Ndërlidhjet

Sfidat e fëmijëve me nevoja të veçanta


Ilustrim
Ilustrim
Kosova nuk ka statistika të sakta se sa është numri i fëmijëve me nevoja të veçanta. Por sfidë për këta fëmijë mbetet qasja e tyre në shkollim.

Këtë e thotë edhe nëna e një fëmije i cili asnjëherë nuk ka qenë në shkollë për shkak se është i lidhur për karroce.

"Fëmija im është më aftësi të kufizuar me diagnozë paralizë cerebrale. Ka pengesa shumë , nuk ka ulje, nuk ka ecje. Për shkollim kishte mundur nëse kishte pas kushte, fëmija im kishte mundur të aftësohet në shumë gjëra, por në mungesë, ky ka mbetur shumë mbrapa".

"Ishte dashur që të gjithë fëmijët. pa marrë parasysh. me qenë të kyçur në shkollë. Unë, një nënë, nuk mund ta mësoj, edhe të punoj. Unë kam kërkuar në njërën shkollë në Prishtinë ta dërgoj fëmijën, po drejtoresha nuk ka pranuar, gjoja se në ndërkohë më lajmëron, por asnjëherë nuk kam arritur ta shkolloj", thotë Linda Zhubi.

Ndërkaq Arim Maliqi, drejtor i organizatës Hendikos, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe pse çështja e arsimimit për fëmijët me nevoja të veçanta është e rregulluar me ligj, sfidat nuk mungojnë.

"Ligji i përfshin gjithë fëmijët në të drejtën e shkollimit, por fatkeqësisht janë disa çështje që kanë të bëjnë me vlerësimin e fëmijëve, me pranimin nga ana e mësueseve apo drejtorëve si dhe infrastruktura. Po ashtu edhe mbështetja e këtyre familjeve nga institucionet tona. Po qe se një familje nuk e ka një mirëqenie të ngritur, atëherë edhe paragjykimet që kanë qenë gjithmonë tradicionalisht në vendin tonë e vështirësojnë një familje që ta inkuadrojnë fëmijën e tyre në shkollë", thekson Maliqi.

Derisa zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë pohuar se vetëm vitet e fundit janë ndërtuar rreth 140 shkolla të reja, ku përfshihet edhe infrastruktura për fëmijët me nevoja të veçanta.

Ragip Gjoshi, këshilltar i lartë në këtë ministri, jep hollësi të tjera.

"Ne jemi kemi bërë përpjekje që gjitha shkollat që janë ndërtuar në Kosovë, që kalojnë mbi 140 sosh, t'u përgjigjen të gjitha kërkesave bashkëkohore për shkollë, përfshirë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Andaj gjitha shkollat e reja janë ndërtuar edhe mundësitë për të depërtuar me karroca. Objektet e vjetra nuk ka pasur por janë adaptuar si dhe trotuaret janë ndërtuar. Këta fëmijë janë kryesisht në klasë të bashkangjitura dhe bashkë me fëmijët e mësimit të rregullt me qëllim të integrimit të tyre në shoqëri".

Sidoqoftë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale përkrah financiarisht fëmijët me aftësi të kufizuara deri në moshën 18-vjeçare me shumën prej 100 eurosh, për të kaluar pas kësaj moshe në pensionin invalidor prej 45 eurosh.
XS
SM
MD
LG