Ndërlidhjet

Maqedoni: VMRO - DPMNE prin me komunat e fituara


Sipas rezultateve të para të KSHZ-së, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO- DPMNE, prin me numrin më të madh të komunave të fituara. Po sipas KSHZ- së, pjesëmarrja e votuesve gjatë ditës së djeshme ka qenë 61 për qind.

Kryeministri Nikolla Gruevski, njëherësh dhe lider i VMRO DPMNE, pak pas mesnateka shpallur fitoren bindëse të kandidatëve të partisë së tij, duke bërë të ditur se VMRO DPMNE, ka fituar në 25 komuna që në raundin e parë, derisa në 35 të tjera prin para opozitës maqedonas.

“VMRO DPMNE dhe ‘Koalicioni për Maqedoni më të mirë’ ka shënuar fitore bindëse. Do të thosha se fitorja është më e madhe edhe se pritjet tona”, është shprehur Gruevski

Ndërkohë, lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, duke komentuar zgjedhjet e djeshme, ka numëruar parregullsitë e shumta, të cilat sipas tij, nëse nuk përmirësohen nga institucionet, LSDM-ja nuk do të marrë pjesë në rrethin e dytë zgjedhor.

Cërvenkovski u ka bërë thirrje simpatizantëve të partisë së tij se beteja për fitore finale ndaj Gruevskit vazhdon, duke këmbëngulur për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Dua të porosis se të gjitha parregullsitë, të cilat ishin regjistruar, nëse nuk zgjidhen nga institucionet, për ne të gjitha opsionet janë të hapura, përfshirë këtu edhe mospjesëmarrjen opozitës në raundin e dytë zgjedhor”, është shprehur Cërvenkovski.

Ndërkaq, fitoren në Kërçovë, ku zhvillohej betejë mes koalicioneve në baza etnike e shpalli vetë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai tha se për herë të parë me këtë qytet do të udhëheqë një kandidat shqiptar.

“Kjo fitore u takon të gjithë qytetarëve të Kërçovës, sepse kryetarët që janë zgjedhur dhe që do të zgjidhen, kanë obligim të kujdesen dhe punojnë për të gjithë ata njerëz, për të gjithë komunitetin që punon aty. Të jemi sa më të përmbajtur në shprehjen e ndjenjave tona. Ne nga viti 2002 deri më sot vazhdimisht kemi siguruar fitore”, ka deklaruar Ahmeti.

Ahmeti, pasi falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar për fitoren e BDI-së, ka thënë se në këto zgjedhje lokale, BDI-ja ka fituar gjithashtu në Çair, Dibër, Zhelinë, Bogovinë, Saraj, Likovë dhe Pllasnicë.

“BDI fitore të shkëlqyeshme ka shënuar në Tetovë, gati 4 mijë vota epërsi. Epërsi të lehtë kemi edhe në Gostivar, Haraçinë, Studeniçan, Bërvenicë, Vrapçishtë dhe Dollnen”, ka thënë Ahmeti.

Gjithashtu, kreu i BDI-së shtoi se BDI në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve e ka humbur Strugën, me ç’rast është zotuar se partia e tij në raundin e dytë do t’i dalë në ndihmë kandidatit të PDSH-së për Strugën, Zijadin Selës.

“Kandidatit të mundshëm për kryetar të Strugës, ne do t’i urojmë sukses dhe shfaqim gatishmërinë dhe thërrasim elektoratin tonë të dalë në mënyrë masive në përkrahje për Komunën e Strugës”, është shprehur Ahmeti.

Fitoren e BDI në Gostivar e ka kontestuar RDK. Nënkryetari i RDK-së, Artan Dika, ka thënë se partia e tij është në epërsi në Gostivar. Sipas tij, RDK-ja nga 14 mijë vota të numëruara në këtë qytet, ka siguruar mbështetjen e 52 për qind të qytetarëve, ndërsa BDI-ja, sipas tij ka siguruar mbështetjen e 40 për qind të votuesve. Nga RDK-ja gjithashtu kanë thënë se listat e tyre për këshilltarë, kanë siguruar mbështetje të konsiderueshme edhe në Strugë dhe Studeniçan.

Kurse, kandidatja fituese në raundin e parë nga radhët e BDI-së në Tetovë, Teuta Arifi, ka falënderuar të gjithë ata që kanë treguar vullnet gjatë tërë kohës sa ishin në fushatë.

“Sipas rezultateve të mbi 80 për qind të votave të numëruara, kandidati dhe lista e BDI-së ka udhëhequr në pjesën më të madhe në të gjitha vendvotimet. Dëshiroj të tregoj se diferenca që kemi ndaj oponentit tim është e madhe, pra me mbi 3600 vota”, është shprehur Arifi.

Derisa, edhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, mbrëmë ka pranuar humbjen ne komunën e Tetovës me dallim prej 2 apo 3 mijë votave, ndërsa ka shpallur fitoren e PDSH-së në dy komunat në atë të Tearcës dhe në komunën e Strugës.

Sipas Thaçit, partia e tij ka dalë fituese në këto zgjedhje duke rritur trupin votues për 21 mijë vota plus, krahasuar me zgjedhjet e 2011-s.

“Kjo është një fitore për partinë tonë. PDSH-ja do të shkojë në raund të dytë edhe në komunën e Vraçishtit, Studeniçanit, Likovës, dhe do të mundohemi të fitojmë këta komuna”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërkaq, kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, ka thënë se dita e djeshme ka kaluar pa dhunë dhe incidente fizike, megjithëse sipas njohurive dhe informacioneve të shumta që kanë arritur në KSHZ, janë regjistruar parregullsi të shumta si në vendvotimet dhe jashtë vendeve të caktuara për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Duke pasur parasysh natyrën dhe përmbajtjen e vërejtjeve, të cilat janë regjistruar në më shumë këshilla komunalë, shpresoj që KSHZ-ja të njëtat me seriozitet do t`i shqyrtojë dhe do t’i verifikojë në tërësi”, ka deklaruar Kondarko.

Për një varg parregullsish ka njoftuar dhe Asociacioni qytetarë “MOST”, si dhe organizata qytetare “CIVIL”, si ndërprerje të votimit, votim në grupe dhe lexim në zë të emrave të votuesve si dhe prani e personave të paautorizuar, të cilët u kanë ndihmuar votuesve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG