Ndërlidhjet

Korrupsioni ngrit edhe çmimet e konsumit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Çmimet e produkteve dhe shërbimeve po shënojnë ngritje edhe si pasojë e shkallës së lartë të korrupsionit. Vlerësimet e fundit të organizatave ndërkombëtare kishin theksuar se 1 dollar i shmangur me korrupsion koston e ka 1.7 dollarë, ndërkaq çmimet e konsumit korrupsioni i rrit mesatarisht deri në 20 për qind.

Kosova, viteve të fundit, është përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovë (ASK), çmimet e konsumit në Kosovë janë ngritur për 2.6 për qind në muajin mars 2013, krahasuar me muajin mars 2012.

Naim Gashi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se jo vetëm në rastin e Kosovës, por në mbarë botën shkalla e korrupsionit është kosto operative për bizneset, dhe si e tillë, ajo kalkulohet edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.

“Në secilin vend të botës shkalla e korrupsionit ndikon në rritjen e kostos operative të bizneseve të prodhuesve, edhe të shërbyese dhe kjo automatikisht reflektohet në çmimin e kostos edhe të produkteve edhe të shërbimeve që i ofrohen konsumatorit”, thotë Gashi.

Kjo dukuri, shton Gashi, është jashtëzakonisht e dëmshme për arsye se krijon një disbalancë në treg në mes të ofertës dhe kërkesës, rrit koston fiktive të produkteve dhe shërbimeve që për pasojë ka uljen e konkurrueshmërisë së bizneseve në raport me konkurrentët e tjerë në rajon.

“Absolutisht, çdo kosto më e lartë për produkte dhe shërbime, reflekton në rritjen e çmimit të kostos së shportës së konsumatorit. Kjo ndikon negativisht në standardin jetësor të qytetarëve, për arsye se sa më të larta të jenë produktet dhe shërbimet, ata do të blejnë më pak për nevojat e tyre elementare, dhe për funksionimin e shoqërisë dhe ekonomisë në përgjithësi”, sqaron Gashi.

Lufta kundër korrupsionit, sipas Gashit, është një luftë që sjell jo vetëm efektet e veta shoqërore dhe politike, por sjell edhe efektet ekonomike për faktin se, siç thotë ai, ndikon në rregullimin e balancave në treg dhe ndikon në rregullimin e ofertës dhe kërkesës.

Sipas Gashit, ato kompani, të cilat ofrojnë produkte më konkurrente, rriten dhe zhvillohen, ndërsa në rastet kur është e zhvilluar shkalla e korrupsionit, krijohet disbalancë në treg dhe janë më të favorshme ato kompani që kanë lidhje me zyrtarë të ndryshëm publik.

Në anën tjetër, Selatin Kaçaniku, nga Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorit, thotë se të gjitha veprimet korruptive, të cilat bëhen, po i paguan në fund konsumatori, i cili, siç thekson ai, vazhdon të mbetet i pambrojtur në Kosovë.

“Këtë e vështrojmë nga prizmi i faktit se të gjitha veprimet korruptive në fund i paguan paguesi i fundit që është konsumatori. Çdo mall, çdo shërbim, çdo produkt i kushton konsumatorit shumë më shtrenjtë se që realisht do të duhej t'i kushtonte”, shprehet Kaçaniku.

Konsumatori, vlerëson Kaçaniku, paguan taksa, por paguan edhe të ashtuquajturën taksa e tatime që kanë të bëjnë ngushtë me korrupsionin.

“Se Kosova nuk ka treg vendor, se Kosova nuk ka ekonomi të tregut, pra nuk ka treg të lirë dhe pa këto të dyja, Kosova as nuk mund të ëndërrojë të ketë strategji të zhvillimit ekonomik, e pa strategji të zhvillimit ekonomik çdo gjë është iluzore, çdo gjë është mjegull”, vlerëson Kaçaniku.

Ndryshe, Kosova edhe në raportet e mekanizmave ndërkombëtarë, si "Transperancy Internacional", ishte cilësuar një vend me nivel të lartë të korrupsionit.
XS
SM
MD
LG