Ndërlidhjet

Maqedoni: OJQ-të njoftojnë për parregullsi në votime


Maqedoni, 7 prill 2013
Maqedoni, 7 prill 2013


Subhi Jakupi, nënkryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se institucioni që përfaqëson, konstaton se zgjedhjet e sotme janë realizuar në fryme demokratike edhe pse gjatë ditës në KSHZ kanë arritur nga terreni disa informacione për parregullsi , por siç ka theksuar ai, KSHZ-ja ka ndërmarrë të gjitha masat që të njëjtat të eliminohen në një afat të shkurtër kohor dhe procesi të rrjedhë me rregull dhe pa probleme.

“Si KSHZ, gjatë tërë ditës kemi qenë në terren dhe nga informacionet që na kanë arritur, mund të konstatoj se procesi zgjedhor në tërë territorin e Maqedonisë është duke ecur mirë, pa ndonjë incident të theksuar ose implikime të cilat nuk janë në harmoni me procedurën e realizimit të zgjedhjeve”.

“Dhe, ne, deri më tani mund të konstatojmë se në përgjithësi qytetarët e Maqedonisë kanë pasur mundësi të votojnë në mënyrë të lirë dhe të qetë dhe lirisht të japin votën për atë që mendojnë se duhet besuar”,
ka theksuar Jakupi.

Po sipas të dhënave të KSHZ-së, pjesëmarrja e votuesve deri në orën 17 në nivel republikan arrin 46 . 75 për qind, që krahasuar me raundin e parë të mbajtur para dy javësh, është për rreth 11 për qind më e ulët.

Por organizatat joqeveritare, që janë duke ndjekur raundin e dytë të zgjedhjeve vendore, të cilat mbahen në 29 komuna të vendit dhe në qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë administrative, kanë bërë të ditur për një varg parregullsish të regjistruara nga monitoruesit e tyre në terren.

"Monitoruesit tonë në terren regjistrojnë një atmosferë tejet të tensionuar të procesit të votimit. Më e tensionuar është situata është në Koçan, ku ka një prani të theksuar të policisë, posaçërisht pas arrestimeve të mbrëmshme të anëtarëve të një partie politike".

"Derisa në Tetovë, vëzhguesit tanë kanë vërejtur se disa aktivistë të një partie politike para Shkollës Fillore ‘Kirili dhe Metodij’, kanë ofruara para për vota. Kurse, në Resnjë janë vërejtur vetura me targa të Shqipërisë, për të cilat supozohet se mbajnë votues nga Shqipëria. Monitoruesit tonë kanë regjistruar edhe shkelje të heshtjes zgjedhore me shpërndarjen e afisheve në interes të një partie politike, gjegjësisht kandidati, pastaj mospërdorim të UV llambës, votim pa dokumente adekuate, votim grupor, agjitim pranë kutive të votimit etj”
, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Xhabir Deralla, drejtues i organizatës Joqeveritare CIVIL - Qendra për liri, e cila ndjek procesin zgjedhor.

Edhe organizata joqeveritare "MOST", e cila po ashtu përcjell procesin e votimit 2080 vëzhgues, ka kumtuar se janë hapur të gjitha vendvotimet në kohë, ku asociacioni ka caktuar vëzhgues të tij. Ndërkohë, sipas MOST-it, janë vërejtur edhe një varg parregullsish.

"Gjatë orëve të paradites një votues ka thyer kapakun e kutisë, duke dashur të lëshojë fletën e votimit, në vendvotimin 1734 në Strumicë. Në Veleshtë janë regjistruar më shumë raste të votimit grupor. Vëzhguesit tanë në më shumë raste kanë regjistruar prani të personave të paautorizuar pranë kutive të votimit, si dhe raste kur një person ka votuar për dikë tjetër”, ka theksuar Darko Aleksov, drejtues i "MOST-it".

Përderisa shefi i misionit OSBE/ODIHR, Gert Arens, gjatë ditës së sotme pasi ka marrë disa informacione se në terren ka parregullsi gjatë procesit të votimit personalisht ka vizituar disa qendra votimi.

