Ndërlidhjet

Hoxhaj: Tash asnjë vend s'ka arsye të mos na njohë


Enver Hoxhaj
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë një argument i fuqishëm për njohjen e Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur shtetin më të ri evropian, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ministri Hoxhaj ka thënë se marrëveshja ka vendosur hapin e parë të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete sovrane e të pavarura.

Kurse, në rrafshin më të gjerë, ai ka thënë se pret që edhe vendet anëtare të BE-së, por edhe të tjerat që nuk e kanë njohur Kosovën, ta kenë më lehtë të marrin vendimin pozitiv për njohje.

“Kjo marrëveshje, pa dyshim, që do të jetë argument i fuqishëm që pesë vendet, të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, në një të ardhme të afërt të marrin vendime dhe ta njohin Kosovën".

"Marrëveshja, në rrafshin ndërkombëtar, do të jetë një argument i fuqishëm që shtetet, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, shtetet që kanë pasur qëndrim neutral karshi Kosovës, apo shtetet që e kanë kushtëzuar njohjen e Kosovës me normalizimin e relacioneve midis Kosovës dhe Serbisë, tashmë nuk kanë asnjë argument të vetëm që të mos marrin vendime pozitive që ta njohin Republikën e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj për Radion Evropa e Lirë .

Një segment tjetër i rëndësishëm i marrëveshjes Prishtinë - Beograd, sipas ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka të bëjë me proceset integruese të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në strukturat evropiane.

Ndonëse në marrëveshjen finale të kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, pika 14 ishte tkurrur dhe kërkonte vetëm mospengimin e aspiratave të të dyja vendeve për integrim në Bashkimin Evropian, Hoxhaj ka theksuar se pret që reflektimet e marrëveshjes të jenë pozitive në këtë aspekt për Kosovën.

“Fakti që marrëveshja në mënyrë precize, në pikën 14, e sqaron që Serbia, po as vendet tjera anëtare të BE-së, nuk do të mund ta bllokojnë të ardhmen e saj evropiane dhe që të dyja vendet kanë rrugë të veçanta dhe ne e dimë që Bashkimi Evropian është bashkësi e shteteve të pavarura e sovrane".

"Kështu që kjo nuk është asgjë tjetër veçse një rikonfirmim i sovranitetit tonë të jashtëm dhe rikonfirmim i integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe rikonfirmim që Kosova do të jetë pjesë e peizazhit të shteteve anëtare të BE-së”,
është shprehur Hoxhaj.

Marrëveshja e arritur në dialogun ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, përveç synimit për vendosjen e një normaliteti në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, synon të vendosë edhe rend dhe ligjnë veri të Kosovës, si dhe me zbatimin e saj, palët do të përfitonin në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Komentet (3)

Ky forum është mbyllur
XS
SM
MD
LG