Ndërlidhjet

Komisioni i OKB-së miraton deklaratë kundër dhunës ndaj grave


Marsh i studenteve në New Delhi në dhjetor, pas përdhunimit dhe vrasjes së një vajze ë autobus.
Marsh i studenteve në New Delhi në dhjetor, pas përdhunimit dhe vrasjes së një vajze ë autobus.
Vendet myslimane dhe të Perëndimit kanë miratuar një deklaratë të re të Kombeve të Bashkuara, e cila ka për qëllim të luftojë dhunën kundër grave dhe vajzave.

Deklarata jodetyruese, e miratuar me konsensus nga Komisioni i OKB-së për Statusin e Grave, thotë se dhuna ndaj grave nuk mund të justifikohet apo injorohet nga “asnjë traditë, zakon apo faktor fetar”.

Deklarata po ashtu u bën thirrje vendeve që t’iu sigurojnë vajzave dhe gave edukim seksual dhe kontraceptivë.

Deklarata është miratuar me gjithë rezervat nga Kisha Katolike Romake, Irani, Rusia dhe disa shtete të tjera.

Egjipti, ku Vëllazëria Myslimane ka fuqi dominuese politike, ka thënë se deklarata “do të shkatërrojë shoqërinë”.

Mbrojtësit e të drejtave të grave thonë se dokumenti përbën një precedent të rëndësishëm në përpjekjet për të siguruar të drejtat globale për gratë.

Në negociata kanë marrë pjesë rreth 190 vende.

Shannon Kowalski, drejtore e politikave në Koalicionin Ndërkombëtar për Shëndetin e Grave, me seli në Nju Jork, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se teksti i miratuar është “ambicioz”.

“Është një tekst i mirë, ambicioz, i cili merr qëndrim të fortë në adresimin e dhunës kundër grave dhe vajzave. Jemi shumë të lumtur me miratimin e tij”, ka thënë Koëalski.

Diplomatë të ndryshëm i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se Irani, Rusia dhe Vatikani, ashtu si edhe disa vende të Afrikës dhe Lindjes së Mesme, kanë bërë thirrje për ndryshimin e disa pjesëve në draftin e tekstit, duke cituar arsyet tradicionale dhe fetare.

Një diplomat i OKB-së, i cili ka dashur të mbetet anonim, ka thënë se çështjet e diskutueshme kanë përfshirë të drejtat e homoseksualëve, edukimin seksual për adoleshentët, qasjen në kontraceptivë dhe abort dhe dhunimin martesor.

Kowalski ka thënë se mbështetësit e të drejtave do të donin të shihnin brenda deklaratës së miratuar edhe nenin, sipas të cilit, gratë do të ishin në gjendje të paraqesin akuzë dhunimi ndaj burrave të tyre.

Teksti i miratuar, megjithatë, u bën thirrje qeverive që të sigurojnë kontracepsion urgjent për gratë që janë dhunuar. Ai po ashtu kërkon qasje në trajtimin e sëmundjeve të transmetuara seksualisht.

Një kërkesë shtesë nga Egjipti dhe disa vende të tjera ka qenë klauzola, e cila u lejon shteteve “të refuzojnë” nenet, nëse teksti bie në konflikt me praktikat tradicionale.

Kritikët kanë thënë se një gjë e tillë do ta bënte dokumentin të padobishëm.

Koëalski ka thënë se teksti i miratuar përfshin klauzolën, e cila u bën thirrje shteteve që të mos përdorin arsyet kulturore dhe fetare për të injoruar dhunën kundër grave.

“Është një deklaratë e fuqishme, e cila thotë se shtetet janë të obliguara të dënojnë dhe t’i përgjigjen dhunës dhe se nuk duhet të abuzojnë me kulturën, traditën apo fenë në këtë drejtim”, ka thënë Kowalski.

Mbështetësit thonë se edhe pse deklarata është jodetyruese, ajo gjithsesi bart peshë politike.

Radhika Balakrishnan, drejtore ekzekutive në Qendrën për Lidershipin Global të Grave, ka akuzuar Rusinë se ka përdorur debatin për të forcuar ndikimin e saj politik ndërkombëtar.

Egjipti po ashtu ka shkaktuar zemërim te grupet e shoqërisë civile me një deklaratë të Vëllazërisë Myslimane, e cila thotë se teksti i miratuar do të shkatërrojë shoqërinë e Egjiptit, duke iu dhënë grave të drejtën për të menaxhuar me financat e familjes ose për të udhëtuar pa lejen e burrit.(v.t.)
XS
SM
MD
LG