Ndërlidhjet

Njëzet vjet burgim në rastin "Medicus"


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Gjykata Themelore e Prishtinës, e udhëhequr nga Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka shpallur të hënën fajtor urologun Lutfi Dervishin, me tetë vjet burgim e 10,000 euro, të birin Arban Dervishin, me shtatë vjet e tre muaj burgim e 2,500 euro, kurse Sokol Hajdinin me 3 vjet burgim.

Islam Bytyqi dhe Sylejman Dulla janë dënuar me kusht, me nga një vit burgim.

Kurse, Ilir Rrecaj, ish zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë, është liruar nga të gjitha akuzat.

I akuzuari i shtatë, Driton Jilta, ishte raportuar se ka pranuar kohë më parë fajësinë për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore, por janë hedhur poshtë akuzat kundër tij, kanë thënë zyrtarë të EULEX-it.

Që të gjithë ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008.

Jonathan Ratel
Jonathan Ratel
Prokurori special i Bashkimit Evropian, Jonathan Ratel, pas vendimit tha se elemente kyçe kanë qenë konspiracion kriminal, rekrutimi, transportimi, strehimi, dhe kërcënimi i personave të varfër të cilët kanë jetuar në kushte të vështira ekonomike.

"Qëllimi i vetëm i rekrutimit të këtyre individëve ishte shfrytëzimi. Shfrytëzimi i donatorëve si viktima, heqjen e organeve të tyre për këtë qëllim. Ky trafikim i njerëzve është arritur në bazën e premtimeve të rreme për pagesat e organeve e tyre. Në shumë raste, pagesa nuk është bërë kurrë", tha Ratel para gazetarëve.

Ndryshe, prokuroria e EULEX-it, përmes një komunikate për media ka thënë se lidhur me këtë rast, do të bëjë ankesë.

Pas përfundimit të seancës përmbyllëse të këtij procesi, avokati i të akuzuarit Lufti Dervishi, nuk është prononcuar para medieve.

Por, Petrit Dushi, avokatit i Arban Dervishit, pas shpalljes se vendimit të gjykatës, tha se lidhur me vendimin e gjykatës pala mbrojtëse do të ankohet, dhe se vendimi është i papranueshëm.

“Kjo për mbrojtjen nuk është e pranueshme. Unë veç e paralajmërova ankesën. Ankesa i shkon Gjykatës së Apelit, kjo është shkalla e dytë dhe pastaj do të shohim. Deri në shkallen e dytë jemi me mjete të rëndomta juridike. Unë shpresoj se nuk do të shkojë më tutje. Kjo i bie me mjete të jashtëzakonshme juridike në Gjykatë Supreme dhe më tutje”, tha Dushi.

Ndërkaq, avokati Florin Vertopi, i cili ka mbrojtur Ilir Rrecajn, ish zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili është liruar nga të gjitha akuzat, tha:

“Në sistemin e drejtësisë në Kosovë nuk ka pasur një proces të tillë. Për Ilirin dhe familjen e tij kanë qenë 5 vjet vuajtje, por sido qoftë kjo ka përfunduar pozitivisht”, tha Vertopi.

Në procesin gjyqësor që njihet me emrin si "Rasti Medicus", paneli i gjyqtarëve ka dëgjuar dëshmitë e më shumë se 80 dëshmitarëve, në më shumë se 100 seanca gjyqësore, të cilat kanë nisur që në vitin 2011.

Aktakuza emëron edhe shtetasin izraelit, Moshe Harel si "trurin" e rrjetit për rekrutimin e dhuruesve dhe identifikimin e marrësve të organeve, ndërkaq për mjekun turk, Yusuf Sonmez thuhet t'i ketë kryer operacionet në klinikë.

Që të dy, ndonëse të akuzuar, nuk janë sjellë asnjëherë përpara drejtësisë në Kosovë.

Sipas aktakuzës, viktimat ishin rekrutuar nga vendet e varfra të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore.

Atyre u ishte premtuar shuma prej 15 mijë eurosh për organe, ndërsa ata që i pranonin këto organe paguanin edhe nga 100 mijë euro secili.

Aktakuza thotë se afro 20 viktimave, që janë identifikuar deri tash, nuk u janë paguar shumat e premtuara, megjithëqë organet u ishin marrë.


Njëzet vjet burgim në rastin "Medicus"
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00
XS
SM
MD
LG