Ndërlidhjet

Izraelitët votojnë, por gjasat për paqe mbeten të zbehta


Izrael
Izrael
Çështje kryesore e zgjedhjeve në Izrael duket se janë ekonomia dhe programi bërthamor i kontestuar i Iranit.

Pas një takimi me senatorët e Shteteve të Bashkuara në Jerusalem, javën e kaluar, kryeministri Benjamin Netanyahu, është shprehur se programi bërthamor i Iranit është “misioni kryesor” me të cilin ballafaqohet Izraeli.

Unë u takova me pesë senatorët, demokratë e republikanë, dhe u thashë atyre se problem nuk është vendbanimi hebre në Ariel dhe problem nuk është ndërtimi në Jerusalem. Problem në Lindjen e Mesme është përpjekja e Iranit për të prodhuar armatim atomik, armatimi kimik në Siri dhe radikalizmi islamik, që po përhapet në Afrikë, që rrezikon ta përfshijë gjithë rajonin”, tha Benjamin Netanyahu.

Hulumtimet e opinionit, megjithatë, tregojnë se ekonomia plasohet bile më lartë se Irani ose çështja palestineze, në mesin e shqetësimeve të votuesve. Deficiti buxhetor i vendit për vitin 2012 ishte dy herë më i lartë se sa ishte parashikuar, dhe kjo e ka shtuar mundësinë e masave të ashpra të kursimit në të ardhmen e afërt.

Hulumtimet e opinionit tregojnë se partia e qendrës së djathtë Likud-Beteinu e Netanyahut, mund të ketë 35 prej 120 vendeve në Kneset, që është parlamenti izraelit. Partia Laburiste e qendrës së majtë radhitet e dyta, dhe vlerësohet se do të ketë 16 – 18 vende në Kneset.

Partia ultranacionaliste Shtëpia Hebraike (Jewish Home) e udhëhequr nga Naftali Bennett, ishte befasi e fushatës parazgjedhore. Bennetti, 40 vjeçar, karizmatik dhe energjik, është përshkruar si “yll i ri i rokut” në politikën e Izraelit. Duke iu drejtuar votuesve të rinjë dhe atyre nga ish Bashkimi Sovjetik, ai e ka ngritur në mënyrë të konsiderueshme profilin e partisë së tij.

Parashihet që kjo parti t’i fitoj 12 ulëse, kështu që ky do të ishte kërcim i madh, nga tri vende në Parlament, sa i ka aktualisht kjo parti.

Shtimi i numrit të anëtarëve nga partia e Bennettit në parlament mund t’i komplikoj perspektivat për progres në raport me palestinezët. Ai është pritur me brohoritje gjatë fushatës kur ka thënë se do të bëjë çdo gjë të mundshme për ta parandaluar paraqitjen e shtetit palestinez “brenda Tokës së Izraelit”.

Nëse Shtëpia Hebraike, e arrin këtë ngritje, ashtu siç parashohin hulumtimet e opinionit, atëher lideri i saj Bennett mund të jetë partner esencial i koalicionit të Netanyahut dhe mund të këmbëngul në një post të profilit të lartë në kabinet. Kjo mund të paraqes pengesë serioze për çfarëdo lëvizjeje për rifillimin e procesit të paqes me palestinezët, që është ndalur tash sa kohë.

Raphael Israeli, profesor në Universitetin Hebraik në Jerusalem, thotë se megjithëqë kryeministri Netanyahu, tha se e mbështet zgjidhjen me dy shtete për çështjen palestineze, ngritja e partive të djathta mund t’i bëjë pothuajse të pamundshme negociatat me palestinezët në këtë bazë.

Ish shefi i ekipit negociator të palestinezëve në bisedimet me Izraelin, Saeb Erakat, është pesimist se zgjedhjet në Izrael do ta avancojnë procesin paqësor.

Qeveria aktuale e ka zgjedhur diktatin e jo negociatat, vendbanimet e jo paqen. Prandaj, çfarëdo koalicioni i ardhshëm qeverisës, pas zgjedhjeve, që do ta vazhdoj rrugën e diktatit dhe vendbanimeve, do të nënkuptoj shkatërrim të zgjidhjes me dy shtete. Ne shpresojmë se populli i Izraelit do ta zgjedhë paqen. Por, duke e thënë këtë, ne me të vërtetë dëshirojmë të arrijmë paqe me Izraelit dhe jo me këtë ose atë parti në Izrael”, tha Saeb Erakat.

Të ballafaquar me shqetësimet ditore për problemet ekonomike dhe konfliktin potencial me Iranin, votuesit izraelitë i kanë dhënë pak rëndësi çështjes së vështirë palestineze, thotë Ido Zelkovitz, ligjërues në Universitetin e Haifës.

“Opinioni izraelit është shumë i lodhur nga çështja palestineze. Nëse i shikoni opinionet publike, një mesin e izraelitëve ekziston një vetëdije se nuk ka zgjidhje tjetër pos asaj me dy shtete. Mendoj se shumica e izraelitëve dëshiron të shkurorëzohet nga palestinezët. Por, në anën tjetër, ekziston edhe ndjenja se ata janë të pakënaqur me partnerët palestinezë dhe, në masë të madhe, ekziston mungesë e besimit ndaj palestinezëve. Pra, kjo është arsyeja përse çështja palestineze nuk e ka vendin kryesor në fushatën izraelite”, thotë Ido Zelkovitz.

Palestinezët, gjithashtu, nuk i shikojnë zgjedhjet izraelite me shpresë, thotë Daoud Kuttab, profesor i gazetarisë në Shtetet e Bashkuara, i cili e ka vëzhguar fushatën nga Bregu Perëndimor.

Ekziston shumë apati për zgjedhjet izraelite. Palestinezët realisht nuk e shohin asnjë dallim ndërmjet partive të ndryshme. Në fakt, shumica e partive udhëheqëse as që kanë platformë për paqe. Ata as që e shqyrtojnë këtë çështje. Ata vetëm i shqyrtojnë çështjet sociale dhe ekonomike. Natyrisht, partitë kryesore janë ato të të krahut të djathtë, partitë Sioniste, që e mbështesin ndonjë formë të vazhdimit të okupimit të Palestinës”, thotë Daoud Kuttab. (f. b.)
XS
SM
MD
LG