Ndërlidhjet

Shqipëri: Partitë e reja, turbullojnë ujërat në politikë


Ilustrim
Ilustrim
Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuq e Zi janë dy formacione të reja politike që do të testojnë mbështetjen popullore në zgjedhjet e 23 qershorit.

Prej daljes së tyre në skenë, ato i kanë turbulluar jo pak ujërat në politike. E para lindi si një fraksion i Partisë Demokratike. Dikur ish-nënkryetar i selisë blu, sot kryetar i FRD-së, Bamir Topi, betejën politike e ka dhe me ish-partinë e tij, si me të gjitha, që nuk e nxorën Shqipërinë nga tranzicioni.

“E perifrazuar ndryshe do të ishte 'stop tranzicionit, të bëjmë shtetin'. Brenda kësaj ka një program shumë ambicioz, por shumë realist që bazohet në akumulimin e të gjitha kërkesave dhe vërejtjeve që kanë qytetarët”, thotë Topi.

Aleanca Kuq e Zi u shqua, sepse luajti me një kartë, jo shumë të rrokur politikisht, atë të nacionalizmit. Kryetari Kreshnik Spahiu thotë se kjo, nuk ishte një zgjedhje aspak elektorale:

“Aleanca Kuq e Zi kurrë nuk ka në synimin e vet pushtetin, që të përdorë kauzën patriotike për të siguruar sa më shumë vota, përkundrazi! Ne gjykojmë që kauza patriotike apo e bashkimit kombëtar, në disa raste i shkakton rrjedhje votash Aleancës Kuq e Zi, qoftë sa i përket përkrahjes ndërkombëtare, qoftë sa i përket votave të elektoratit shqiptar”.

Me afrimin e datës së zgjedhjeve, partitë bëjnë kalkulimet e tyre politike. Kjo ndodh në një terren edhe më të vështirë, për shkak edhe të sistemit zgjedhor të ndryshuar në vitin 2008, i cili në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare 2009, la jashtë Kuvendit pjesën dërrmuese të partive të vogla. Bamir Topi pranon se sistemi është një rrezik potencial.

Bamir Topi
Bamir Topi
“Që sistemi zgjedhor është totalisht i papranueshëm, këtë unë e kam konstatuar dhe denoncuar dhe si ish-kryetar shteti. Unë mendoj se do të hyjmë në këto zgjedhje pa asnjë lloj paragjykimi, pavarësisht nëse kodi ofron një mundësi më shumë ose më pak, sepse kontakti me qytetarin dhe vota e tyre, është ajo që do të përcaktojë performancën e çdo partie politike”, thekson Topi.

Aleanca Kuq e Zi e ka marrë më me “sportivitet” çështjen e sistemit.

“Në diferencë nga të gjitha partitë e vogla, është shumë lart dhe dihet se andej nga do të orientohet Aleanca Kuq e Zi, andej do të ndërtohet edhe pushteti”, shprehet Spahiu.

Kreshnik Spahiu thotë se ka bërë dhe bilancin e mundshëm për partinë e tij, në përfundim të zgjedhjeve.

“Nëse zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme, nëse votat e shqiptarëve do të numërohen, Aleanca Kuq e Zi pretendon që në disa qytete të Shqipërisë të jetë forcë e parë politike. Sigurisht që në zgjedhjet e 2013-s asnjë parti politike nuk mund të fitojë 71 deputetë, gjë e cila nënkupton që Aleanca Kuq e Zi edhe në rastin më të keq nëse do të jetë në kuotat e 15-17 për qind, do të jetë forca, e cila ndërton qeverinë dhe do të drejtojë qeverinë e ardhshme Kuq e Zi”, shpjegon Spahiu.

Për Frymën e Re Demokratike, bilancet janë kurthe ku bien të frikësuarit, ndaj dhe Bamir Topi nuk jep asnjë shifër për rezultatin e parashikuar të partisë së tij në zgjedhje:

“Deri në fund ju nuk do të dëgjoni asnjë lloj shifre nga ana jonë, sepse ata që hedhin shifra, tregojnë se kanë një lloj fobie ndaj pasigurisë që kanë për ditën e zgjedhjeve. Ne ecim me këmbë në tokë, kemi kontaktet tona, kemi informacionet tona, por ju siguroj për diçka që performanca e Frymës së Re Demokratike, kur ende nuk është mbushur një vit, nga krijimi i saj, ecën sipas parashikimit".

