Ndërlidhjet

FSK nuk shkon në veri përderisa atje është KFOR-i


Pjesëtarë të FSK-së
Pjesëtarë të FSK-së
Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të jetë e pranishme për një kohë në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Në marrëveshjen e arritur midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, nuk përmendet kjo çështje, por nga zyrtarë të lartë vendas si edhe ata të Beogradit, është thënë se për një kohë, FSK nuk ka nevojë të jetë e pranishme në veri.

Mosprania e FSK-së në veri, thuhet se ndërlidhet me praninë e forcave ushtarake të NATO-s, përkatësisht KFOR-it, si forcë paqeruajtëse.

Më 19 prill, pasi kishin vënë inicialet e tyre në marrëveshjen 15 pikëshe të arritur me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, kishin zhvilluar edhe një takim në selinë e NATO-s me Sekretarin e Përgjithshëm, Anders Fogh Rasmussen.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Xhelili, anëtar i Komisionit për Siguri dhe mbikëqyrje të FSK-së ka thënë të premten se Forca e Sigurisë së Kosovës në këtë fazë nuk është e nevojshme që të shkojë në veri, pasi që përgjegjës për sigurinë në atë pjesë është forca e KFOR-it.

“Për këtë fazë nuk besoj që ka nevojë FSK-ja që të jetë në veri, pasi që është KFOR-i ai që e bën sigurinë e tërë territorit të Kosovës, por edhe të pjesës veriore. Me kalimin e kohës, nëse ka nevojë dhe në bashkëpunim me KFOR-in ajo me siguri që do të veprojë në fazat fillestare. Ndërkaq në fazat afatgjate, FSK-ja, përkatësisht ushtria e ardhshme e Kosovës do të jetë përgjegjëse për sigurinë në territorin e Kosovës”, ka thënë Xhelili.

Mosprania e FSK-së në veri, ishte një prej kërkesave të palës serbe në dialogun politik me Prishtinën.

Zyrtarët në Beograd u kanë thënë serbëve të veriut se në komunat veriore nuk do të mund të shkelë çizmja e FSK-së.

Kjo forcë është thënë se do të mund të shkojë në veri vetëm në rast të ndonjë fatkeqësie elementare, e paarmatosur dhe me ftesën e NATO-s dhe asociacionit të komunave serbe.

Duke u ndërlidhur me këto deklarata të bëra në Beograd, deputeti Xhelili thotë se Kosova edhe ashtu nuk e ka trajtuar veriun si problem policor e ushtarak.

Qëllimi është që të krijojmë një ambient të volitshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, posaçërisht edhe për entitetin serb që ata ta ndiejnë veten të sigurt në këtë pjesë. Nuk kemi arsye që t’i frikësojmë qytetarët serb me forcë ushtarake, dhunë e forcë policore, sepse forma e zgjidhjes së këtij problemi nuk është metoda policore”, ka thënë Xhelili.

Nga ana tjetër, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se prania e FSK-së në veri nuk do të duhej të vihej në dyshim, pasi që ajo do të duhej të ishte e pranishme atje.

Ai ka fajësuar qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës për lëshime në negociatat me Serbinë.

Ndërkaq insistimin e Serbisë që kjo forcë të mos jetë e pranishme në veri ai e sheh si pjesë të politikës, siç ka thënë ai, armiqësore që Beogradi mbanë në raport me shtetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Më shumë se FSK-në, Serbia e ka frikë lirinë e shqiptarëve në Kosovë. Serbia e ka frikë pavarësinë e Kosovës, për shkak se hakmarrja më e madhe për Serbinë për atë çfarë ka bërë këtu në Kosovë është liria e qytetarëve të Kosovës dhe i druhet kësaj hakmarrje, po them morale e jo fizike”, ka thënë Selimi.

Një qëndrim të balancuar në lidhje me mos praninë e FSK-së në veri ka shprehur kryetari i Komisionit për Siguri dhe mbikëqyrje të FSK-së, Ahmet Isufi, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Me shndërrimin e kësaj force në ushtri të Kosovës, atëherë është e obligueshme që ajo të shtrihet edhe në veri ka thënë Isufi.

“Besojmë që në të ardhmen, në bazë të zhvillimeve që do të ndodhin, e nga ana e palë së Kosovës është treguar gatishmëria, ushtria e Kosovës do të jetë një ushtri në raport me ushtritë tjera të vendeve të ndryshme. Është obligim kushtetues i institucioneve të vendit që të shtrihen në territor”, është shprehur Isufi.

Ndryshe, Forca e Sigurisë së Kosovës është duke u ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s. Gjatë qershorit, NATO do të bëjë një vlerësim të zhvillimit të saj.

Autoritetet në Prishtinë presin që NATO të pajtohet me shndërrimin e kësaj force në Ushtri të Kosovës, përderisa Parlamenti tashmë ka në procedurë edhe ligjin për dërgimin e FSK-së në misione jashtë vendit.
XS
SM
MD
LG