Ndërlidhjet

Fol: Korrupsioni, pengesë e shtetit të Kosovës


Ilustrim
Ilustrim
Korrupsioni në Kosovë, i lidhur ngushtë me krimin e organizuar, është pengesa kryesore për etablimin e shtetit të së drejtës, zhvillim ekonomik dhe funksionim demokratik të institucioneve publike, thuhet në një prezantim të Lëvizjes Fol në Prishtinë.

Efektet e korrupsionit, thuhet se janë gjithëpërfshirëse dhe vërehen në të gjitha fushat dhe sektorët e qeverisjes.

“Shpërndarja e gjerë e korrupsionit po thellon hapësirën ndërmjet qytetarit dhe institucioneve publike. Kjo gjendje ka ndikuar që besimi i qytetarëve në institucionet publike të jetë shumë i ulët, diçka që po manifestohet tashmë për vite të tëra edhe nga shkalla gjithnjë e më e ulët e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje”, thuhet në këtë prezantim krahasues për vitet 2011-2012, të titulluar “Korrupsioni përtej perceptimit publik”.

Armend Mazreku, hulumtues në Lëvizjen FOL, tha se “Në kuadër të një platforme të re do të bëhet publikimi i rregullt i statistikave që tregojnë korrupsionin përtej perceptimit publik, duke i mundësuar opinionit të gjerë publik dhe institucioneve publike që t’i lexojnë në mënyrën e tyre këto të dhëna për të kuptuar dhe analizuar më mirë punën dhe kontributin e tyre dhe hapësirat ku nevojiten përmirësime”.

Kjo platformë përfshin të dhëna krahasimtare të institucioneve, agjencive, mediave dhe raporteve ndërkombëtare për nivelin e korrupsionit në Kosovë.

Gjatë prezantimit, Mazreku tha se “bazuar në të dhënat e publikuara, Prokuroritë në Kosovë për vitin 2011 kanë ngritur gjithsej 214 akte akuzuese, ndërsa në vitin 2012 kanë ngritur gjithsej 172 akte të tilla”.

Në këtë prezantim, bëhet e ditur se gjykatat për vitin 2011 kanë zgjidhur 136 raste, ndërsa në vitin 2012 kanë zgjidhur 180 raste.

Kurse policia ka arrestuar 97 persona për vitin 2011 dhe 56 në vitin 2012. Qeveria e Kosovës në vitin 2011 ka miratuar 4 vendime anti-korrupsion dhe gjithashtu 4 të tjera për vitin 2012. Agjencia Anti-Korrupsion në vitin 2011 ka dërguar në prokurori 39 raste, ndërkaq në vitin 2012 rreth 52 raste.

Sa i përket konfliktit të interesit, Fol prezanton të dhënat sipas të cilave, Agjencia Anti- Korrupsion ka identifikuar 54 raste në vitin 2011 dhe 131 raste në vitin 2012.

Kjo Agjenci për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar/Konfiskuar në vitin 2011 ka administruar asete të sekuestruara në vlerë prej rreth 73 mijë euro, ndërsa në vitin 2012 mbi 2.5 milionë euro, thuhet ndër tjera në prezantimin e Lëvizjes Fol (z.g).
XS
SM
MD
LG