Koalicionet e mundshme

Drejtuesit e të dyja partive nuk kanë vendosur ende se me cilën apo cilat parti do të bashkëpunojnë për zgjedhjet. Por , Topi thotë se e di me cilat parti, Fryma e Re Demokratike, nuk duhet të bashkëpunojë.

"Ne përjashtojmë koalicionin me Partinë Socialiste, sepse nuk kemi asnjë lloj përputhshmërie ideologjike me këtë parti. Por, nuk futemi në koalicion as me Partinë Demokratike, pasi qartazi na ka ndarë morali i politikës së qeverisjes, sepse po të ishte ndryshe, nuk kishte pse të ishim në një formacion të ri politik. Pastaj të gjitha të tjerat janë gjithmonë të mundshme, por brenda të mundurës ju siguroj që do të jemi shumë të kujdesshëm për të ruajtur profilin si një parti e qendrës së djathtë", deklaron Topi.

Aleanca Kuq e Zi, siç thotë Kreshnik Spahiu, ka disa kushte për bashkëpunimin me partitë e tjera - pranimin prej tyre të programit të kësaj force politike.E, nga bashkëpunimi përjashtohet Partia Demokratike.

Protestë e Aleancës Kuq e Zi në Aeroportin e Tiranës kundër vizitës së ministrit të Jashtëm serb në Shqipëri, Ivan Mrkiq, 22 dhjetor 2012.
Protestë e Aleancës Kuq e Zi në Aeroportin e Tiranës kundër vizitës së ministrit të Jashtëm serb në Shqipëri, Ivan Mrkiq, 22 dhjetor 2012.
“Kush pranon parimet dhe programin e Aleancës Kuq e Zi, së pari, dhe së dyti, cila taktikë elektorale na garanton numrin më të lartë të deputetëve brenda në Kuvendin e Shqipërisë. Bashkëpunimi gjithmonë lidhet me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për t’i garantuar Aleancës Kuq e Zi komisionarë për të numëruar votat e veta. Kjo nënkupton që ne jemi përgatitur të shkojmë të vetëm në zgjedhje", shprehet Spahiu.

Kur mbeten dhe pak muaj nga zgjedhjet, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules foli në media për një pol të tretë politik - një grupim partish të vogla në përpjekje për të ulur peshën specifike të dy partive të mëdha. Por deri tani, asnjë parti nuk ka shfaqur ambicien t’i bashkohet këtij formacioni.

Bamir Topi e lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit në këtë kuadër, por nëse ky pol do të ekzistojë vërtet:

“Ne kemi aq eksperiencë në politikë sa mos të intrigohemi nga sajesa të ditës, ku secili mundohet të quajë për fakt të kryer atë që s’ekziston. Por, gjithsesi nëse gjithçka do të shkojë edhe në interes të opsionit tonë politik, gjithçka është e mundur, por gjithnjë mbi bazën e disa parimeve të forta që ne i qëndrojmë me konsekuencë".

Ndryshe Kreshnik Spahiu, e sheh atë si produkt të një lojë politike për të vjelë vota në favor të koalicionit aktual qeverisës:

"Shqiptarët duhet të kuptojnë që kjo është një lojë për të spostuar vëmendjen e publikut. Kur populli nuk ha bukë, mediat e Berishës shpikin polin e tretë.
Shqiptarët duhet të kuptojnë që ky është një koalicion tradhtarësh, dhe i ndarë në dy apo tre pole, apo të gjithë së bashku vota shkon për llogari të një njeriu. Shqiptarët duhet t’i ndëshkojnë këta tradhtarë, pavarësisht sesi i ndajnë bluzat apo polet, me mosdhënien e votës dhe largimin nga skena politike dhe nga Kuvendi i Shqipërisë, pas katër muajsh".
XS
SM
MD
LG