Ndërlidhjet

Ri-integrimi, sfidë për të riatdhesuarit


Fotografi ilustruese
Familja shtatë anëtarëshe, Hamiti, para tri vjetësh është kthyer nga Gjermania në Kosovë. Kryefamiljari i kësaj familjeje, Arseni, mbi të 50-at, tregon se tashmë jeton në shtëpinë e tij në Graçanicë, por që kushtet janë të vështira, pasi që nuk ka arritur të gjejë ndonjë vend pune.

Arseni është nga komuniteti rom. Ai tregon se në vitin 2010, kur është kthyer nga Gjermania, ka marrë 5000 mijë euro, por këto mjete, thotë ai, janë shpenzuar për renovimin e shtëpisë. Ndërkaq, ka tre muaj që Arseni merr 90 euro në muaj, si ndihmë sociale, nga Qeveria e Kosovës.

“Po, kur jam kthyer 2500 euro kam marrë nga Gjermania, ndërsa 2500 nga Kosova, kurse tash marr 90 euro në muaj. Me këto para po paguaj rrymë, miell, disa gjëra ushqimore, por për shtatë persona këto mjete nuk po mjaftojnë”, thotë Hamiti.

Por, nuk është vetëm familja Hamiti që është riatdhesuar në Kosovë. Sipas zyrtarëve të institucioneve kosovare, mesatarisht çdo vit në Kosovë kthehen 5 mijë persona, qoftë në mënyrë vullnetare ose të dhunshme.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila koordinon procesin e ri-integrimit të personave të riatdhesuar, që nga viti 2008 e deri më tani, vlerësohet se nga shtetet e Bashkimit Evropian janë riatdhesuar mbi 20 mijë persona.

Kthimet, kryesisht janë bërë nga Gjermania, Suedia , Zvicra dhe Franca.

Ndërkaq, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët monitorojnë procesin e ri-integrimit të personave të kthyer në Kosovë, konsiderojnë se zgjidhja e problemeve të personave të riatdhesuar, duhet të jetë e qëndrueshme dhe jo e përkohshme.

Naim Osmani, drejtor ekzekutiv në Programin për të Drejtat Civile, konsideron se ky proces është i mbuluar me infrastrukturë të duhur ligjore, porse gjendja në terren sipas tij, mbetet shqetësuese.

Ai thotë se moskoordinimi i autoriteteve kompetente për krijimin e kushteve adekuate për personat e riatdhesuar, po pengon procesin e ri-integrimit të tyre në shoqërinë kosovare.

“Në momentin e kthimit në Kosovë, personat e riatdhesuar ballafaqohen më probleme të natyrave të ndryshme për integrimin e tyre në shoqëri. Si problem kryesor mund të theksojmë mungesën e dokumentacionit përkatës të identifikimit dhe atij personal, sigurimit të të ardhurave personale për ekzistencë si pasojë e papunësisë, vështirësitë që ata hasin rreth çështjeve pronësore dhe sigurimit të banimit - vendstrehimit, gjithashtu mund të përmendim problemet në shëndetësi, shkollim, dokumentacion personal, etj “ thekson Osmani.

Mungesa e dokumenteve personale i ka shkaktuar problem edhe Arsen Hamitit. Ai thotë se për këtë arsye, katër fëmijët e tij, nuk vazhdojnë shkollimin. Familja Hamiti, jeton në Graçanicë, zonë kjo e banuar më shumicë serbe, ndërkaq edhe dokumentet thotë ai, i kërkojnë të shtetit të Serbisë.

Se ri-integrimi i personave të riatdhesuar paraqitet sfidë për institucionet e Kosovës, thotë edhe Artan Duraku, ushtruesi i detyrës së drejtorit në Departamentin për ri-integrim të personave të riatdhesuar, në Ministrinë e Punëve të Brendshme
Është një proces shumë i vështirë dhe një proces shumë kompleks...

“Është një proces shumë i vështirë dhe një proces shumë kompleks. Për këtë kërkohet angazhim i ministrive të ndryshme, pasi këta persona kanë nevoja të ndryshme, qoftë regjistrimi në librat e Kosovës, ndihmë për regjistrim në shkollë, qasje në fondet sociale, ndihmë për banim dhe për këtë arsye ky proces ka pasur vështirësitë e veta”, pohon Duraku.

Problemet, me të cilat po përballen personat e riatdhesuar, pas qëndrimit në Kosovë, po i detyrojnë ata që të gjejnë forma alternative, për t'u kthyer në shtetin nga kanë ardhur, thotë Naim Osmani, për Radion Evropa e Lirë

“Gjatë takimeve që kemi pasur me personat e riatdhesuar, për shkak të problemeve të lartpërmendura, një numër i madh i tyre shprehin dëshirën që të kthehen mbrapa përsëri nw vendin, shtetin nga i cili janë kthyer në Kosovë, ose në ndonjë shtet tjetër të Unionit Evropian. Madje, shumë shpesh ka tentime të gjetjes së rrugëve alternative për kthim në vendet prej nga janë riatdhesuar apo në vendet tjera të Evropës Perëndimore”, thekson Osmani

Qeveria e Kosovës, kohë më parë ka nënshkruar disa marrëveshje me më shumë se tetë shtete të Bashkimit Evropian për riatdhesimin e kosovarëve.

Ri-integrimi dhe riatdhesimi i personave të kthyer, është një ndër kriteret kryesore për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.

Komentet (2)

Ky forum është mbyllur
XS
SM
MD
LG