“Kemi marrë disa paralajmërime se disa çështje nuk do të jenë në rregull, prandaj kemi vendosur të shohim për së afërmi nëse zgjedhjet zhvillohen sipas standardeve të OSBE/ODIHR-it”, ka deklaruar Arens.

Ai ka shtuar se në raundin e dytë, OSBE nuk e ka shtuar numrin e vëzhguesve. I pyetur për pritjet rreth raundit të dytë të zgjedhjeve, shefi i OSBE-së ka thënë se për çështjen në fjalë, do të flasin gjatë ditës së hënë. Raundin e parë të zgjedhjeve, OSBE/ODIHR e ka vëzhguar me 220 persona.

Nga ana tjetër, organet e rendit kanë bërë të ditur se personi që ka thyer kapakun e kutisë në vendvotimin në Strumicë, është arrestuar, por sipas njohurive të para, ai këtë veprim e ka bërë pa qëllim, ndërkohë që kapaku është zëvendësuar dhe procesi edhe në këtë vendvotim ka vazhduar.

Zëdhënësi i dikasterit të policisë, Ivo Kotevski, ka vlerësuar se procesi zgjedhor po kalon në qetësi dhe në atmosferë korrekte e demokratike, duke shtuar se gjatë ditës janë regjistruar disa shkelje të vogla, por pa ndonjë incident më serioz, duke apostrofuar qytetin e Strumicës, Koçanit dhe atë të Strugës.

Dita zgjedhore po kalon qetë, në atmosferë korrekte dhe demokratike. Deri në ora 14:00 nuk është regjistruar asnjë incident më serioz, dhe deri te ne nuk kanë arritur informacione për prishje më të madhe të procesit zgjedhor. Votimi po zhvillohet pa probleme në mbi 1600 vendvotimet”.

“Vetëm në disa vendvotime për shkak të disa problemeve të vogla erdhi deri te ndërprerja e votimit, i cili më vonë ka vazhduar
”, ka deklaruar për mediat Kotevski.

Duke komentuar të shtënat me armë zjarri në Strumicë, Kotevski tha se sipas njohurive që ka dikasteri i policisë, ky rast nuk ka lidhshmëri me procesin e zgjedhjeve.

Ndërkohë, qytetarët, përpos që presin zgjidhjen e problemeve komunale, shpresojnë që drejtuesit e komunave do të krijojnë kushte për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Populli pa punë është, rrugët do të bëhen, por duhet të krijohen kushte të bëhen fabrika se veç me tregti nuk bëhet asgjë”, është shprehur një qytetar.

“Ne presim një ardhmëri më të mirë, më demokratike, të bëhen punësime, të hapen fabrika, punëtorët të punojnë se kanë mbetur pa punë s’kanë kah t`ia mbajnë”, thotë një qytetar tjetër.

“Po presim të bëhet mirë , të realizohen premtimet”, thotë një qytetare.

Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, pasi ka votuar, është shprehur se pret që procesi i sotëm zgjedhor të përfundojë në mënyrë të qetë dhe demokratike, duke theksuar se pas zgjedhjeve, vendi duhet t’u përkushtohet qëllimeve strategjike të integrimit euroatlantik për sigurimin e një jete më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

“Shpresoj se gjithçka do të kalojë më së miri, ashtu siç i ka hije një vendi kandidat për në BE. Pas këtyre zgjedhjeve, do t’u përkushtohemi qëllimeve strategjike që i kemi dhe gjithë energjinë do ta investojmë për një jetë më të mirë për të gjithë ne që jetojmë në Maqedoni”, është shprehur Ivanov.

Rezultatet e para nga votimi i 7 prillit, KSHZ-ja pritet t`i kumtojë pak para mesnate. Ndryshe, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 24 marsit u zgjodhën 49 kryetarë për komuna. Sipas planit të decentralizimit, Maqedonia është e ndarë në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.
XS
SM
MD
LG