Ndërlidhjet

Vaksinimi i fëmijëve - pikë e ndritshme


Ilustrim
Çdo vit, vaksinimi shmang rreth 2 deri 3 milionë vdekje të fëmijëve nga sëmundjet vdekjeprurëse.

Imunizimi në Kosovë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, është njëra nga pikat më të ndritshme në sistemin e shëndetësisë.

Të mërkurën është shënuar edhe java e imunizimit në Kosovë, që shënohet edhe në nivel global.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka bërë të ditur se në të ardhmen institucioni që ai udhëheq, do të përkushtohet që të mbrojë shëndetin publik përmes imunizimit, jo vetëm te fëmijët, por edhe te të rriturit.

"Do të jemi më refektiv që të parandalojmë sëmundjet edhe te popullata e rritur, duke e marrë parasysh që imunizimi është duke shënuar përparime të mëdha në botë, ku po paraqiten vaksina të reja dhe po parandalojnë shumë sëmundje. Ne jemi të përkushtuar brenda mundësive buxhetore, edhe pse na limitojnë të ndërmarrim hapa, që të parashohim në programin tonë të imunizimit, si për shembull vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës te femrat", u shpreh Agani.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka deklaruar se Kosova njihet si vend me imunizim të mirë, duke kaluar edhe shumë vende të zhvilluara evropiane.

Por, ai gjithashtu shtoi se ka vend që ende të punohet në këtë drejtim.

"Ne duhet të bëjmë akoma më shumë edhe pse jemi në këtë aspekt të kënaqur dhe jemi më të zhvilluar se shumë vende të Evropës, por të ndikojmë te politikëbërësit , prindërit, kujdestarët, punëtorët shëndetësorë dhe gjithë popullsia të shpjegojmë se roli i imunizimit ka arritur rezultate të lakmueshme. Programi i zgjeruar duhet të jetë në prioritet të lartë dhe duhet të na përkrah në vazhdimësi edhe Ministria e Shëndetësisë", theksoi Ramadani.

Derisa Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, tha se ky mekanizëm i ka përkrahur në vazhdimësi institucionet shëndetësore drejt fuqizimit të sistemit të vaksinimit.

"Jam shumë i lumtur që OBSH ka qenë pjesë e një 'storjeje' shumë të suksesshme të vaksinimit të fëmijëve. Falë vaksinimit kemi arritur që të mbrojmë shëndetin e fëmijëve, të parandalojmë shumë sëmundje ngjitëse. Falë vaksinimit nuk shohim më fëmijë me karroca që kanë qenë të atakuar nga paraliza", bëri të ditur Syla.

Edhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka përkrahur në vazhdimësi Ministrinë e Shëndetësisë në sigurimin e vaksinave për programin e zgjeruar të imunizimit.

UNICEF-i vazhdon të ofrojë vaksina me çmime më të lira, të cilat sigurohen nga prodhuesit e parë të kualifikuar nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG