Ndërlidhjet

Fule: Edhe sa kohë do të prisni para dyerve të BE-së?


Fule në Maqedoni
Fule në Maqedoni
Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, nga të gjitha partitë parlamentare në Maqedoni, të martën ka kërkuar që të nënshkruajnë një memorandum për përkushtim në proceset e integrimit evropian.

Ai këtë kërkesë e ka bërë publike gjatë fjalimit në Këshillin Kombëtar të Eurointegrimeve në Kuvend, para deputetëve të partive parlamentare.

Ajo që mbetet me rëndësi, është formimi i komisionit anketues i cili do t’i zbardhë ngjarjet e 24 dhjetorit”, është shprehur Fule, duke shtuar se pavarësisht ngjarjeve të 24 dhjetorit, vendi ka arritur përparim në reformat që dalin si obligim nga Dialogu Aderues në Nivel të Lartë.

Në përgatitjen e raportit tonë pranveror i cili do të prezantohet më 16 prill dhe për takimin e sotëm, kemi vërejtur se është shënuar përparim dhe se janë marrë masa në disa sfera edhe përkundër ngjarjeve të 24 dhjetorit. Tani është shumë me rëndësi që të funksionojë Komisioni i cili do t'i zbardh këto ngjarje”, ka porositur ai, duke potencuar se është shumë me rëndësi që të gjitha partitë ta konfirmojnë përkushtimin e tyre strategjik kundrejt integrimit evropian në formë të memorandumit.

Fule me këtë rast ka thënë se Qeveria duhet të vazhdojë dialogun me gazetarët, sepse sipas tij, kjo është periudha kyçe për vendin para hartimit të raportit të KE-së.

Pasi që dëgjoi fjalimet e deputetëve, Fule tha se 24 dhjetori ka përfunduar me marrëveshjen e 1 marsit kur Nikolla Gruevski dhe Branko Cërvenkovski arritën ujdi për zhbllokimin e krizës politike, kur edhe LSDM pranoi të hyjë në garën zgjedhore lokale, por pyetja është, siç tha Fule, ku do të mbërrijë vendi.

Edhe sa kohë do prisni para dyerve të BE-së, bëhuni të përgjegjshëm dhe fillimisht ju duhet ta ndihmoni veten për të ju ndihmuar ne juve. Edhe përkundër përpjekjeve të mëdha, unë nuk mendoj se imazhi i vendit tuaj është përmirësuar në sytë e Brukselit dhe kryeqyteteve të vendeve anëtare të BE-së".

"Deri në cilën shkallë mendoni ju se ne fokusohemi në dialogun e nivelit të lartë, deri në cilin nivel mendoni ju se për ne liria e të shprehurit është me rëndësi? Deri në cilën shkallë mendoni ju se ajo që pamë ne me datën 24 dhjetor është shenjë e dobësimit të institucioneve më të rëndësishme demokratike në vendin tuaj?” i ka pyetur ai përfaqësuesit e partive politike në parlament.

Komesioneri Fule do të shtrojë të gjitha dilemat rreth rrugëtimit të vendit drejt BE-së edhe me kryeministrin Nikolla Greuvski, ndërkohë paraprakisht është takuar me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane Fatmir Besimi, me ç'rast ky i fundit tha se për Maqedoninë mbetet prioritet integrimi i vendit në strukturat euroatlantike.

“Integrimi i Maqedonisë gjithsesi mbetet alternativa më e mirë mos them se është dhe alternativa e vetme për Maqedoninë stabile, të qetë dhe zhvilluar”, është shprehur ministri Fatmir Besimi.

Gjersa të martën në mëngjes, Fule është takuar me liderin e LSDM-së, Branko Cërvenkovskin.

Qytetarët e Maqedonisë ashtu si të gjithë ne që jemi prezent këtu, jemi të bindur se qëllimet e mira tuaja që ta shihni gotën gjysmë të mbushur në vend se të shihni pjesën e saj gjysmë të zbrazur, sepse kjo ishte motivim plotësues për të gjithë ne në Maqedoni. Problemi i vetëm me të cilin sot përballemi është fakti se ata të cilët kanë përgjegjësi më të madhe vendosin ta thyejnë gotën”, është shprehur kryetarja Radmilla Shekerinska nga radhët e LSDM-së.

Ndryshe, raportit i ri i KE-së, pritet të publikohet më 16 prill, i quajtur si raporti pranveror për ecurinë e Maqedonisë kundrejt BE-së, nga i cili dhe varet përcaktimi datës për hapjen e bisedimeve të Maqedonisë me Brukselin.
XS
SM
MD
LG