Ndërlidhjet

Marrëveshja nuk garanton zbatimin e saj në veri


Pamje nga veriu
Pamje nga veriu
Transformimi i strukturave paralele serbe të sigurisë në veri të Kosovës nuk do të mund të garantohet as pas marrëveshjes eventuale midis Prishtinës dhe Beogradit, thonë analistët politik.

Për zbatimin e marrëveshjes eventuale, transformimi i strukturave aktualisht paralele të sigurisë dhe drejtësisë, konsiderohet si një sfidë e veçantë.

Publicisti dhe analisti Belul Beqaj mendon se kompromisi aktual po bazohet në riorganizimin e strukturave në veri.

Por, ai nuk beson se mund të ketë zbatim të mirëfilltë përderisa atje të mos bëhet identifikimi i qartë dhe lustrimi i atyre që kanë punuar për strukturat e Serbisë dhe kanë një të kaluar të dyshimtë që ndërlidhet me krimin në atë pjesë.

Nëse eventualisht në zgjedhjet që paralajmërohet se do të mbahen në këto komuna nuk bëhet lustrimi i atyre personave që kanë qenë sinonim për krimin e organizuar dhe ata mbështeten në zgjedhjet e lira në këto komuna, atëherë ne faktikisht do të kishim vetëm reproduktimin e legjitimuar të krimit të organizuar dhe kjo vetëm sa e destabilizon çështjen e veriut dhe nuk ndikon në zgjidhjen dhe stabilizimin e saj”, ka thënë Beqaj.

Kosova dhe Serbia, sipas analistit Belul Beqaj, nuk kanë ndërtuar as ambient të përshtatshëm për zbatimin e marrëveshjes.

Kurse kryetarët e komunave që funksionojnë paralelisht me sistemin legal kushtetues të Kosovës, thekson ai, vazhdojnë të kërcënojnë çdo të arritur eventuale në këtë dialog.

Nuk mund të besoj që është krijuar ambient adekuat për zgjidhjen e problemit në mënyrë të shëndoshë, aq më tepër kur kemi kërcënime pikërisht nga ata të cilët sot janë në krye të komunave të cilat paralajmërojnë se nuk do ta pranojnë asnjë zgjidhje që nuk nënkupton lidhje direkte të tyre me Serbinë", ka deklaruar Beqaj.

Ndërkohë, edhe analisti Shpend Kursani nga instituti KIPRED, thotë se zbatimi i marrëveshjes do të mbetet problemi thelbësor i këtij procesi.

Vetë fakti se këto marrëveshje nuk po përbëjnë një bazë ligjore për palët, zbatim i bëhet i diskutueshëm, thotë Kursani.

Serbia, po them hipotetikisht, sepse nuk e besoj që do të pranojë gjithçka që Kosova po kërkon në bisedime, pra largimin e strukturave paralele, pra me këtë Serbia do të përfitonte datën për fillimin e negociatave me BE-në. Mirëpo, mund të ndodhë që edhe pas marrëveshjes ajo të mos zbatohet pasi që Serbia ka një avantazh të madh në terren meqenëse ka një prezencë të përhershme në veri”, ka thënë Kursani.

Në rast se Serbia, nga ky proces negociues me Kosovën, do të përfitonte datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian por më pas nuk do ta zbatonte marrëveshjen, kjo mund të ishte me rrezik të dyfishtë për Kosovën, thotë Kursani.

Në të ardhmen, Serbia nuk do ta ketë më presionin e datës, siç e ka tani, nënvizon ai.

Mund të vijë koha kur prapë do të ri-diskutohet dhe ri-dialogohet çështja e veriut, por rreziku atëherë do të ishte se do të diskutohej me një Serbi e cila më nuk do ta kishte presionin e datës siç e ka sot, kurse BE-ja nuk do të mund të përdorte më datën si instrument presioni”, ka vlerësuar Kursani.

Bazuar në deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi i cili po udhëheq delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë, në veri strukturat ilegale serbe të sigurisë dhe drejtësisë do të zhbëheshin dhe në vend të tyre do të ngriheshin struktura që do të vepronin sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Kurse për fushat tjera, si arsimi, shëndetësia, kultura, administrata, sipas Thaçit, parashihet adoptimi i tyre në kuadër të autoritetit të Kosovës.

Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse më 2 prill, kryeministrat Thaçi e Daçiq do arrijnë deri te marrëveshja, e cila më pas do t’i sqaronte hapat që do të ndërmerreshin për vendosjen e normalitetit në veri të Kosovës.
XS
SM
MD
LG