Ndërlidhjet

Gara për PTK-në: Kompanitë me profil të paqartë


PTK
PTK
Privatizimi I Postë-Telekomit të Kosovës duhet të ndërpritet, konsiderojnë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, pasi sipas tyre, ky proces nuk do të përfundojë më ndonjë rezultat pozitiv.

Ata thonë kështu pas publikimit nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, se në garë për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje gjenden vetëm dy kompani: "M1 International" dhe "Axos GMBH" në konsorcium me "Najafi Companies".

Muhamet Sadiku, profesor në Kolegjin “Riinvest” thotë se prania e vetëm dy kompanive, madje me profil jo të qartë, dëshmon më së miri se procesi ka qenë i ngarkuar me mungesë të transparencës.

Ai thotë se ky proces nuk ka sjell kompani të suksesshme që Telekomin e Kosovës ta mbajë konkurrent me kompanitë tjera botërore.

“Kemi fituar dy kompani, njëra si duket është e njohur më tepër me inxhinieringun financiar, ndërsa tjera merret edhe më financimin e fermave, në disa shtete. Por, sido që të jetë, nuk kemi fituar kompani me kredibilitet profesional dhe kompani që do të mbajnë Telekomin e Kosovës, në një garë konkurruese edhe me kompanitë botërore”, thotë Sadiku për Radion Evropa e Lirë.

Dalja në sipërfaqe e dy kompanive potenciale për privatizimin e 75 për qind të aseteve të PTK-së, nuk sjell ndonjë rezultat në aspektin ekonomik, thotë edhe Lorik Bajrami, nga organizata joqeveritare “Çohu”.

Bajrami vë në dyshim veprimtarinë ekonomike dhe financiare të këtyre kompanive.

“Kemi dy kompani, për të cilat nuk dimë asgjë, përveç atyre informacioneve shumë të mangëta, që i ka servuar Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Do të thotë, profili i këtyre dy kompanive, për aq sa na është ofruar informacione, na lë të kuptojmë se nuk duhet të presim shumë nga transferimi i pronës publike të PTK-së në pronë private”, thekson Bajrami.

Por, Muhamet Sadiku, vlerëson se procesi i privatizimit të PTK-së, duhet të rikthehet që nga fillimi dhe privatizimi, sipas tij, duhet të realizohet me një ligj të veçantë.

Muhamet Sadiku
Muhamet Sadiku
“Do të thotë ngutia në këtë rast nuk na duhet, procesi duhet të rikthehet nga fillimi dhe ajo që dihet që ata që e kanë udhëhequr këtë proces më nuk kanë kredibilitet të merren me procesin e privatizimit”.

“Duhet gjetur institucione që janë të afta që dinë të udhëheqin këtë proces dhe definitivisht privatizimi i PTK-së duhet të privatizohet me një ligj të veçantë dhe të orientohet nga Kuvendi i Kosovës”, thotë Sadiku.

Ndërkaq, Lorik Bajrami, thekson se privatizimi i PTK-së duhet të ndodhë vetëm pas mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

“Për mendim tonë, si ka shkuar deri më tani procesi, më mirë që PTK-ja të mbetet në pronë publike derisa të mbahen zgjedhjet e reja dhe të vijë një Qeveri dhe legjimitet demokratik dhe pastaj të fillonte një proces shumë më i hapur i privatizimit, në këtë rast të PTK-së”, shprehet Bajrami.

Sidoqoftë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, privatizimin e PTK-së e ka vlerësuar si proces jashtëzakonisht transparent, proces të hapur dhe konform standardeve ndërkombëtare.

Ndërsa, sa i përket kompanive në garë, ministri Beqaj ka thënë se në bazë të informacioneve që ka, kompanitë kanë fuqi të mjaftueshme financiare dhe ekip të fuqishme, ngase në kuadër të tyre janë edhe "British Telecom" dhe kanë harmonizim edhe me "Telecom Italia".

Profili i kompanive sipas Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik

"AXOS- capital"

"Axos Capital" për transaksionin e PTK-së ka hyrë në konzorcium me "Najafi Companies LLC".

"Axos Capital Partners" është shoqëri aksionare investuese e investitorëve ndërkombëtarë të teknologjisë dhe telekomit. "Axos Capital" është me bazë në Hamburg, Gjermani.

"Najafi Companies LLC" është një firmë private ndërkombëtare e investimeve me bazë në Phoenix, Arizona (SHBA) dhe me zyra në Nju Jork, Paris, Toronto. "Najafi Compnies LLC" ka investime në sektorët medias, teknologjisë, energjisë, industri dhe pasurive të patundshme në SHBA, në Evropë dhe vende të tjera të botës.

"M1 International/M1 Group"

"M1 Group" është një grup investues me bazë në Liban, me përvojë në investime në fusha të ndryshme, si telekomunikimi, aviacioni, energjia, ndërtimi etj. Është themeluar në vitin 1960, ndërsa ka filluar të investojë në tregun e telekomit që nga viti 1980, ku kompania më e madhe e telekomunikimit, në të cilën ka investuar ka qenë "Investcom".

Në vitin 2006, "M1 Group" përmes Investcom u kombinua në një transaksion me "MTN" që është një kompani multinacionale e telekomunikimit me bazë në Afrikën e jugut. "M1 Group" është njëri nga aksionarët më të mëdhenj të "MTN".
XS
SM
MD
LG