Ndërlidhjet

Obama: Akt terrorist në Boston


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se shpërthimet e së hënës në Maratonën e Bostonit janë duke u hetuar si akt terrorist, edhe pse “autoritetet nuk e dinë ende se kush është përgjegjës”.

“Ky ishte një akt i urryer dhe frikacak, të cilin FBI-ja është duke e hetuar si vepër të terrorizmit. Secilën herë që bombat kanë në shënjestër civilët e pafajshëm, ato paraqesin akt terrorist”, ka thënë Obama.

Tre njerëz, në mesin e tyre një djalë tetë vjeç, janë vrarë dhe mbi 170 të tjerë janë plagosur nga shpërthimet e njëpasnjëshme që kanë goditur vijën e finishit në maratonë.

I vrari tetëvjeçar është Martin Richard, i cili në kohën e shpërthimeve, po priste babain e tij të kalonte finishin. Motra e tij gjashtë vjeçe ka humbur njërën këmbë, ndërsa nëna e tyre ka pësuar lëndime të rënda në kokë.

Në adresimin për gazetarë, të dytin që nga shpërthimet, presidenti Obama është zotuar sërish se do të gjejë autorët e krimit.

“Ajo që nuk dimë ende është se kush e ka kryer këtë sulm dhe pse – a është kryer nga ndonjë organizatë terroriste, e huaj apo e brendshme, apo është akt i ndonjë individi keqdashës?! Kjo është ajo që nuk e dimë dhe ne jemi në fillim të hetimeve tona. Do të marrë kohë për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur, por do ta gjejmë”, ka thënë Obama.

Zyrtarë të Byrosë Federale të Inteligjencës (FBI) kanë thënë se hetimet janë duke u kryer në lokacione të ndryshme të Bostonit. Hetuesit po ashtu janë në kërkim të videove amatore dhe dëshmive fotografike, të cilat mund të japin të dhëna për ata që kanë vendosur bombat.

Agjenti i FBI-së, Rick DesLauriers, i cili kryeson hetimet, ka thënë se ato do të shtrihen edhe përtej Bostonit.

“Do të jetë një hetim në gjithë botën. Do të shkojmë atje ku na dërgojnë provat. Do të shkojmë në fund të botës për të identifikuar personin apo personat që janë përgjegjës për këtë krim të urryer. Do të bëjmë gjithçka të mundur për t’i sjellë ata para drejtësisë”, ka thënë DesLauriers.

Ai po ashtu ka siguruar se aktualisht “nuk ka ndonjë kërcënim shtesë”.

“Nuk jam në dijeni për ndonjë kërcënim fizik tani, nga ndonjë pajisje e pashpërthyer apo tjetër. Nuk kam ndonjë informacion”, ka thënë ai.

Guvernatori i Masaçusetsit, Deval Patrick, ka thënë se përkundër raporteve të mëparshme, nuk është gjetur ndonjë bombë e pashpërthyer. Sipas tij, të vetmet bomba kanë qenë ato që kanë shpërthyer.

Sulmet në Maratonën e Bostonit janë dënuar fuqishëm nga udhëheqës botërorë. Shumë nga ta i kanë ofruar SHBA-së edhe ndihmën e vendeve të tyre në hetime.

Maratona vjetore e Bostonit sivjet ka mbledhur rreth 23,000 vrapues dhe është shikuar nga qindra-mijëra spektatorë.

Ajo është mbajtur në Ditën e Patriotëve – një festë shtetërore në Masaçusets, e cila përkujton betejat e para të Revolucionit Amerikan më 1775. (v.tela)
XS
SM
MD
LG