Ndërlidhjet

Thaçi: Deklaratat e Nikolliqit, gënjeshtra të kulluara


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi
Qeveria e Kosovës pret sqarime nga Bashkimi Evropian në lidhje me deklaratat e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, të bëra të hënën në Bruksel, sipas të cilit, zgjidhja për asociacionin e komunave serbe është arritur dhe se ajo nuk do të jetë në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

Gjatë një raportimi para Kuvendit të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi tha se deklarata e Nikolliqit e bërë pas takimit të kreut të shtetit serb me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, është e pavërtetë, pasi që Prishtina nuk ka lëshuar pe në lidhje me kompetencat e Asociacionit të komunave serbe.
“Deklarata e mbrëmshme e presidentit të Serbisë Nikolliq, përveç që tregon një papjekuri të madhe politike nga ana e tij, po ashtu është krejtësisht e pavërtetë, pra një gënjeshtër e kulluar

“Deklarata e mbrëmshme e presidentit të Serbisë Nikolliq, përveç që tregon një papjekuri të madhe politike nga ana e tij, po ashtu është krejtësisht e pavërtetë, pra një gënjeshtër e kulluar, tradicionale e politikës së Beogradit. Ju e dini që ata humbjet i shpallin vazhdimisht fitore prej betejës së Kosovës, Rambujesë, marrëveshjes së Kumanovës... Aq sa është e vërtetë deklarata e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1999 për luftën në Kosovë, po aq është e vërtetë tash deklarata e Nikolliqit”, tha Thaçi.


Këto komente, Thaçi i bëri gjatë një raportimi para deputetëve në lidhje me takimin e tij të fundit me homologun serb Ivica Daçiq, të mbajtur në Bruksel më 4 mars. Për herë të parë, Thaçi foli edhe për kompetencat e këtij asociacioni pas shumë polemikave dhe dilemave të paraqitura në skenën politike në Prishtinë.

“Asociacioni i komunave serbe mund të emërojë një përfaqësues të vet për anëtarin e bordit zhvillimor për veriun e Kosovës, i cili do të jetë i përkohshëm. Mund të emërojë një përfaqësues të vetin për këshillin presidencial konsultativ për komunitete. Mund të mbajë kontakte apo të krijojë partneritete me asociacionet e ngjashme në Serbi dhe vende tjera".

"Mund të koordinojë ndihmën financiare që Serbia i dedikon për komunat me shumicë serbe në Kosovë, të cilat duhet të jenë transparente dhe brenda kompetencave të komunave. Mund të aplikojë për fonde të Bashkimit Evropian dhe mund të grumbullojë fonde tjera për nevoja të projekteve infrastrukturore në nivel të komunave e tjera”, sqaroi Thaçi.

Kryeministri Thaçi përsëriti sërish se propozimi i Beogradit që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive e legjislative, nuk do të pranohet. Kosova nuk do të ketë një Republikë Serbe përbrenda saj, theksoi Thaçi. Ndërkaq siguroi edhe njëherë deputetët se ky organ do të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Në kuadër të debatit parlamentar, Ismet Beqiri, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se me këtë asociacion, po punohet kundër politikave integruese të komunitetit serb.

Ismet Beqiri
Ismet Beqiri
“Ne e shohim që me këtë asociacion punojmë kundër integrimit të komunitetit serb, sepse tash vjen koha që ata ta bëjnë një asociacion të ndarë, të mblidhen bashkë dhe punojnë ndaras nga asociacioni që e kemi aktualisht. Do të thotë, kjo është kundër politikës sonë integruese”, u shpreh Beqiri.

Sikurse dhe herëve tjera, Lëvizja Vetëvendosje doli kundër dialogut dhe mënyrës se si po mëtohet të zgjidhen çështjet në veri të Kosovës. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ftoi edhe Bashkimin Evropian që të heqë dorë nga ky lloj i dialogut.

“Bashkimi Evropian po i bashkon kriminelët e luftës në Serbi me kriminelët e korrupsionit në Kosovë për të vendosur për fatin e Kosovës dhe popullit të saj. Këta vetëm sa po e amnistojnë njëri-tjetrin. Brukseli dhe faktorët e ndryshëm ndërkombëtarë po amnistojnë ata dhe tash përfliten amnisti të reja ndaj kriminelëve serbë në veri”, tha Kurti.

Po në funksion të procesit të bisedimeve me Serbinë, kryeministri Thaçi i njoftoi deputetët edhe me një pjesë të agjendës së vizitës së baroneshës Ashton të enjten në Prishtinë.

Thaçi tha se Ashton synon t’i takojë edhe liderët e partive opozitare, andaj u bëri thirrje atyre që të marrin pjesë në takim, në mënyrë që t’i adresojnë drejtpërdrejt shqetësimet e tyre eventuale në lidhje me procesin e bisedimeve me Serbinë, të cilin po e udhëheq pikërisht zonja Ashton.
XS
SM
MD
LG