Ndërlidhjet

Serbia në “situatë dramatike”


Qeveria e Serbisë
Qeveria e Serbisë
Nënkryetari i parë i qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia gjendet “në një situatë dramatike”, sepse është e detyruar të zgjedhë midis dy çështjeve të vështira – “të pranojë një plan shumë të keq për serbët në veri të Kosovës” apo të refuzojë të nënshkruajë marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën.

Duke folur për televizionin shtetëror serb RTS, Vuçiq ka thënë se deri të martën e ardhshme, Belogradi duhet t’ia dërgojë Brukselit përgjigjen nëse mundet ose jo të pranojë disa çështje të caktuara.

Sipas fjalëve të tij, plani që i është ofruar Beogradit është “shumë i keq për popullin serb, e njëkohësisht mosarritja e marrëveshjes me Prishtinën është gjithashtu e shumë e dëmshme për vendin, sepse do të nënkuptonte mbyllje dyersh për Serbinë dhe më pak para”.

“Ne duhet të bëjmë përpjekje të fitojmë një datë dhe të gjejmë një gjuhë të përbashkët me fuqitë perëndimore”, ka deklaruar Vuçiq.

Duke folur për ofertat që gjenden në tavolinën e Brukselit, Vuçiq ka thënë se do të ishte gënjshtar nëse do të thoshte se ato janë në favor të Serbisë.

Në kuadër të interpretimeve ndërkaq për diskutimet që ai ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, Vuçiq ka thënë se “Thaçi nuk mund t’i mbajë leksione askujt, sepse nuk e ka këtë të drejtë”.

"Zoti Thaçi është pak nervoz, sepse kanë fryrë pesë balona, me shpresën se do ta kalojnë situatën me një, por nuk arritën ta depërtonin asnjë”, ka thënë Vuçiq, duke shtkuar se argumentet e Prishtinës kanë qenë të mundimshme për t’u dëgjuar dhe të atilla që një njeri mundet vetëm të qeshet me to.

"Shqiptarët u përpoqën të na mbajnë leksion se nuk e kuptojmë realitetin dhe çfarë bluzash duhet të mbajmë veshur, ndërkohë që u shërbyen me truqe rrugësh, të cilat unë vetë i kam mësuar kur isha nëntë vjet e gjysmë”, ka thënë mes tjerash Vuçiq në këtë intervistë dhënë televizionit shtetëror serb.

Por, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një takim me gazetarët të mbajtur të mërkurën, ka potencuar se pala kosovare ka qëndrime identike me Bashkimin Evropian në këtë proces.

Marrëveshja, sipas tij, do të ishte në të mirën e fqinjësisë së mirë dhe në funksion të integrimeve evropiane. Sidoqoftë, ai nuk e shpalli ende procesin si të përmbyllur apo të dështuar.

“Pavarësisht nga vështirësitë aktuale, procesin nuk mund ta shpallim si të përmbyllur apo dështuar. Shpresojmë që Serbia do të reflektojë të pranoj realitetin, e me këtë edhe marrëveshjen”, deklaroi Thaçi.

Dialogu Prishtinë - Beograd po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe si synim ka normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Por, dallimet mes palëve janë të mëdha në lidhje me pozitën e komunitetit serb që jeton në Kosovë, sidomos atij në veri për të cilin Beogradi kërkon edhe një lloj autonomie, çka për Prishtinën mbetet kërkesë e papranueshme.(a.v.)
XS
SM
MD
LG