Ndërlidhjet

Politika armike e biznesit


Ilustrim
Ilustrim
Politika po pengon zhvillimin ekonomik dhe kjo po i kushton shumë vendit, konkretisht në tërheqjen e investitorëve të huaj, konsiderojnë ekspertë për çështje ekonomike.

Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës, thekson se ekonomia kosovare po rrëshqet gjithnjë e më tepër në ndikimet, çoftë të natyrës politike, qoftë të natyrës së ndikimeve të grupeve jo formale dhe kjo ka sjellë efekte negative në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Zhvillimi ekonomik nuk duron shumë ndërhyrje politike. Në qoftë se kemi pranuar konceptin e lirisë ekonomike, lirisë se tregut, që krijon raporte kompatibile, atëherë çdo ndërhyrje nga jashtë, qoftë e politikës se ditës, qoftë e politikave të mëdha, shihet se ka efekte negative", thotë Ramosaj, për Radion Evropa e Lirë.

Kjo çështje, sipas tij, më së miri vërehet te menaxherët e ndërmarrjeve publike dhe të pavarura, kompani këto që mund të ndikojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Në të gjitha këto ndërmarrje, thotë ai, udhëheqësit janë nga partitë politike, që kanë kompetenca politike, por nuk kanë kompetenca profesionale.

Kjo dukuri, shprehet Ramosaj, në mënyrë negative po ndikon te tërheqja e investitorëve të huaj.

Sipas tij, investitorët potencialë nuk dëshirojnë të ballafaqohen më faktorët e natyrës politike, e që në shumicën e rasteve reflektohen më shkallë të lartë të korrupsionit.

Kjo dëmton shumë zhvillimin në përgjithësi, edhe në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja. Sepse një investitor kredibil, serioz që dëshiron të investojë në Kosovë, ai padyshim se në qoftë se e ndien vetën të ballafaqohet më faktorët e natyrës politike, e veçanërisht të politikës ditore, që ajo reflekton shpesh edhe më shkallë të lartë të korrupsionit, atëherë pa dyshim se ai heziton të vijë”, shprehet Ramosaj.

Edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Ibrahim Kastrati, thotë se politika biznesin nuk e trajton në mënyrë miqësore.

Më tepër, sipas tij, e konsideron si burim për grumbullimin e taksave, se sa si potencial zhvillimor ekonomik për Kosovën.

Në këtë drejtim thotë Kastrati, klima biznesore po pengon ardhjen e investitorëve ndërkombëtarë, por edhe vetë investitorët vendorë po hezitojnë që kapitalin e tyre të shfrytëzojnë në Kosovë.

Së pari nuk e kemi një vend të caktuar ku biznesmeni i jashtëm mund të orientohet, pastaj të merret vesh për investime të mëtutjeshme. Dhe shumë kush te ne, më tepër presin që bëhen aksionarë në një biznes të huaj- pa investime, se sa të ndihmojnë biznesin për të investuar në Kosovë” , thekson Kastrati.

Sidoqoftë, sipas disa hulumtimeve të organizatave ndërkombëtare në Kosovë, thuhet se pjesa më e madhe e qytetarëve janë të pakënaqur më orientimet ekonomike në vend.
XS
SM
MD
LG