Ndërlidhjet

Obama: Koha për të shmangur rrezikun e "tatëpjetës fiskale"


Ilustrim
Ilustrim
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Brack Obama, ka takuar liderët e Partisë Demokratike dhe asaj Republikane për të diskutuar rreth marrëveshjes për buxhetin e vitit 2013.

Afati i fundit për të arritur këtë marrëveshje është 31 dhjetori i këtij viti.

“Koha për veprim të menjëhershëm është tani. Vetëm edhe katër ditë, taksat e amerikanëve mund të rriten me ligj”, ka thënë Obama.

Nëse autoritetet amerikane nuk arrijnë marrëveshje për buxhetin deri në afatin e caktuar, nga 1 janari do të hyjë automatikisht në fuqi një seri e shkurtimeve të shpenzimeve dhe e rritjes së taksave në vlerë prej 600 miliardë dollarësh, që ndryshe njihet si “tatëpjetë fiskale”.

Obama ka takuar në Shtëpinë e Bardhë liderët demokratë dhe republikanë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ka thënë se është i inkurajuar për arritjen në kohë të marrëveshjes.

“Kisha një diskutim të mirë dhe konstruktiv këtu në Shtëpinë e Bardhë për atë se si të parandalojmë këtë rritje taksash për klasën e mesme. Jam optimist se do të jemi në gjendje të arrijmë në kohë marrëveshjen, të cilën mund ta miratojnë të dyja Dhomat”, ka thënë Obama.

Presidenti amerikan po ashtu ka shfaqur shpresën se kompromisi do të jetë i gatshëm për t’iu prezantuar ligjvënësve të dielën. Megjithatë, Obama ka thënë se nëse palët nuk arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët, ai do të donte së paku një marrëveshje, e cila parandalon rritjen e taksave për familjet e klasës së mesme.

Ai ka kujtuar ligjvënësit se janë me miliona njerëz që mbështeten mbi ta, për të kryer punën, për të cilën janë zgjedhur.

“Të sigurohemi se familjet e klasës së mesme, ekonomia amerikane dhe, në fakt, ekonomia botërore nuk ndikohen negativisht, sepse njerëzit nuk mund ta bëjnë punën e tyre”, ka thënë Obama.

Ekonomistët kanë paralajmëruar se “tatëpjeta fiskale” mund t’i çojë Shtetet e Bashkuara përsëri në recesion dhe të dëmtojë rëndë ekonominë globale.

Shqetësimet për të po ashtu kanë shënuar rënie të rezervave të SHBA-së, ashtu si edhe të çmimeve të naftës.

Presidenti Obama ka ndërprerë në gjysmë pushimet e Krishtlindjes, për të vazhduar përpjekjet për marrëveshjen buxhetore.(v.t.)
XS
SM
MD
LG