Ndërlidhjet

Beograd: Marrëveshja edhe zyrtarisht nuk pranohet


Qeveria e Serbisë ka vendosur unanimisht të mos e nënshkruajë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e cila është ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Qeveria serbe kërkon nga BE-ja vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën.

Arsyetimi që është thënë ka të bëjë me, siç thuhet, mos-garantimin e sigurisë dhe të drejtave të njeriut për komunitetin serb në Kosovë.

Marrëveshja e ofruar ka pasuar tetë raunde bisedimesh në nivel kryeministrash, të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, baronesha Catherine Ashton.

Çështje e kontestueshme për Beogradin ka mbetur autoriteti që do të ketë asociacioni i komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Beogradi kërkon që ky asociacion të ketë fuqi ekzekutive, veçanërisht në fushën e policisë, drejtësisë dhe planifikimit hapësinor.

Prishtina zyrtare e ka kundërshtuar fuqishëm, duke kërkuar nga Beogradi që të përballet me realitetin e ri të krijuar në Kosovë.

Partia Përparimtare Serbe [SNS] i ka rekomanduar që në mëngjes Qeverisë së Serbisë që të mos nënshkuajë marrëveshjen me Prishtinën të cilën e ofroi Brukseli, bëri të ditur kryetari i partisë, Aleksandar Vuçiq.

Kundërshtimin, ky subjekt e publikoi të hënën në mëngjes pas mbledhjes së kryesisë e cila i sugjeroi qeverisë që urgjentisht të thirr Brukselin për vazhdim të negociatave, me synimin e sigurimit të më shumë të drejtave për serbët në Kosovë.

“Duam të gjejmë zgjidhjen e problemit sa më parë të jetë e mundur, sepse nuk kemi kohë për taktizime. Datën do të na japin në qershor ose shtator, por [ajo që dihet është se] do të na e japin datën”, mediet në Beograd citojnë Vuciq të ketë thënë pas takimit të kryesisë së partisë.

Vuçiq, i cil i është edhe zëvendëskryeministër i Serbisë, tha se 2 nga 8 pikat e parashtruara nga Brukseli në marrëveshje janë të papranueshme, e që nënkuptojnë se katër komunat veriore nuk do të jenë autonome por në kuadër të rregullimit kushtetues të Kosovësë, dhe që forcat e armatosura të Kosovës do të dislokohen në atë zonë.

Ai ka shprehur zhgënjimin e tij, lidhur me ofertën e BE-së, por ka theksuar se kjo nuk do të thotë se duhet mbyllur dyert me Brukselin, pasi sipas tij, SNS-ja “nuk dëshiron ta kthejë Serbinë kah e kaluara, e as ta çojë në humnerë”.

Nuk duam të shesim trimëri dhe të mbledhim poena politikë, por që të paraqesim qëndrime racionale, të arsyeshme dhe të Serbisë normale, e cila nuk e dëshiron të nëncmohet, por të bisedojë se si të gjejmë zgjidhjen për problemin e Kosovës”, tha Vuçiq. (a.vidishiqi)
XS
SM
MD
LG