”, vlerëson Shala.

Por, ministri Ferid Agani e ka një shpjegim të vetin lidhur me miratimin e Ligjit për shëndetësi:

“Është e qartë se në mesin e disa njerëzve, në kokat e tyre ka mosbesim dhe mungesë të një shprese që diçka do të ndryshojë që është rezultat i dështimeve të njëpasnjëshme që ka pasur shëndetësia vitet paraprake. Unë do të mundohem që ne, me sukses, ta zbatojmë Ligjin e shëndetësisë”.

“Reforma është një proces i ndryshimeve të dhimbshme në nivele të ndryshme të shëndetësisë, por ne kemi fat që kemi një proces të reformës të dizajnuar në atë mënyrë që i plotëson kriteret ndërkombëtare, nevojat e vendit dhe ka mbështetjen e FMN-së dhe Bankës Botërore”.


Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Agani gjithashtu përmend edhe disa të arritura gjatë këtij viti, e që, sipas tij kanë ndikuar në reformimin e sistemit shëndetësor.

“Ajo që është me rëndësi është edhe kthimi i besimit të donatorëve, kemi arritur marrëveshje me donatorë të mëdhenj. Sivjet kemi pasur 7 milionë euro donacione vetëm nga projekti ‘HOPE’, gjithashtu fondi global ka vazhduar ndihmën”, shton Agani.

Si rezultat i parë i kësaj reforme, Agani thotë se është edhe rritja prej 21.5 për qind e buxhetit për shëndetësinë për vitin 2013, i cili prej 88 milionë eurosh sa ishte për 2012, në vitin 2013 do të jetë rreth 107 milionë euro.
XS
SM
MD
LG