Ndërlidhjet

Kuvendi zmbrapset nga rasti Kiçina


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, u zmbrapsën të martën nga nisma e tyre për të ngritur një komision ad-hoc për hetimin e shkeljeve eventuale procedurale në rastin Kiçina.

Vetë Partia Demokratike e Kosovës, së cilës i takon propozuesi i kësaj nisme Ramiz Lladrovci, bëri të ditur se po tërhiqet nga qëllimi i propozuesit për të kërkuar një hetim të tillë parlamentar, me arsyetimin se debati i kaluar në Kuvend, ishte i mjaftueshëm.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci tha shkurt se dyshimet e ngritura, janë të gjitha të evidentuara në transkriptin e seancës së kaluar, andaj kërkoi që në vend të krijimit të këtij komisioni, të hidhet në votim që institucioneve gjyqësore t’iu dërgohet transkripti i seancës së kaluar për konsideratë.

Ne kemi dëgjuar me vëmendje debatin që është zhvilluar këtu. Është diskutuar e debatuar gjerë e gjatë për një çështje tepër të ndjeshme. Nga diskutimet rezulton se janë konstatuar apo janë ngrit disa dyshime për rrjedhën e procesit gjyqësor, andaj ne propozojmë që proces verbali i këtij debati, t’iu dërgohet institucioneve përkatëse, nga të cilat kërkojmë që të bëjnë vlerësimin dhe të sjellin përfundimin e duhur, rreth këtij procesi gjyqësor”, tha Grabovci.

Ditë më parë, presidentja e shtetit Atifete Jahjaga, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe diplomatët e akredituar në Prishtinë, tërhoqën vërejtjen se vetë debati i së premtes në Kuvend, paraqet ndërhyrje në punën e gjyqësorit.

Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, vendosi që prapë të mbetet jashtë këtij debati.

Arben Gashi, shpjegoi sërish arsyet e këtij vendimi.

Grupi Parlamentar i LDK-së, e ka thënë edhe herën e kaluar dhe e përsërit sot, se diskutimi i rasteve individuale, të vendimmarrjes së gjykatave, është në kundërshtim me Kushtetutënm, dhe me ndarjen e pushteteve. Prandaj, mendoj se ne nuk është dashur të merremi me këtë çështje dhe nuk duhet të merremi as sot”, tha Gashi.

Mirëpo LDK-ja ishte e vetme në këtë kundërshtim, dhe interpretim për mosndërhyrje në gjyqësorin.

Tetëdhjetekatër deputetë nga 120 sa ka parlamenti, kanë votuar të premten e kaluar, për krijimin e një komisioni ad-hoc hetimor për të shqyrtuar shkeljet eventuale të të drejtave të njeriut dhe të të drejtave civile të katër të dënuarve në rastin Kiçina, vëllezërve Arben dhe Jeton Kiçina, si dhe Arsim dhe Burim Ramadani, të cilët po vuajnë dënimin prej 106 vjetësh burgim për vrasjen e një familjeje pesë anëtarëshe, në fshatin Baicë të Drenasit në vitin 2001.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Visar Ymeri tha lëvizja qëndron prapa nënshkrimeve të veta, dhe kërkoi që komisioni të krijohet, meqë nuk konsideron se propozimi i ri i PDK-së për dërgim të proces-verbalit, korrespondon me atë që u debatua të premten në Kuvend.

Pra proces verbali, dhe transkriptat e seancës, le t’i dërgohen institucioneve, nuk kemi asgjë kundër. Mirëpo, kërkojmë që të votohet komisioni dhe të formohet komisioni, sipas mendimit tonë. Për shkak se është i domosdoshëm që ta përmbyllim këtë debat dhe këtë rast,” tha Ymeri.

Kurse, Daut Haradinaj në emër të grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, vendosi që sido të jetë, të përkrah PDK-në, për rastin Kiçina. Sqaroi se mbështetja e AAK-së për këtë temë, nuk kishte për qëllim ndërhyrjen në gjyqësor.

Ne fillimisht kur i kemi dhënë nënshkrimet kemi menduar në krijimin e komisionit ad-hoc. Por meqenëse ftuesi i debatit, ose në këtë rast shefi i GP e ka një ide tjetër, ne do ta mbështesim. Por parimisht, nuk ka qenë qëllimi dhe tendenca me ndërhy në drejtësi, aq më tepër kur po dëgjojmë llafe, që ka pas raste edhe shumë më flagrante që janë përmend edhe raste të caktuara, edhe nga niveli lokal edhe nuk ka qenë ndërhyrje në drejtësi".

"Ndërsa na në qoftë se i mbrojmë të drejtat e njeriut, qenka ndërhyrje në drejtësi! Sidoqoftë, ne do t’i japim mbështetje thirrësit të seancës, cilëndo që e hedh në votim,” tha Haradinaj.

Në fund kuvendi votoi për propozimin e ri të PDK-së, dhe doli se 39 ligjvënës ishin pro, 8 kundër dhe 8 abstenime, që parlamenti të mos merret me rastin Kiçina, më shumë sesa e bëri të premten e kaluar.
XS
SM
MD
LG