Ndërlidhjet

Zgjedhjet shkaktojnë ngecje në rritjen ekonomike


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Prodhimi vendor në Maqedoni, vitin e kaluar shënoi ulje për më shumë se 6 për qind, derisa Qeveria e Maqedonisë për këtë vit planifikon rritje ekonomike mbi dy për qind.

Por, ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se gjatë viteve kur në vend janë realizuar zgjedhje, asnjëherë ekonomia nuk ka shënuar trend pozitiv.

Qeveria e Maqedonisë planifikon që rritja e Bruto-Prodhimit Vendor (BPV) për këtë vit të arrijë shkallën prej më shumë se 2 për qind, bazuar në veprimtarinë e disa sektorëve të ekonomisë së vendit.

Sipas Qeverisë, dominues do të jetë ndikimi i ndërtimtarisë, me intensifikimin e investimeve në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, si dhe atë të energjetikës. Po sipas autoriteteve të Qeverisë, impuls pozitiv pritet të japë dhe realizimi i investimeve të drejtpërdrejta të huaja në zonat zhvillimore industriale.

Mirëpo, ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se 2013-ta do të sjellë ditët më të vështira në planin ekonomik si pasojë e krizës së përgjithshme ekonomike, e cila këtë vit pritet të reflektohet në Maqedoni.

Reshat Nagavci nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, vlerëson se viti 2013 do të ketë implikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e Maqedonisë, si pasojë e krizës botërore, gjegjësisht asaj evropiane, efektet e së cilës Maqedonia deri më tani nuk i ka ndier në përmasa më të mëdha.

“Ky vit është vit ku do të ndihet dukshëm ndikimi i krizave, me të cilat përballen shtetet evropiane, sidomos në pjesën perëndimore të BE-së. Sa i përket parashikimit për rritje ekonomike të BPV, për mbi 2 për qind, unë dua të përkujtoj faktin se Banka Botërore ka paraparë rritje ekonomike prej vetëm një për qind, që është shumë më reale”, vlerëson Nagavci.

Ai shton se praktika e deritashme ka dëshmuar se gjatë viteve kur janë realizuar zgjedhjet në Maqedoni, ka pasur ngecje të zhvillimit ekonomik, sepse orientimi i politikave qeveritare në fokus ka vendosur zgjedhjet dhe krijimin e imazhit pozitiv kundrejt elektoratit.

“Tek pas muajit prill, faktikisht pasi të përfundojë procesi zgjedhor, mund të shpresojmë se Qeveria mund të mendojë të ndërmarrë ndonjë aktivitet për të përkrahur biznesin e vogël dhe atë të mesëm për zhvillimin e ekonomisë në këtë periudhë”, thekson Nagavci.

Ndërkaq, Qeveria e Maqedonisë vlerëson se masat e ndërmarra në fund të vitit të kaluar, do të ndikojnë në nxitjen e prodhimit për eksport të mallrave të ndryshme , njëkohësisht edhe në uljen e importit.

Si parametër shpresëdhënës, qeveria numëron dhe subvencionet e vazhdueshme për bujqësinë dhe angazhimin për realizimin e politikave që prodhimet vendore të dalin në tregjet evropiane.

Por, ish-ministri i Financave, Nikolla Popovski, ka mendim diametralisht të kundërt nga këto pritje. Sipas tij, Maqedonia nga viti 2008 ka shënuar trend negativ për 15 për qind, kështu që, siç thekson ai, edhe nëse realizohet projeksioni i qeverisë për rritje ekonomike prej 2 për qind - për çka ka shumë dyshime - efektin nuk do ta ndjejnë qytetarët, sepse ata tashmë jetojnë në kufijtë e ekzistencës.

"Rritja e Bruto-Prodhimit Vendor për 2 për qind, nuk do të thotë absolutisht asgjë përderisa prodhimi vendor ka shënuar rënie për çdo vit nga 2 deri në shtatë për qind, pra me këtë trend nuk mund të kthehet gjendja e vitit të fundit, e jo më të priten rezultate pozitive”, thotë Popovski.

Edhe eksperti i ekonomisë, Vlladimir Gligorov, nga Instituti Ekonomik i Vjenës vlerëson se projeksioni për rritje ekonomike prej 2 për qind për Maqedoninë është vështirë i realizueshëm ngase varet nga më shumë faktorë.

“Projeksioni mbase nuk mund të them se është dhe aq real, sepse parashihet që ekonomia evropiane të mëkëmbet dhe njëkohësisht kjo të ndikojë pozitivisht në eksportin e prodhimeve maqedonase, në përgjithësi, që për momentin është shumë e paqartë. Prandaj, mendoj se nuk mund të shpresohet shumë në këtë drejtim”, konsideron Gligorov.
XS
SM
MD
LG