Ndërlidhjet

Marrëveshjet s’mund të zbatohen pa shuarjen e strukturave paralele


Marrëveshjet në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të zbatohen përderisa palët të mos i hapin për diskutim dhe zgjidhin çështjet më të ndjeshme politike, thonë analistë politik dhe ekspertë të çështjeve të sigurisë, në Prishtinë.

Bllokimi i rrugëve në komunat veriore për policët dhe doganierët kosovarë që transportohen nga misioni i EULEX-it për në pikat 1 dhe 31 në vendkalimet kufitare me Serbinë, janë vetëm një prej instrumenteve që strukturat paralele serbe përdorin për të penguar zbatimin e këtyre marrëveshjeve.

Agim Musliu, ekspert i çështjeve të sigurisë thotë se marrëveshjet, sidomos ajo për Menaxhim të Integruar të Kufirit, e njohur si IBM, nuk mund të zbatohen me gjendjen faktike në terren.

Forma e arritjes së marrëveshjeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian pa e obliguar palën serbe për zbatimin e tyre i konvenon shtetit serb vetëm sa për të blerë kohë, thotë Musliu.

Palën e Serbisë nuk e obligon asgjë që t’i zbaton këto marrëveshje sa i përket veriut të Kosovës, sidomos asaj IBM. Kjo do të thotë që Serbia do të blej kohë sa më gjatë që të jetë e mundur për të përfituar në tavolinën e bisedimeve dhe përfitimet e veta të brendshme për ekonominë e Serbisë dhe ringjalljen e saj”, thotë Musliu.

Ndërkohë, analisti politik, Ismail Hasani, thotë se nuk mund të zbatohen marrëveshjet që po arrihen në Bruksel, përderisa Kosova dhe Serbia të mos i zgjidhin çështjet më të ndjeshme politike.

Tensionet e vazhdueshme në veri si dhe zhvillimet e fundit në Luginë të Preshevës, veçohen si dy nga këto çështje. Aktualisht ai e sheh procesin e negociatave që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherina Ashton, si një proces që qon kah hapja e temave kryesore politike.

EULEX-i duhet të jetë i përfshirë në përmasa më të mëdha e të njëjtën kohë edhe kontingjentet e KFOR-it që kanë dëshmuar një devotshmëri se kanë gatishmëri për të tejkaluar situatën kur kemi acarime apo situata kur ka konfrontime në pikat doganore”, thekson Hasani.

Pas takimit të fundit të zhvilluar ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, kreu i ekzekutivit të Kosovës kishte deklaruar se Beogradi është zotuar t’i shuajë strukturat paralele që ka ngritur në veri.

Mirëpo, sot policët dhe doganierët kosovar hasën pikërisht në pengesa nga këto struktura që të transportohen në vendkalimin kufitar në Bërnjak, pasi që serbët lokal atje kishin bllokuar rrugën magjistrale.

Agim Musliu thotë se nuk mund të pretendohet në zbatimin e marrëveshjeve, sidomos në pjesën veriore, pa vendosjen e rendit dhe ligjit duke i larguar përfundimisht barrikadat e bllokadat e rrugëve dhe duke u pamundësuar funksionimin strukturave të sigurisë së Serbisë që funksionojnë këtë pjesë të Kosovës.

Është dashur që në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in dhe me një diplomaci shumë më agresive në BE dhe me një presion mbi Beogradin, këto barrikada të largohen dhe ato struktura, që do t’i quaja legale të Serbisë të sigurisë, ushtrisë, policisë dhe shërbimit sekret që veprojnë atje, që të largohen sa më shpejt dhe që përgjegjësit apo kriminelët të vihen para drejtësisë”, thotë Musliu.

Kosova dhe Serbia janë përfshi në një proces dialogu që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian e që si qëllim ka normalizimin e marrëdhënieve dhe vendosjen e një bashkëpunimi, qoftë edhe minimal.

Por, marrëveshjet që janë arritur deri më tani në tavolinën e bisedimeve, përveç zotimit të palëve nuk kanë ndonjë mekanizëm që garanton zbatimin e tyre në praktikë. Një formë e tillë e dialogut, sipas analistëve, ka sjellë si rezultat një nivel fare të ulët të zbatimit të rezultateve apo konkluzioneve të këtyre bisedimeve.
XS
SM
MD
LG