Ndërlidhjet

Preshevë: Lapidari mbetet, kërkohet ndërmjetësimi i Tiranës e Brukselit


Monumenti në Preshevë
Monumenti në Preshevë
Deputetët shqiptarë të komunave Bujanovc, Preshevë dhe Medvegjë, pasditën e së shtunës, e kanë miratuar Deklaratën kundër heqjes së simboleve kombëtare dhe pas diskutimeve edhe për mundësitë për tejkalimin e krizës, e cila është nxitur me ngritjen në qendër të Preshevës të përmendores për pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës.

Në mbledhjen e përbashkët të mbajtur në Preshevë, ata kanë kërkuar nga Tirana që ta ndërkombëtarizojë problemin e Luginës së Preshevës, si dhe kanë ftuar qeveritë e Serbisë dhe të Kosovës që ta shqyrtojnë zgjidhjen e problemit të Luginës së Preshevës, sipas parimeve të reciprocitetit në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton.

Në rendin e ditës të mbledhjes, e cila ka zgjatur më shumë se tri orë, ka qenë vetëm një pikë – situata e sigurisë pas kërkesave të autoriteteve të Serbisë për heqjen nga qendra e Preshevës të përmendores për pjesëtarët e rënë të UÇPMB-së.

Kryetari i komunës së Bujanovcit, Nagip Arifi, ka thënë se lidhur me këtë çështje duhet gjetur një kompromis.

"Megjithatë, unë mendoj se organet e shtetit të Serbisë duhet të gjejnë një kompromis me vetëqeverisjen lokale të Preshevës. Mendoj dhe ende shpresoj që ka mundësi që të bisedohet në këtë drejtim dhe ky problem të zgjidhet, "ka thënë Nagip Arifi.

Por ndryshe nga Arifi, Dragolub Filipoviq, deputet në përbërjen e kaluar të Kuvendit komunal të Preshevës, nuk është optimist lidhur me gjetjen e një zgjidhje kompromisi e cila do të ishte e pranueshme për të dyja palët.

"Nuk besoj se do të arrihet ndonjë kompromis, i cili do të jepte shpresë se kjo përkujtimore do të hiqet nga ky vend, çka do të krijonte kushte për një jetë të qetë të qytetarëve të Preshevës në të ardhmen“, ka vlerësuar Filipoviq.

Përmendorja për luftëtarët e rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, të cilën autoritetet në Serbi e trajtojnë si "organizatë terroriste", është ngritur me 16 nëntor të vitit të kaluar në qendër të Preshevës.

Kryeministri serb Ivica Daçiq, më herët ka dërguar porosi se Qeveria e Serbisë do ta largojë përmendoren kontestuese, në qoftë se nuk arrihet ndonjë marrëveshje me autoritetet lokale. Ai ka vlerësuar se vendosja e përmendores është e kundërligjshme dhe provokim për të gjithë serbët.

Por, Nagip Arifi, konsideron se rrëzimi i përmendores do ta rrezikojë paqen dhe sigurinë në Luginën e Preshevës, gjë që do të reflektonte edhe me pasoja katastrofale për rrethanat ekonomike të kësaj hapësire. Kjo edhe është arsyeja pse ai angazhohet për një zgjidhje kompromisi.

"Përmendore të tilla përkujtimore ekzistojnë edhe në Kosovë në enklavat ku jetojnë serbët dhe mendoj se nuk duhet që për një përmendore të ngritët kaq shumë pluhur, kur kihet parasysh se kemi probleme shumë më të mëdha, sepse njerëzit nuk kanë punësim, nuk kanë jetë të dinjitetshme dhe ne të gjithë duhet të orientohemi kah këto probleme"’, ka përfundur Arifi.(b.b)
XS
SM
MD
LG